Zgjedhja e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka përfunduar me padi në Gjykatën Administrative.
Është zyrtari i Policisë, Gentian Ndoi, një prej kandidatëve, që kundërshton procedurën e fazës së përzgjedhjes dhe shpalljes fitues të Joni Ketës.
Ai pretendon se ka marrë më shumë pikë në konkurs dhe duhet të ishte drejtori i BKH-së.
Në Gjykatën Administrative është shqyrtuar ditën e sotme (26 mars) edhe kërkesa e zyrtarit të Policisë, Gentian Ndoi, i cili kërkon shfuqizimin e shkresës dhe raportit të dërguar nga Komisioni i Përzgjedhjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në bazë të të cilit rekomandohej Keta si kandidat për Drejtor të BKH-së me argumentin se këto janë akte të marra në kundërshtim me ligjin dhe duhet të shpallen të pa vlefshme.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet në fillim të muajit prill.
Joni Keta u zgjodh me shumicë votash nga Komisioni i SPAK-ut (foto kryesore).
Ndoi i cili ishte një nga kandidatët në garë, kërkon gjithashtu që gjykata të detyrojë Komisionin e Përzgjedhjes të përcjellë për emërim kandidatin që ka marrë më shumë pikë në garën e zhvilluar, i cili është ai.
Po ashtu, Ndoi kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të bëjë emërimin e tij si Drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe që BKH të nisë pagesën e pagës për këtë pozicion nga muaji dhjetor e në vazhdim.
© Panorama.al












