Moxhi: Ja si më ktheu Bogdani në futboll

Jun 2, 2012 | 14:36
Luçiano dhe Alesandro Moxhi

Alesandro Moxhi është sërish në krye të menaxherëve në futbollin italian falë Erjon Bogdanit. Në një intervistë për mediat italiane, ai ka treguar telefonatën që sulmuesi shqiptar i kishte bërë në momentin më të vështirë, pas ‘Calciopoli’-t, kur Moxhi ishte braktisur nga të gjithë.
“Jam ndier jashtëzakonisht keq në momentin pas ‘Calciopoli’-t. Por duhet ta pranoj se profesionalisht kam pasur edhe momente ku jam ndier jo vetëm i vlerësuar, por në ‘qiellin e  shtatë’ moralisht. Pas ‘Calciopoli’-t unë ndërpreva totalisht aktivitetin tim si menaxher futbollistësh. Nga muaji maj deri në fund të korrikut thuajse u zhduka nga qarkullimi, tamam si një gjinekolog, i cili një javë para se të presë lindjen e një fëmije zhduket. Pastaj, një ditë të bukur të fund-korrikut edhe pse krenaria nuk më linte rehat, i telefonova Erjon Bogdanit dhe i thashë: është e vërtetë që do takohesh me drejtuesit e Udinezes? Më tha që po, do takohej, dhe se më kishte kërkuar por nuk kishte pasur asnjë mundësi për të më kapur në telefon. Në atë moment i thashë vetëm se do rinisja punën time si menaxher dhe e përshëndeta e me aq e mbylla telefonatën. Por pas pak ai më telefonoi duke më kërkuar të jem unë personi që do të futesha në tratativa me Udinezen. Ishte një gjest i jashtëzakonshëm besnikërie, i cili më bëri shumë krenar dhe më dha stimuj për t’iu rifutur punës sime si menaxher. Kështu që nga ai moment mora bllokun e telefonatave dhe nisa t’u telefonoj të gjithë atyre lojtarëve që i kisha pasur para se të niste ‘Calciopoli’”, tregon Moxhi. Pas skandalit që plasi në 2006-n në Itali, ku u implikua direkt Luçiano Moxhi (babai i Alesandro Moxhit), Prokuroria e Romës ngriti një sërë akuzash si për të atin dhe për të birin, kjo për faktin se i pari kishte ndikuar te arbitrat teksa ishte drejtor i Juventusit, ndërsa i biri për disa “kërcënime” në tratativat që kishte bërë në të shkuarën mes klubeve dhe lojtarëve që ai kishte si pjesë të kompanisë së tij të menaxhimit. Kështu, pas tri vitesh hetime dhe seancash gjyqësore, gjykata dënoi dy vjet burg me kusht Alesandro Moxhin dhe nga vera e 2011-s ky i fundit i është rifutur punës së tij si menaxher. “Sot e ndiej të falënderoj pa masë një sërë lojtarësh të cilët, përpos problemeve me gjykatat, nuk revokuan kontratat që kishin me mua. Janë shumë, duke filluar që nga Bogdani, i pari te Kaseti, Legrotalie, Liverani, Noçerino, e shumë të tjerë që më vjen keq por nuk mund t’i citoj një për një të gjithë”, ka përfunduar Moxhi.

Nojer: Bajern i sjell kupën Gjermanisë
Portieri Manuel Nojer ka mbetur shumë i kënaqur me fitoren 2-0 kundër Izraelit në Lajpcig. Duke qenë se trajneri Lëv u ka dhënë prioritet shtatë lojtarëve të Bajernit, përveç Shvajnshtaigerit që ishte i dëmtuar, gardiani numër 1 i Gjermanisë, Nojer, flet se bavarezët janë të karikuar për t’i dhënë lavdinë e duhur kombëtares. “Më vjen mirë që kombëtarja reflektoi saktë kundër Izraelit. Fitorja ishte e domosdoshme pas humbjes ndaj Zvicrës.  Sakaq, ne lojtarët e Bajernit edhe pse humbëm një finale, jemi të karikuar për ta risjellë lavdinë në Gjermani”, tha portieri.

4 kosovarë bëhen “shqiptarë”
Shpend Matoshi, Leotrim Gashi, Gjelbërim Taipi dhe Etrit Berisha janë përfundimisht edhe nënshtetas shqiptarë. Pas dekretimit të djeshëm nga presidenti i vendit, z.Bamir Topi, katër lojtarë kosovarë mund të luajnë pa problem në të ardhmen për Kombëtaren shqiptare. Tre të parët: Shpend Matoshi, Leotrim Gashi dhe Gjelbërim Taipi janë ende pjesë e ekipit Shpresa dhe pritet që në datë 4 të jenë pjesë e kësaj skuadre për ndeshjen ndaj Portugalisë. Sigurisht këtu do ndërhyjë edhe federata për t’u bërë urgjent (brenda 2 ditëve) pasaportat këtyre lojtarëve. Ndërkaq nuk ka problem për portierin Berisha, i cili me Kombëtaren A pritet të grumbullohet për miqësoren e 15 gushtit ndaj Moldavisë.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura