
Moti i keq përfshiu dje të gjithë rajonin e Vlorës, duke sjellë vështirësi sidomos brenda qytetit. Si pasojë e bllokimit të hidrovoreve, uji në mjaft zona arriti deri në 40 cm, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e qytetarëve, por edhe të mjeteve. Zonat e përmbytura nga reshjet që ranë përgjatë të gjithë natës dhe ditës së djeshme, janë akse brenda qytetit si ajo tek vendi i quajtur “Albano e Romina”, rruga në lagjen “Cole”, “Fabrika e orizit”, si dhe rruga “24 Maji”. Këto zona janë bllokuar për disa orë, deri në ndërhyrjen e Bashkisë. Punonjës të Ndërmarrjes së Kanalizimeve thanë se përmbytjet në disa rrugë kryesore të qytetit kanë ardhur si pasojë e mosfunksionimit të hidrovoreve. Kjo për shkak të bllokimit të tyre me mbetje të ndryshme, përfshirë edhe ato plastike. Reshjet e dendura shkaktuan probleme edhe në Elbasan. Vështirësi pati në aksin Elbasan–Peqin, ndërsa në vendin e quajtur Paulesh u bllokua qarkullimi i mjeteve. E njëjta situatë edhe në segmentin Elbasan–Librazhd. Ndërsa në lagjen periferike të Elbasanit, “Fushë- Mbret”, gjatë mëngjesit, si rezultat i vërshimit të ujit në rrugë janë përmbytur disa banesa. Edhe Durrësi është përfshirë dje nga reshje të dendura e erë e fortë. Për këtë shkak, brenda në qytet ka pasur probleme pasi rrugët janë mbuluar nga ujërat. Në det të hapur dallgët kanë arritur deri në 6 ballë. Tragetet e linjave Durrës-Bari, Durrës-Trieste dhe Durrës-Ankona do të nisen për në drejtim të Italisë vetëm kur të kenë mbërritur tri tragetet që janë nisur për në Durrës dhe ndodhen në det të hapur. Për shkak të kohës së keqe, mendohet se tragetet e nisura nga portet italiane të mbërrijnë në orët e para të ditës së sotme. Në qarkun e Korçës, në shumicën e akseve dje u shënuan probleme në qarkullim nga reshjet e dëborës dhe ngricat. Ndërkaq, një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ndodhi në afërsi te Milotit, kur automjeti tip “Honda” që drejtohej nga viktima, Aleksandër Koka, është përplasur me një tjetër automjet tip “Mercedes”. Përplasja e fortë e dy mjeteve të përfshira në aksident i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme Kokës, ndërsa mbetën të plagosur pasagjerët e tij.











