Ish-kryepolici Mit’hat Havari tha sot në “Oponencë” se zv/kryeministrja Belinda Balluku nuk duhet të mbrohet nga qeveria dhe drejtësia të lihet që të bëjë punën e saj.
Ai i sugjeroi gjithashtu kryeministrit Edi Rama, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë kohës së pastrimit të Lanës mbi dy dekada më parë nga ndërtimet pa leje, kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës, se duhet të dalë e t’i thotë shqiptarëve se “nuk është çështje e tij, por e drejtësisë”.
Havari e ilustroi komentin e tij për këtë çështje me një rast të një oficeri, ish-drejtor policie që dikur e kishte paralajmëruar që të mos përfshihej në paligjshmëri dhe nuk e kishte marrë në mbrojtje.
“Kam pasur një rast me një oficer, ish-drejtor policie për të cilin kishte informacione se ishte i përfshirë në krim dhe drogë. E thirra dhe i kërkova të zbatonte ligjin. Më tha “Po Ilir Meta?”. Mirë, po e them tani se nuk e kam thënë, i kujtova se mirë nëse ka prova, por ti shiko veten tënde. Puno, zbato ligjin, sepse jeta është e gjatë, unë ia thashë me butësi, sepse ia thashë, kishte informacione për të se ishte i përfshirë në trafik. E paralajmërova dhe e këshillova në atë kohë, nuk më dëgjoi dhe sot është në burg, u arrestua për drogë”, tha ish-kryepolici për “News 24”.
Më tej ai vuri në dukje se kështu duhet të veprohet edhe me zyrtarët dhe policët e tjerë, të mos mbrohen, të këshillohen që të zbatojnë ligjin dhe nëse drejtësia merr një vendim ndaj tyre, ai duhet të zbatohet, qoftë edhe zv/kryeministrja Balluku.
“Nëse GJKKO vendos pezullim nga detyra për një polic apo zyrtar, të nesërmen duhet të largohet menjëherë nga detyra dhe ai duhet ta bëjë (kryeministri). Ka djem dhe vajza të mira plot. Enden rrugëve të botës, doktorë, profesorë. E kam fjalën për kryeministrin, se duhet të dalë e t’ua thotë shqiptarëve që s’është çështja e tij por e drejtësisë. E kam fjalën edhe për atë vajzën, për Ballukun”, u shpreh ai.
Në fund Havari shpjegoi se e këshillonte kryeministrin që të mos e mbronte zëvendësen e tij dhe të lejohej zbatimi i ligjit, teksa apeloi se ka shumë vajza dhe djem të rinj të aftë, që enden rrugëve të botës dhe që janë profesionistë të ndershëm që mund të punojnë në Shqipëri.
“Edhe Rama duhet të dalë të flasë e të thotë për median e qytetarët, që nuk është çështja e tij por e drejtësisë. Ka djem dhe vajza plot, nëse drejtësia jep një vendim, qofshin ministra e zëvendëskryeministra, vendimi zbatohet. Nuk duhet të mbrohet zonja Balluku, kur shohim se kemi shumë probleme, varfëri ekstreme, largimet e shqiptarëve, gjendja ekonomike dhe të tjera”, tha ish-kryepolici, duke theksuar se situata në vend ka shumë problematika sociale, sigurie dhe ekonomike.
Havari kujtoi për ish-drejtorin e policisë që u emërua në Vlorë në atë kohë, duke thënë se ka shumë raste ku policët përfshihen në krim apo dekonspirojnë operacionet.
Ai shprehu shumë rezerva edhe për mënyrën se si funksionon Policia, pasi shpesh sillen personazhe që e shkatërrojnë punën që është ngritur.
“Sot ai është në burg dhe ju them se emërimet e drejtuesve të policisë janë politike. Sot janë të pashkolluar, pa kulturë, pa njohuri dhe shumë të dobët. Këtu çalon puna. Struktura e policisë është prishur, më është dashur 1 vit që ajo mënyrë e të punuarit shëndetshëm të rezistonte 3 vjet dhe ata sjellin një personazh që e shkatërron. Situata kaotike politike shkak. Kam këshilluar një drejtor policie, më erdhi një informacion nga strukturat shtetërore, i thashë të largohet s’më dëgjoi. Sapo erdhi e majta e rehabilituan dhe e dërguan në Vlorë, atje u mor me trafikun dhe sot është në burg”, tha Havari.
© Panorama.al












