Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se referendumi për miratimin e reformës në sistemin gjyqësor, i cili u votua sot nga parlamenti italian, nuk do të ketë karakter politik, por do të fokusohet vetëm te drejtësia.
“Referendumi nuk është politik, por lidhet me mënyrën se si funksionon drejtësia. Në çdo rast, qeveria nuk do të ketë pasoja, sepse do të kërkojmë të gjykohemi nga qytetarët në fund të mandatit tonë pesëvjeçar, për punën e bërë në tërësi,” tha Meloni në një intervistë për televizionin publik RAI.
Ajo shtoi se ligjet që janë pjesë e Kushtetutës mbeten dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve:
“Kush mendon se drejtësia funksionon mirë, do të votojë ‘jo’. Kush beson se mund të përmirësohet, do të votojë ‘po’,” theksoi kryeministrja.
Meloni konfirmoi gjithashtu se, pavarësisht vendimit negativ të Gjykatës së Llogarive të Italisë, qeveria e saj do të vazhdojë projektin për ndërtimin e urës që do të lidhë Siçilinë me Italinë kontinentale, të cilën ajo e quajti “një projekt strategjik dhe unik në nivel botëror”.
“Ne jemi trashëgimtarë të një qytetërimi që mahniti botën me urat e tij. Nuk mund të pranojmë që sot të mos e bëjmë dot për shkak të burokracisë,” u shpreh Meloni.
Në të njëjtën intervistë, kryeministrja italiane njoftoi se bankat dhe kompanitë e sigurimeve do të kontribuojnë me rreth 4.5 miliardë euro në buxhetin publik. Ajo shtoi gjithashtu se rritja e taksave për qiratë afatshkurtra ka si synim rritjen e numrit të banesave të disponueshme për familjet italiane.
Sipas ministrit italian të Drejtësisë, Carlo Nordio, referendumi për reformën në drejtësi pritet të mbahet në mars ose prill të vitit 2026.
© Panorama.al












