
XHEZAIR ZAGANJORI
PJESA E TRETË
Megjithëse u bënë gjithë këto ndryshime dhe u krijuan Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë së Re, lidhja dhe varësia nga autoritetet pushtuese gjermane ishte jo vetëm shumë e madhe, por edhe e shumëfishtë. Kur e kërkonin interesat e tyre të drejtpërdrejta, ata ushtronin çdo ditë pushtet ekzekutiv në të gjitha nivelet. Të paktën katër autoritete gjermane paraqiteshin njëkohësisht si më të rëndësishmet, pa pasur aspak raporte hierarkike mes tyre. a)Martin Schliep ishte Konsull i Përgjithshëm, por praktikisht ishte Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, pavarësisht se nga ana formale, këtë titull do ta merrte më 12 korrik 1944; b)Neubacher ishte i Dërguar i Posaçëm i Rajhut gjerman në Europën Juglindore, me fokus të posaçëm menaxhimin e situatës në Shqipëri; c) Gjenerali Josef Fitzthum, që nga tetori 1943 vepronte si i pavarur në funksionin i Dërguari Special i Himmlerit, për të drejtuar në Shqipëri shërbimin e trupave SS dhe të Gestapos dhe së fundi, d)Sipas protokollit nazist, përgatitur nga Komanda Supreme e Forcave të Armatosura gjermane, pas pushtimit të një vendi, një nga gjeneralët e trupave pushtuese duhej të kryente edhe detyrën e Komandantit të Përgjithshëm Ushtarak, si autoriteti më i lartë ekzekutiv në atë hapësirë territoriale. Kështu u vendos edhe për Shqipërinë.
Megjithatë, pas ndërhyrjes së Neubacherit, për të shmangur çdo keqkuptim rreth “autoritetit e pavarësisë” së institucioneve të sapokrijuara në Shqipërinë e Re, Berlini zyrtar, siç kishte vepruar më parë edhe në Kroaci e Sllovaki, bëri përjashtimin për ta emërtuar formalisht këtë funksion jo më si “Komandanti i Përgjithshëm Ushtarak në Shqipëri”, por vetëm si “Gjenerali gjerman për Shqipërinë”. Këtë detyrë do ta kryenin me radhë në vendin tonë, fillimisht Gjenerali i Korpusit 21, Paul Bader, dhe më pas Gjenerali i Trupave Tankiste, Gustav Fehn dhe Gjenerali i Artilerisë Theodor Geib. Ishte pikërisht ky autoritet i forcave pushtuese gjermane që duhej të paraqiste në vazhdimësi pranë “Qeverisë Miqësore” kërkesat dhe interesat e Wehrmachtit gjerman. E në këto kërkesa e interesa përfshiheshin edhe miratimi i akteve ligjore, mbështetja financiare, krijimi i gjykatave speciale, lëshimi i urdhrave për autoritetet vendore e të tjerë. Nuk duhet harruar këtu veçanërisht organizimi i grabitjes së pasurive nëntokësore të Shqipërisë, ashtu siç kishin bërë edhe italianët. Pavarësisht se gjermanët thoshin zyrtarisht se ishin kalimtarë dhe u interesonte vetëm siguria e bregdetit, praktikisht ato ishin shumë të interesuar edhe te mineralet e Shqipërisë së Re, veçanërisht për kromin, bakrin, hekurin, boksidet, minierat e Trepçës e të tjerë. Arkitekti dhe miku i ngushtë i Hitlerit, Albert Speer, tashmë ministër i Armatimit, kërkonte me ngulm veçanërisht krom, pasi i duhej sa më parë për prodhimin e avionëve luftarakë, tankeve, nëndetëseve, anijeve dhe artilerisë së rëndë. Dhe kjo duhej organizuar e kontrolluar veçanërisht nga forcat ushtarake gjermane, aq më tepër që terreni malor i vendit “u krijonte mundësinë partizanëve të vështirësonin apo edhe të pengonin transportin e qetë e të shpejtë të mineraleve në drejtim të porteve shqiptare”. Kjo “ndërthurje” interesash përmes dirigjimit aspak të sinqertë të pushtuesve gjermane duket qartë edhe në telegramin e Neubacherit, që më 31 janar 1944 dërgon nga Beogradi në Shtabin Qendror në Berlin. Aty thuhet se “…Përmes goditjeve të forta, terrori komunist në Shqipëri është zvogëluar shumë.
Marshimi i ministrit të Brendshëm, Xhaver Deva, me rreth 1500 kosovarë në drejtim të Prizrenit, Shkodrës dhe Tiranës, synon eliminimin e tyre. Këtë aksion të “Frontit Nacional” kundër bandave terroriste në Shqipërinë e Jugut e kemi mbështetur ne me armë e municione. Aksione të tjera të “Forcave Nacionale” në Veri dhe në Lindje të Shqipërisë kanë dëmtuar rëndë kundërshtarët tanë komunistë….” Dhe masakrat e trupave të Xhafer Devës do të ndodhnin menjëherë, fillimisht në Shkodër, (ku sipas Neubacherit një pjesë e mirë e komunistëve arritën të shpëtojnë për shkak se ishin strehuar në Misionin Katolik të qytetit), e më pas në Tiranë. Pas një atentati të dështuar kundër Xhafer Devës në Tiranë më 3 shkurt 1944, ku mbeti i vrarë një prej nipave të tij që e shoqëronte, të nesërmen herët në mëngjes, më 4 shkurt 1944, forcat e tij do të vrisnin në sytë e familjarëve 84 qytetarë tiranas. Ky terror në kryeqytet do t’u bënte përshtypje negative edhe vetë ushtarakëve gjermanë, shumë prej të cilëve kujtojnë se gjatë gjithë shkurtit deri në fillim të marsit të këtij viti (1944) në sheshin “Skënderbej” qëndronte një trekëndësh për varjen e kundërshtarëve dhe thuajse çdo ditë në mëngjes “kishte aty kufoma të gjakosura, saqë vendi përreth dukej si kasaphanë…”.
Të gjitha këto nxitën revoltë e pakënaqësi jo vetëm në popull, por edhe në vetë qeverinë kuislinge. Mehdi Frashëri si Kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës filloi të ketë mosmarrëveshje të shumta me Xhafer Devën për shkak të qëndrimeve ekstremiste të këtij të fundit. Nga ana tjetër, Deva e akuzonte Frashërin si të pabesë, që nuk e mban fjalën e dhënë… Në këto kushte, vetëm një muaj e gjysmë nga telegrami i 31 janarit, me kërkesën e Ambasadorit Ritter në Berlin, me dt. 16 mars 1944 Neubacher detyrohet të nisë një telegram të dytë, ku përshkruan shkaqet e intensifikimit të luftës kundër forcave gjermane në Shqipëri. Duke radhitur argumentet kryesore, në këtë telegram thuhet se shkaqet e kësaj situate të re janë “a) Forcimi i veprimtarisë së Misionit Ushtarak Britanik, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare Vlorë-Sarandë. Këtu duhet shtuar se edhe në pjesë të tjera të territorit shqiptar, kanë arritur të depërtojnë përmes detit trupa agjentësh britanikë, duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë Kanalin e Otrantos. Edhe përmes ajrit kanë arritur të depërtojnë në Shqipëri agjentë të tjerë britanikë e me sa duket, edhe oficerë e agjentë amerikanë e rusë. b)Përmes agjentëve të mësipërm është bërë e mundur që bandat shqiptare të furnizohen sërish me armë, municione dhe me ar. c)Rritja e propagandës armike, për shkak edhe të zbarkimit të afërt të Forcave Aleate. d) Sukseset ushtarake në Frontin Sovjetik. Të gjitha këto kanë bërë që forcat komuniste të shpejtojnë drejtë veriut të vendit, duke kontrolluar aktualisht territorin deri në rrugën Elbasan– Strugë… Avancimi i mëtejshëm i tyre në drejtim të veriut në hapësirën Mat–Dibër për momentin kundërshtohet nga trupat zogiste… Në Berat ka luftime mes komunistëve dhe grupeve nacionale. Në hapësirën e Tiranës së Jugut mbetet shumë aktive banda e komanduar nga drejtuesi tashmë i njohur Myslim Peza… Mes grupeve nacionaliste vazhdon të ketë mosmarrëveshje…”.
Duhet theksuar megjithatë, se në fillim të prillit 1944 ka një zhvillim interesant, falë angazhimit të Vehbi Frashërit. Si kudo në territoret e pushtuara, për të financuar qëndrimin dhe aktivitetin e trupave në vendin tonë, Qeveria gjermane u përgatit të prekë edhe arin shqiptar që ishte grabitur prej tyre në Romë më 16 shtator 1943. Për këtë qëllim ato i imponuan Qeverisë shqiptare një marrëveshje të nënshkruar më 28 dhjetor 1943. Por menjëherë do të ndërhynte pranë autoriteteve gjermane Vehbi Frashëri, duke i bindur të tërhiqeshin nga kjo ide. Kështu, më 6 prill 1944, Vehbi Frashëri do të nënshkruante në Berlin një marrëveshje të re mbi këtë çështje me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme gjermane, Emil Wiehl. Përmes saj u ra dakord që ari të mos përdorej nga gjermanët, por t’i kalonte Bankës Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, “ruajtja e tij duhej të vazhdonte të bëhej në kryeqytetin gjerman, deri në përfundim të luftës”. Ky rregullim i ri shërbeu jo vetëm për ta mbajtur këtë sasi ari të paprekur, por edhe për trajtimin më vonë të kësaj çështjeje, bazuar në parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare. Në kushtet e kësaj anarkie e mungese të “kontrollit” mbi territorin shqiptar, Heinrich Himmlerit, Kryekomandantit të Trupave Elitë SS, të njohura për bëmat çnjerëzore e famëkeqe në Gjermani e më gjerë (veçanërisht në kampet naziste të përqendrimit), i lind ideja të krijojë edhe në Shqipëri një divizion të veçantë SS, me rekrutë vendas, të cilët do t’i kishte në çdo moment në dispozicion për të shtypur apo luftuar egërsisht kundërshtarët e Wehrmachtit gjerman.
Dhe për këtë qëllim, u mendua me djallëzi rekrutimi i kosovarëve, si zgjidhja më e mirë e më e lehtë, pasi ato, duke qenë në dekada në kushtet e sundimit serb, mund të gënjeheshin e manipuloheshin më shpejt përmes evidentimit të ndjenjave nacionaliste, përmendur edhe më sipër. Neubacher thotë në kujtimet e tij se fillimisht ai ishte kundër kësaj ideje, sepse vlerësonte se krijimi këtij divizioni do të pritej keq nga shumica e shqiptarëve, pasi praktikisht binte në kundërshtim me statusin dhe premtimet që i ishin bërë Qeverisë së Shqipërisë së Re. Megjithatë, Himmler arrin të marrë me shkrim pëlqimin e Hitlerit. U vendos që kjo trupë rekrutësh kosovarë të quhej Divizioni i Armatosur Malor 21 SS, “Skënderbeu”. Qendra e tij do të ishte në Prizren dhe formalisht aktiviteti duhej të zhvillohej brenda territorit të Shqipërisë së Re. Për propagandë, këtë element u përpoq të “sqarojë” edhe Konsulli i Përgjithshëm gjerman në Tirane, Martin Schliep, kur me 28 qershor 1944 do të deklaronte se “ky Divizion do të ketë aktivitet vetëm në territorin shqiptar…”. Ky prononcim bëhej në fakt në mbështetje të “përgjigjes” që qeveria shqiptare i kishte dhënë për këtë çështje në mes të qershorit 1944 një deklarate të Kryekomandantit të Forcave Amerikane në Mesdhe, Gjeneralit Henry Maitland Wilson. Konkretisht, që në fillim të qershorit ai kishte deklaruar se, “… Qeveria e Tiranës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, po shkel neutralitetin e saj duke rekrutuar trupa për të mbështetur operacionet ushtarake të Ëehrmachtit/// në Ballkan”. Qeveria Shqiptare do të reagonte menjëherë, por pa argumente konkrete, duke vënë në dukje thjeshtë se, ajo “…asnjëherë nuk do të rekrutonte trupa për të mbështet ushtrinë gjermane… dhe se veprimet me natyrë mbrojtëse… kundër terroristëve komunistë, janë bërë në funksion të ushtrimit të të drejtës së vetëmbrojtjes”.
Sipas Neubacherit, Qeveria Shqiptare mendonte t’i përdorte më vonë këto trupa si bërthamë për krijimin e forcave të policisë dhe ushtrisë kombëtare. Por si gjermanët, ashtu edhe qeveria shqiptare “nuk patën aspak fat” me divizionin SS. Ato nuk i ndihmoi as spekulimi me emrin e Skënderbeut. Në librin e tij me titull “Në mbështetje të Gjermanisë” të autorit Hans Neulen, thuhet ndër të tjera se megjithëse në fillim në këtë divizion u regjistruan disa mijëra kosovarë, shumica, pasi merrnin uniformën, armatim të ri e municione (që u interesonin shumë) largoheshin menjëherë në këmbë përmes maleve, në drejtim të vendbanimeve të tyre. Pjesa e mbetur arriti të bënte ndonjë aksion sporadik, shpesh në bashkëpunim me trupat gjermane, pa u dalluar shumë në luftime. Po në këtë libër citohet edhe raporti i një ushtari gjerman që luftonte në front të parë, (deutsche Frontsoldat), i cili, duke iu referuar luftëtarëve të Divizionit “Skënderbeu”, vë në dukje se ato “kanë më shumë frikë nga një kuti e hedhur konservash, që ka pasur më parë mish derri, se sa nga një granate dore..”, të cilën, me sa duket, ua kalonin njëri-tjetrit si të ishte lodër. Për sa më sipër, vihet re edhe në debatin për çështjen e statusit të Shqipërisë së Re, temë të cilën e kishte për shumë zemër veçanërisht Mehdi Frashëri. Duke pasur mirë parasysh eksperiencën e Konferencës së Paqes së vitit 1919, në të cilën ai vetë kishte marrë pjesë me shumë sukses si delegat i shtetit shqiptar, Mehdiu insistonte vazhdimisht pranë autoriteteve gjermane që Shqipëria e Re të njihej shtet neutral si nga Boshti Qendror, ashtu edhe nga Fuqitë Aleate. Sipas tij, kjo do të shmange edhe copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore si dhe do i krijonte Shqipërisë mundësinë që si vend i pushtuar, të merrte pjesë në Komisionin Aleat për Italinë, duke kërkuar prej saj reparacione. Këtë çështje Neubacher ia paraqiti me telegram zotit Ritter në Berlin që më 8 tetor 1943.
Aty thuhet se “… Zoti Mehdi Frashëri ka ardhur dy herë tek unë me lutjen që Qeveria e Rajhut të marrë parasysh njërin prej dy varianteve të mëposhtme lidhur me neutralitetin e Shqipërisë: 1) Sipas variantit të parë, Gjermania dhe Aleatet duhet të njohin zyrtarisht neutralitetin e shtetit shqiptar, gjë që do të thotë se për të dyja palët Shqipëria nuk do të konsiderohet si zonë lufte. Për këtë variant i thashë z. Frashëri se ne e kemi krejt të pamundur të bëjmë realitet këtë ëndërr kaq të bukur të shqiptarëve… 2)Sipas variantit të dytë, për të qetësuar propagandën armike, Mehdi Frashëri propozon gjetjen e ndonjë formulimi përmes të cilit, indirekt të jepej karakteri neutral i Shqipërisë së Pavarur. Sipas tij, ky formulim duhej të përshtatej sa më mirë me konceptin gjerman “nicht kriegfuhrend” (jo palë ndërluftuese) në luftën aktuale. Lidhur me këtë variant i thashë se e kuptoj rëndësinë politike të këtij formulimi për propagandën armike, pasi ju keni frikë se Gjermania do ju tërheqë edhe ju në frontin e luftës. Por unë ju garantoj se Gjermania në asnjë mënyrë as që e mendon të përdorë ushtarë shqiptarë kundër armiqve të saj”. Por Mehdi Frashëri nuk i ndahej kësaj teme.
Ndaj, në janar 1944, ai i drejtohet sërish Neubacherit duke theksuar me forcë interesin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Gjermanisë mbi këtë çështje. Frashëri vë në dukje ndër të tjera se “praktikisht Shqipëria ndodhet në një neutralitet relativ, pasi vlerëson se trupat gjermane kanë ardhur aty thjeshtë për nevojat e tyre ushtarake, që të mbrohen nga një zbarkim i mundshëm i aleatëve në bregdetin shqiptar. Sipas tij, shqiptarët i trajtojnë gjermanët si miq, pavarësisht se vetë janë neutralë në luftën që ka shpërthyer mes Fuqive Europiane. …Kjo do të thotë se nëse armiqtë e Gjermanisë vijnë dhe e sulmojnë atë me njësi të rregullta ushtarake, Shqipëria do të qëndrojë asnjanëse…”. Sipas Neubacherit, me këto qëndrime Mehdi Frashëri kërkon “të jetë inovativ e të shpikë norma të së drejtës ndërkombëtare”, pasi e krahason rastin aktual të Shqipërisë me atë të Egjiptit në vitin 1922. Më konkretisht, bëhet fjalë për lëvizjen çlirimtare në Egjipt të viti 1919, për t’u çliruar nga protektorati britanik, i vendosur në vitin 1914. Britania ishte fillimisht kundër kësaj lëvizjeje. Megjithatë, pas bisedimeve të fshehta me nacionalistë egjiptianë, përmes një Deklaratë të Njëanshme të Britanisë bërë më 28 shkurt 1922, njihej pavarësia e Egjiptit dhe neutraliteti i tij, me kushtin që ky shtet të respektonte disa “interesa jetike” të britanikëve aty, mes të cilëve ishte prezenca ushtarake dhe hapja e kontrolli i Kanalit të Suezit.
Pra, neutraliteti i Egjiptit do të ishte i kushtëzuar, apo thënë ndryshe, relativ. Por këtij propozimi të Frashërit, Neubacheri i bën një ndryshim esencial, që është njëkohësisht edhe cinik. Ai e përcakton jo neutralitetin, por sovranitetin e Shtetit të ri Shqiptar si “sovranitet relativ”, duke vënë në dukje se pavarësisht që trupat gjermane trajtohen nga shqiptarët si miq… sovraniteti i Qeverisë shqiptare ka një kufizim të rëndësishëm, që do të thotë se ushtria gjermane do të detyrohej t’i kundërvihej çdo qeverie që bashkëpunon me armiqtë e saj. Sigurisht që përmes këtij sqarimi, Neubacher, indirekt donte të vinte në dukje se çdo interes ushtarak gjerman në Shqipërinë e Re ka përparësi absolute ndaj çdo të drejte sovrane të shtetit shqiptar. Këtë mesazh do të përcillte në qershor 1944 edhe Ribbentrop, kur u informua mbi përgjigjen e Qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së Gjeneralit amerikan Watson lidhur me krijimin e Divizionit SS “Skënderbeu”, përmendur më sipër. I nervozuar nga kjo përgjigje, ai do të theksonte se me këtë qëndrim Qeveria shqiptare ka shkuar shumë larg, dhe se “… nuk mund të imagjinohet që një qeveri e një vendi që falënderon Rajhun gjerman për politikën bujare dhe mbështetjen e pavarësisë së tij, të hyjë në kontakte me armiqtë tanë, duke u shprehur edhe kundër nesh…”. Mehdi Frashëri do të përpiqej sërish edhe në vijim të tregonte me veprime se Qeveria shqiptare ishte e pavarur dhe jo vegël në duar të gjermanëve. Ai shfrytëzoi për këtë qëllim krizën qeveritare të periudhës maj–qershor 1944. Lidhur me këtë krizë, Neubacher do të njoftonte Berlinin zyrtar nga Athina më 27 maj 1944.
Aty thuhet se “Shqipëria po përjeton një krizë qeveritare. Këshilli i Lartë i Regjencës po bashkëpunon ngushtësisht edhe me drejtuesin e zogistëve Abaz Kupi, Kapedanin e Mirditës Gjon Marka Gjoni dhe me udhëheqësin dibran Fiqiri Dine. Të gjithë së bashku kanë lidhur një pakt antikomunist. Nga ana tjetër, Kryeministri shumë i dobët e tepër i sëmurë Regjep Mitrovica nuk mund të qëndrojë më në detyrë. Ka gjithashtu një lëvizje të fortë kundër Ministrit të Brendshëm Xhafer Deva…”. Pak ditë më vonë, Rexhep Mitrovica do të jepte dorëheqjen dhe pas tij, edhe Xhafer Deva. Më 18 korrik 1944 u krijua kabineti i ri qeveritar me Kryeministër Fiqiri Dinen. Mehdi Frashëri si kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës nuk u konsultua dhe nuk vuri aspak në dijeni mbi këto zhvillime autoritetet gjermane. I indinjuar nga ky veprim, më 21 korrik 1944 Neubacher do të merrte në telefon ambasadorin gjerman në Tiranë Schliep, duke theksuar se “pa Wehrmachtin nuk do të kishte një shtet të ri shqiptar dhe se me krijimin e Kabinetit të Ri nuk mund të vihej Rajhu para faktit të kryer. Pa mbështetjen gjermane, asnjë qeveri shqiptare nuk do të kishte autoritet, mundësi e aftësi për ushtrimin e funksioneve”. Në këto kushte, vetëm pas rreth një muaji, më 29 gusht 1944, Fiqiri Dine do të jepte dorëheqjen. Pas tij, më 6 shtator 1944 do të krijohej sërish një Kabinet i Ri, me Kryeministër Ibrahim Bej Biçakun. Atij s’i mbetej gjë tjetër veçse të vepronte si “Likuidatori i një shoqërie tregtare të falimentuar” (konkurs Verwalters). “Shqipëria e Re” nuk mund të qeverisej më…
/Gazeta Panorama
© Panorama.al










