NGA EDISON YPI 
Po përhapen metastazat e një turpi turistik sikur restorantet, hotelet, bujtinat, madje dhe vendet historike, kështjellat, kishat, manastiret, nuk janë llaç e tulla, kambanore, mure me myshqe, por fiq, që langaraqët që u kanë rënë në dorë ca pare dhe s’dinë si t’i prishin, të mos lodhen të zbresin nga makina, të mos mundohen ta zgjasin dorën, madje as t’i kafshojnë apo bluajnë, por, pa zbritur nga makina, t’u bjerë fiku drejt e në gojë dhe shakaxhiu i udhëtimeve vetëm ta hajë.
Përgjatë rrugës së vjetër për Pogradec, serpentinat e Pishkashit, Prrenjasi, Qafë-Thana, buza e Liqerit, restorantet, hotelet, bujtinat, ashtu janë, si fiq që varen nga degët e përtej gardhit. Ku s’ke pse lodhesh t’i gjesh ku janë e të shkosh t’i këpusësh. S’duhet lodhur mendja për të tilla vogëlsira. Mendja duhet ruajtur për të sajuar rrena gjatë gjumit dhe thurur intriga gjatë ngrënies së fiqve.
Për fat, rruga e re Qukës-Qafë Plloçë nuk është e tillë, pra e këndshme sepse është kollajshme. Përgjatë rrugës së re nuk ka, dhe shyqyr që s’ka, dhe kurrë mos pastë, hotele dhe restorante.
Mokra nuk është kokërr fiku ta hajë dembeli, paraziti, hileqari.
Mokra është plot me histori rrënqethëse, dëshmi monumentale, pyje, ujëra dehës. Mokra është ndër vendet më të bukura dhe më mahnitëse të planetit.
Pat’ thënë Konica: Ujërat e krojeve të Mokrës kanë secili shijen e vet. Mokrarët i shijojnë ato ujëra si parizienët verërat. Krojet e Mokrës kanë gjini. Ca janë meshkuj, ca janë femra. Ca të tjerë s’dihet cilës gjinie i përkasin.
Para do kohe po arratisesha te Manastiri i Shën Marenës. Në të dalë të Trebinjës, te një katund i vogël i quajtur Pevelan, te një krua rrëzë gardhit të një shtëpie, takoj një çun me emër presidenti. Donald e quanin atë çunin. Donaldi që nëse ende s’është arratisur në USA a në Kanada, a gjetkë, është këtu, dyshimtarët mund ta kontaktojnë, më rrëfeu këtë mesele frymëndalëse:
Familja e Donaldit ishte e vetmja familje kristiane në Pevelan. Babai i gjyshit të Donaldit kishte zbritur nga Potkozhani dhe kishte ndërtuar shtëpi aty, tek ajo rrëzë, tek ai krua, ai gardh, ai përrua. E di pse? Jo, nuk e di, ma thuaj. Sepse ishte dashuruar me atë krua-femër, me ujin e atij kroi rrëzë atij gardhi, pranë atij përroi. Konica, pra, nuk kishte lajthitur aspak!
E provova ujin e atij kroi. Nuk më pëlqeu. Por duke përfytyruar ndërrimin e pandalur të rrjedhave të ujërave të nëndheshëm, as nuk u mërzita. Përkundrazi, nga kombinacionet e pafundme të shijeve dhe gjinive të ujërave, rrjedhave, kriprave, mineraleve, u entuziazmova. Të dalë ndonjë kimist, ujolog a hidrolog, t’i studiojë ato ujëra. Ta bëjë Mokrën të parin atraksion turistik në botë të ujërave si verëra.
Toponimet e lashta, Llëngë, Zgallo, Jollë, Laktesh, e të tjera e të tjera janë edhe ato një atraksion më vete. Ju shtofshin milionat e eurove Xhozit & Co. Nuk ua ka kush zili. Problemi është gjetkë. Çudi si nuk doli ndonjë prift i Vatikanit nga ata me mjekër të bardhë deri në tokë, t’u thoshte dasmorëve:
Hey shqipo, mund ta bënit dasmën më gjigante, më të paharrueshme, madje historike. Por harruat atë meselenë e atij zengjinit fisnik, atij kripë e zemër, atij që vajti u kërkoi komshinjve fukarenj një filxhan kripë. Jo se kishte mbetur pa kripë, por për t’u kujtuar se sa kohë jemi të gjithë vdekëtarë, jemi edhe të gjithë nevojtarë. Si dhe harruan proverbin shqiptar: “Dasma e rëndë në kalanë e vet”. Shqipëria është plot me kisha e manastire të magjishme. Jo në Romë o të uruar, jo. Në Rozafë! S’ka në Romë, as kurrkund në botë minare të ngritur mbi kumbanaren e shembur. S’ka më historike, më interesante, se Rozafa e legjendës së sakrificës së ndërtimit. Atje duhej bërë dasma. Atje do tundej dheu. Atje do habitej qielli. Në mos në Rozafë, për të dëshmuar bashkëjetesën paqësore mes katolicizmit dhe ortodoksisë, pse jo te manastiri magjepsës i Shën Marenës në Mokër?
Kisha, manastire, Rruga Egnatia ku kaluan ushtri, mbretër, perandorë, varre të lashtë, vendbanime ilire, Viti i Mbrapshtë u konsumua pothuajse i tëri këtu e të tjera e të tjera, Mokra turistike është absolutisht marramendëse. Secila rrugë sharmin e vet. Kush nuk do të besojë se Konica ishte i vetmi mendimtar në botë, kalon nga rruga e vjetër. Kujt nuk i rezulton se Lasgushi, Liqeri, Pogradeci janë, respektivisht, i vetmi Poet kozmik, i vetmi Liqer mahnitës, i vetmi qytet ëndrrash, kalon nga rruga e re. Gjithashtu, kush e ka të qartë se Mokra nuk është koqe fiku ta hanë dembelët e Stambollit, por vend për arrati të trupit dhe trurit, dhe dëshiron të mallëngjehet, pse jo dhe të qajë, me historitë tmerruese të arratisjeve të vllehëve nëpër malet dhe kanionet e Mokrës, kalon nëpër rrugën e re.
Ata që qefin e kolovitjeve nëpër kthesat e Qafë-Thanës e vënë mbi historinë dhe monumentet, meritojnë zvarritjet mbi rrugën e vjetër. Kot ka mbetur ajo “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Në fakt, të gjitha rrugët të çojnë në Mokër.
Nga Guri i Kamjes nëpër një rrugë mes pyjeve që e di vetëm unë dhe askush tjetër, shkon në Mokër. Nisu nga Kodovjati i Gramshit, therja përpjetë për te Liqenet e Lukovës dhe je në Mokër. Nga Zavalina mes maleve ka një rrugë që të shpie në Mokër. Edhe nga Gjinari ka rrugë për të dalë në Mokër duke kaluar nëpër Stravanj. Nga Poroçani shkohet në Mokër. Vërdovë e përpjetë te Varri i Grekut ke kapur qiellin, domethënë Mokrën. Për këto dhe një mijë arsye të tjera, duke i lënë në bisht shoqet e saja, Korçën, Kolonjën, Vjosën, Vjenën, Shkodrën, Zadrimën, Pukën, Mirditën, Prishtinën, Mokra është më tundonjësja, më afashinantja, më e magjishmja, e të gjithave. Mokra ku historia shkelet me këmbë, është më e bukur edhe se Roma ku historia preket me duar.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











