SHKODER – Pranvera e këtij viti ka filluar pozitivisht për Muzeun Historik të qytetit të Shkodrës. Ndryshe nga vitet e tjera, kur vizitat e turistëve të huaj fillonin në fillim të sezonit veror, këtë vit Muzeu Historik i Shkodrës ka pritur vizitorë të shumtë që në ditët e para të muajit prill. Rreth një mijë turistë kanë vizituar këtë muze në një hark kohor prej një muaji, duke krijuar premisa të mëdha për një fluks tepër të madh turistësh vendës dhe të huaj gjatë stinës së verës. Vizitorët e kësaj periudhe kanë qenë kryesisht nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia e Çekia, por nuk kanë munguar as turistët nga Gjermania, Austria, Anglia e Rusia. Për specialistët e Muzeut, numri gjithnjë në rritje i vizitorëve vendës dhe të huaj ka ardhur për shkak të vlerave historike dhe etnografike që ky muze mbart brenda tij. Interesi ndaj këtij muzeu ka ardhur duke u shtuar nga viti në vit, si rrjedhojë jo vetëm e grumbullimit të materialeve të shumta me vlera historike, por edhe në sajë të organizimit të punës për një prezantim dhe ekspozim sa më të mirë të tyre. Për promovimin e Muzeut, drejtuesit e tij vazhdimisht organizojnë aktivitete të ndryshme me vlera, historike e kulturore, siç ishte dhe hapja pak kohë më parë e panairit ndërkufitar të punimeve artizanale. Ndërkohë, një ndikim të rëndësishëm në shtimin e numrit të vizitorëve dhe në ardhjen e tyre më herët se vitet e tjera kanë pasur vetë turistët nga vende të ndryshme të botës, të cilët transmetojnë tek miqtë e të afërmit e tyre gjithë ç’kanë parë dhe i ka impresionuar në Muzeun Historik të Shkodrës. Një ndihmesë tjetër në shtimin e fluksit të turistëve të huaj kanë qenë investimet e shumta në infrastrukturën rrugore në të gjithë qytetin, por sidomos në rrugën që të shpie në këtë muze. Vetëm para disa muajsh, rruga e njohur si “Rruga e Muzeut Historik” ishte me asfalt të dëmtuar e plot gropa, ndërsa tani është e shtruar me kalldrëm, duke krijuar një imazh tërheqës që para mbërritjes në muze. Nuk mungojnë dhe vizitorët nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët vizitojnë muzeun për t’u njohur më shumë me vlerat historike që mbart një qytet si Shkodra. r.d











