Trajner i ri, zgjedhje të reja. Shkëlqim Muça ka nisur me “marsh të pestë” punën te Flamurtari. Së fundmi në Vlorë ka dalë në skenë emri i sulmuesit kroat Pero Pejiç si alternativë për të ardhur te Flamurtari në janar. Me të mësuar lajmin se kroati ka prishur kontratën me klubin arab, Al-Faisaly, Muça ka kontaktuar direkt me agjentin e lojtarit. Kjo konfirmohet nga burime të sigurta pranë trajnerit. “Pejiçin e dua patjetër në Vlorë, madje mirë do ishte që bisedimet t’i mbyllnim sa më shpejt”. Kështu mësohet se i ka thënë Muça njeriut që bën “shkesin” për të çuar Pejiçin te kuqezinjtë. Është e vështirë që në një periudhë të tillë të gjesh lojtar pa kontrata, ndaj edhe tekniku i kuqezinjve kërkon që të mbyllë sa më shpejt llogaritë. Pejiç është dëshira e madhe e tij, por gjithsesi varet se çfarë përgjigje do të japë lojtari. Pas prishjes së kontratës me skuadrën arabe, sulmuesi po studion ofertat. Ndërkohë, burime pranë tij tregojnë për “Panorama Sport” se një përgjigje për klubet shqiptare që interesohen për të, ai do ta japë vetëm pas 10 ditësh.











