
Por, duke u bazuar te shifrat dhe statistikat e pasimeve në 17 ndeshjet e para, i vetmi që ka rivalizuar bavarezët ka qenë për çudi qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj. Shtatlarti kuqezi i Këlnit ka shkëlqyer në aspektin e pasimeve, duke iu referuar minutave të aktivizuara dhe pasimeve të kryera. Në listën e bërë publike nga Liga gjermane, mbrojtësi shqiptar renditet i gjashti me 88.60 % të pasimeve të sakta, që i korrespondon 342 pasimeve. Në 10-shen e parë bëjnë pjesë 8 lojtarë të Bajernit, Mavraj dhe Luis Gustavo në vendin e nëntë. Në krye të kësaj liste renditet braziliani Dante me 90.33 %, që i korrespondon 1065 pasimeve. Mërgim Mavraj është shndërruar në një lider të padiskutueshëm në repartin e mbrojtjes së përfaqësueses shqiptare. Së bashku me Canën, ai i ka dhënë stabilitet prapavijës kuqezi, duke ofruar siguri dhe potencë. Ai ka luajtur gjithsej 21 ndeshje me Shqipërinë dhe është zëvendësuar në vetëm njërën prej tyre. 28-vjeçari është cilësuar nga Lorik Cana si pasardhësi ideal për të mbajtur shiritin e kapitenit. Mavraj këtë sezon e pati të vështirë te Këlni, por më pas arriti të fitojë hapësira duke u aktivizuar gjithsej në tetë ndeshje.
Abrashi
Drejtori sportiv i Grasshoperit, Aksel Thoma, ka deklaruar se klubi po bën gjithçka për të rinovuar kontratën me mesfushorin Amir Abrashi, por deri tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim pozitiv. “Shanset që Abrashi të qëndrojë me ne janë të mira, por lojtari duhet të ulë disi kërkesat e tij. Sigurisht, nëse largohet ai nuk është se nuk dobësohemi, por do të përpiqemi ta zëvendësojmë sa më mirë”, është shprehur drejtuesi i lartë i klubit një ditë më parë. Abrashit i skadon kontrata me Grasshoperin në fund të këtij sezoni dhe krerët e klubit po përpiqen ta bindin që të rinovojë edhe për dy vite.
Kategoria superiore
Futbollisti Klubi Saktësia Pasime
1. Dante (B.Mynih) 90.33 % 1065
2. Ksabi Alonso (B.Mynih) 90.03 1554
3. Mehdi Benatia (B.Mynih) 89.75 517
4. David Alaba (B.Mynih) 89.66 754
5. Filip Lahm (B.Mynih) 88.65 749
6. Mërgim Mavraj (Këln) 88.60 342
7. Rafinja (B.Mynih) 88.58 963
8. Huan Bernat (B.Mynih) 88.43 925
9. Luiz Gustavo (Volfsburg) 87.56 821
10. Mario Gëce (B.Mynih) 86.74 671
ENIAR IBRO











