Myftiu i Shkodrës: Kërkojmë kthimin e pronave të Vakëfit

Mar 17, 2011 | 11:07

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, rikthen në qendër të vëmendjes padrejtësitë që sipas tij u janë bërë myslimanëve me pronat e Vakëfit.Për këtë Sytari ka akuzuar direkt persona, të cilët kanë pasur mbështetjen e politikanëve shqiptarë gjatë viteve të fundit. Sipas tij, nëse për 23 vite me radhë Myftinisë Shkodër iu sekuestruan dhe iu shkatërruan pronat e saj, duke përfshirë xhami e objekte të tjera, gjatë këtyre 21 viteve po bëhet një batërdi e vërtetë mbi pronat. “Janë me dhjetëra e qindra dosje me pronat e Myftinisë Shkodër që akoma edhe sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Këto dosje bëjnë një gjumë të rehatshëm në zyrat e gjykatave, agjencive të kthimit të pronave etj. Janë me dhjetëra troje të uzurpuara padrejtësisht nga njerëz me përkrahje nga pushtetet e këtyre 21 viteve”, deklaroi Sytari. Ai vazhdoi akuzat mbi këta persona, të cilët, ndonëse nuk i përmendi me emra, deklaroi se vijnë madje duke uruar për Bajram. Në deklaratën e tij Sytari ka rreshtuar disa nga objektet apo pronat që nuk kanë marrë akoma rrugën e zgjidhjes prej shumë kohësh. “Të tilla janë mënyra e tjetërsimit të pronësisë të hotelit ‘Rozafa’, ku edhe pse pronarë të truallit ishin Myftinia Shkodër, Kisha Ortodokse dhe disa familje të vjetra shkodrane, privatizimi i tij u bë nga të tjerë, të cilët më pas e kaluan në një dorë të tretë. Sot këtë hotel e gëzojnë njerëz me pushtet, të cilët vijnë të na urojnë edhe Bajramet. Do të isha i lumtur të mos i shikoja më fytyrat e tyre në gëzimet tona”. Duke listuar rastet e tjera të abuzimeve, myftiu i Shkodrës ndalet dhe te rasti i qendrës tregtare në Zdrale. “Qendra Tregtare e Myftinisë tonë po ngelet peng e meskinitetit dhe degradimit të pushtetit lokal, që nuk zbaton një urdhër të prerë të Gjykatës së Apelit në favor të Myftinisë për prishjen e një objekti që është ndërtuar prej kohësh pranë saj. Nuk ka rekurs në botë të legjitimojë haramin që konsumohet muaj për muaj mbi pronën tonë në atë zonë. Në Zogaj, një individ që ka grabitur pronën tonë sfidon një myftini, një bashki, një polici?! Pranë xhamisë së Plumbit i njëjti realitet”, ka pohuar Sytari. Më tej myftiu i Shkodrës ka paralajmëruar se në rast se çështja e pronave të Myftinisë në Shkodër nuk merr zgjidhjen e duhur ligjore, atëherë ato do të vazhdojnë sensibilizimin e shoqërisë dhe të besimtarëve të tyre për reagime demokratike. “Hapi i parë i sensibilizimit do të jetë falja e xhumasë të kësaj jave ku në hytben kryesore do t’u drejtohemi besimtarëve myslimanë në Shkodër me thirrje sensibilizuese ndaj zullumeve primitive të përvitshme mbi pronat e këtij komuniteti”, ka vazhduar më tej Sytari. “Para se kjo neglizhencë e qëllimshme ndaj pronave tona të nxisë reagime demokratike të cilat askujt nuk do t’i pëlqenin, sidomos në këtë periudhë në prag të zgjedhjeve lokale, kërkojmë që strukturat përkatëse të shtetit të veprojnë. Myftinia Shkodër është e vendosur të mos heshtë përballë padrejtësive 44-vjeçare të kësaj kryqëzate moderne ndaj saj. Ne nuk jemi aspak të hutuar as ndaj zhvillimeve të vendit dhe politikave të tij”.

 

SHKODER/RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura