Marrëveshja me SHBA-në, Opozita: Jemi pro, por kundërshtojmë mënyrën sesi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament

Jul 27, 2026 | 12:55

Grupet parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe Aleancës për Ndryshim kanë deklaruar se mbështesin në parim marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake, por kundërshtojnë procedurën e ndjekur nga qeveria për miratimin e saj në Kuvend.

opozita ne parlament (2)

Në deklaratë thuhet se opozita ka propozuar që Kuvendi të miratojë sot procedurën e përshpejtuar, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes të zhvillohet në një seancë të posaçme të premten, pasi deputetët të kenë pasur mundësinë të njihen me përmbajtjen e dokumentit. Sipas saj, grupet parlamentare të opozitës kanë garantuar pjesëmarrjen dhe votën pro për marrëveshjen.

Opozita pretendon se marrëveshja është miratuar në parim nga qeveria më 19 qershor 2026 dhe se ekzekutivi ka pasur pesë javë kohë për ta dërguar për ratifikim në Kuvend, duke argumentuar se nuk ekziston një situatë emergjente që justifikon procedurën e ndjekur.

Deklarata: 

Opozita: Po marrëveshjes me SHBA! Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament!

– Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

– Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë

– Grupi Parlamentar Alenaca për Ndryshim

Ky është qëndrimi i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh që Shqipëria merr nga SHBA për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake.

Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, por, siç bën me çdo gjë që ka lidhje me SHBA, Edi Rama po bën pis edhe këtë marrëveshje, duke kërkuar që Kuvendi të shkelë Kushtetutën për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij.

Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë.

Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën.

Partia Demokratike e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Ne e pranojmë këtë marrëveshje në parim, por nuk do të pranojmë kurrë që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të përdoren si justifikim për të shkelur Kushtetutën.

Aleanca me SHBA forcohet duke respektuar ligjin, jo duke e shkelur atë. Ne na duhet standardi i anëtarëve të Kongresit amerikan, jo standardi i Taulant Ballës dhe Edi Ramës.

Me qëllim që të zbatohet Kushtetuta, kemi propozuar që sot sëbashku të miratojmë shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar, të marrim marrëveshjen për ta shqyrtuar duke garantuat mospublikimin, dhe kemi propozuar që miratimi të bëhet të premten, ku grupet tona parlamentare garantuan prezencën e tyre dhe voton pro marrëveshjes. Kryetari i Kuvendit ra në parim dakord dhe më pas kjo u pengua nga Edi Rama.

Por Edi Rama e ka zeruar Kushtetutën dhe Parlamentin. Qëllimi i tij është të poshtëroje institucionet e vendit. Është fakt që Qeveria e ka miratuar marrëveshjen në parim në datën 19 Qershor 2026 dhe ka patur 5 javë kohë për ta sjell për ratifikim në Kuvend.

Ne i qëndrojmë propozimit tonë konstruktiv që deputetëve tu jepet mundësia të njihen me marrëveshjen dhe miratimi i saj të bëhet në një seancë plenare të posaçme ditën e premte të kësaj jave.

Pse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet e vendit, nga parlamenti, nga qeveria, flamurin e NATO-s.

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet.

© Panorama.al

Te lidhura