Moti i keq zhvendos fjalimin e Obamës, Mishel triumfuese

Sep 6, 2012 | 11:46

Konventa Demokrate, sot Presidenti Obama do të mbajë fjalimin e nominimit.

Parashikimet për një mot të keq në Karo-linën e Veriut të enjten kanë detyruar organizatorët e Konventës Kombëtare Demokrate në SHBA që ta zhvendosin fjalimin përmbyllës të Presidentit Obama nga stadiumi në ambiente në mbyllura. Lajmi ka mërzitur shumë mbështetës demokratë. Organizatorët prisnin që në stadium do të mund të akomodoheshin rreth 65 mijë veta për të dëgjuar Presidentin kur të pranojë kandidaturën për garën e mandatit të ri, përfshirë edhe shumë të interesuar nga shtete ende të pavendosura. Por e enjtja është parashikuar me bubullima dhe vetëtima të forta. Pas hapjes së konventës, të gjithë flasin për Zonjën e Parë. Fjalimi i Mishel Obamës në hapjen e Konventës së Demokratëve për riemërimin e bashkëshortit të saj si garuesi i demokratëve për zgjedhjet e 6 nëntorit, i ka prekur të gjithë. Analistët në media vlerësojnë se pas atij fjalimi, do të duhet të kalojë shumë kohë që dikush ta cilësojë Zonjën e Parë si agresive, siç ka ndodhur më parë në media. Mishel tha se bashkëshorti i saj është përfaqësues i ëndrrës amerikane. Ajo ka folur për jetën e tyre të rinj, kryesisht të tij, 23 vite më parë. Mishel tregoi se kur takoheshin si të dashuruar ata dilnin me një makinë aq të ndryshkur, sa mund të shihte rrugën nga vrimat e dyshemesë. “Të vetmet këpucë të mira që ai kishte, ishin gjysmë numri më të vogla”, tha ajo duke marrë duartrokitje e buzëqeshje nga salla. “Edhe pse kemi filluar me pak, ne gjithnjë kemi besuar se fëmijëve tanë do t’u japim më shumë”, tha ajo. “Besoni sërish te Barak Obama! Ai beson te ëndrra amerikane, sepse e ka jetuar. Ai beson se ajo mund të realizohet pavarësisht vështirësive”, tha Mishel në podiumin e Konventës në Sharlot. “Amerika ka ende nevojë për Obamën, nuk jua them këtë si Zonjë e Parë, por si nënë. Ai na duhet për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha ajo. Fjalimi i Mishel Obamës është cilësuar nga mediat si një triumf i vërtetë.

Obama e ndoqi nga shtëpia
Presidenti Obama nuk ka qenë i pranishëm në Sharlot të Karolinës së Veriut. Sipas mediave amerikane, ai e ka ndjekur fjalimin  gruas së tij nga Shtëpia e bardhë, së bashku me dy vajzat, të ulur që të tre në divan. Presidenti amerikan pritet të vizitojë sot Konventën, ku do të mbajë edhe fjalimin përmbyllës të saj.

© Panorama.al

Te lidhura