Kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka kritikuar kreun e PD-së, Sali Berisha, duke u shprehur se militantët e Partisë Demokratike i shohin aleatët si pa peshë dhe kosto.

Ndoka, gjatë mbledhjes me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, theksoi se kjo s’është e vërtetë dhe iu drejtua Berishës duke i thënë që “këtë e dini dhe ju, por nuk ua thoni”.
“Na bëni tabelë qitje, aleatët janë vota për ju, vlerë e pluralizimit dhe marrim shumë më pak sa i takon peshës tonë elektorale”, tha kreu i PDK-së.
Duke shtuar se aleatët janë një vlerë e shtuar dhe se çdo parti kontribuon.
“Militantëve tregojuni të vërtetën”, theksoi ai, ndërsa deklaroi: “Që në vitin 2018, ne nuk testohemi, futemi në koalicion dhe na numëroni ato vota që mbesin të shkruara në letër dhe jo ato mijëra në Tiranë që i merrni ju përmes koalicionit se s’kemi kandidatë. Është një hile e qëllimshme”.
Nard Ndoka: Nuk ka asnjë lloj problemi nëse na thuhet që jemi për këtë model, ne shohim veten tonë se ku jemi, por jo gjithmonë në minutat e fundit pa pasur informacion vihemi përballë një realiteti që na ka penguar nga zgjedhja në zgjedhje. Për fatin e keq, këtë e kam si vërejtje, krijohet një frymë tek militantët e partisë tuaj sikur aleatët janë një peshë, kosto, jo, këtë e dini dhe ju, dhe nuk ua thoni.
Na bëni tabelë qitje, aleatët janë vota për ju, vlerë e pluralizimit dhe marrim shumë më pak sa i takon peshës tonë elektorale. Që në vitin 2018, ne nuk testohemi, futemi në koalicion dhe na numëroni ato vota që mbesin të shkruara në letër dhe jo ato mijëra në Tiranë që i merrni ju përmes koalicionit se s’kemi kandidatë. Është një hile e qëllimshme dhe unë e dëgjoj kohët e fundit, edhe në takimet e foltores, ku shigjetohen aleatët se ne jemi e keqja.
Jo, ne jemi një vlerë. Vetëm LSI ka pasur 100 mijë vota, kuptohet goditjet që i erdhën në të dyja krahët, kishte Ramën përballë dhe Bashën nga ana tjetër. Dhe PDK, kemi pasur 58 mijë vota, 6 mandate. Çdo parti kontribuon, militantëve tregojuni të vërtetën, se të paktën unë ndihem mirë se nuk jam as në Parlament, ato votat tona i keni marrë dhe sot u dal zot edhe atyre që janë në Parlament, që me votat e tyre jo me të PD, ju përfitoni shumë më tepër vota. Ne duam një koalicion të kemi siglën tonë, kandidatët tanë dhe t’ju mbështesim edhe ju.
© Panorama.al










