Monika Kryemadhi reagon pas shtyrjes së seancës për çështjen e Ilir Metës: Ne vazhdojmë të jemi në hetim paraprak

Oct 28, 2025 | 11:21

Ish-bashkëshortja e Ilir Metës, njeheresh ish kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi ka reaguar për mediat, pas shtyrjes së seancës ndaj saj dhe Presidentit e PL në GJKKO.
monika kryemadhi spak (7)

Seanca ndaj Ilir Metës u shty sot sërish për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit, ndërkohë mësohet se SPAK ka sjellë edhe prova të reja.

Kryemadhi tha për mediat se shtyrja e seancës është qesharake dhe e dhimbshme.

Monika Kryemadhi shpjegoi se ajo vetë, Ilir Meta, nëna e saj Fatime Kryemadhi dhe personat e tjerë të përfshirë në dosje vazhdojnë të jenë në hetim paraprak, pasi Prokuroria nuk ka mbyllur hetimet ndaj tyre.

“Siç e tha edhe avokati, që vazhdon hetimi dhe në qoftë se dosja hetimore duhet të ishte mbyllur më 27 korrik. Prokuroria vazhdon heton thërret dëshmitarët, merr letër porosi. Pra do të thotë se hetimi për zotin Meta, Monika Kryemadhin, mamanë time dhe të tjerët nuk paska mbaruar por vazhdon. Kjo do të thotë që ne vazhdojmë jemi në hetim paraprak”, u shpreh ajo.

Monika Kryemadhi: Është sa e dhimbshme por edhe qesharake, që normal që sot ne jemi në këtë standart për shkak të asaj gjëje që ndodh edhe sot në këtë Gjykatë edhe në sistemin tonë të drejtësisë. Siç e tha edhe avokati, që vazhdon hetimi dhe në qoftë se dosja hetimore duhet të ishte mbyllur më 27 korrik, Prokuroria vazhdon heton thërret dëshmitarët, merr letër porosi. Pra do të thotë se hetimi për zotin Meta, Monika Kryemadhin, mamanë time dhe të tjerët nuk paska mbaruar por vazhdon. Kjo do të thotë që ne vazhdojmë jemi në hetim paraprak.

Lexo edhe: VIDEO- Letërporosi nga SHBA për Ilir Metën, avokati: Nuk na shqetëson kjo, por…! Beteja jonë tashmë me gjyqtaren

Lexo edhe: Shtyhet seanca për Ilir Metën, SPAK ka sjellë prova të reja! Avokati sqaron arsyet

Kujtojmë se më 29 gusht SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme dosjen e presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhit dhe tre personave të tjerë të përfshirë në çështjen që rëndon ndaj tyre, Pirro Xhixho, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, më 29.08.2025  dërgoi për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 55/2019, në ngarkim të të pandehurve:

Ilir Meta, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Monika Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në dy raste të kryera në bashkëpunim,“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim , “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.

Pirro Xhixho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.

Ema Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Fatime Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.

© Panorama.al

Te lidhura