Moisiu: Kushtetuta po bëhet si një leckë

Jul 21, 2012 | 12:08
Alfred Moisiu

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, deklaroi dje se ndryshimet Kushtetuese për heqjen e imunitetit duhet të shtyhen në kohë dhe me parë ato të marrin dhe pëlqimin e qytetarëve. Në tryezën e “Forumit Civil 2010”, Moisiu deklaroi se ndryshimet në librin themeltar të shtetit duhet të jenë pjesë e një debati të gjerë, duke shmangur në këtë mënyrë ndryshimet e nxituara si në vitin 2008. Për Moisiun, “Kushtetuta po kthehet gati një leckë që me të mund të bëhet çdo gjë dhe kur të duash, dhe kjo ndodh në një kohë kur ka kritika si nga opinioni publik vendor dhe ndërkombëtar, që ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të bëhen të matura dhe të studiuara, pa u ngutur, kritika këto të pranuara edhe nga studiuesit, intelektualët dhe persona të rretheve të interesuara”. Ish-kreu i shtetit e konsideron si të rëndësishme se ndryshimet kushtetuese duhet të ndërmerren në formën e një pakete, dhe ato duhet të korrigjojnë të gjitha mangësitë e hasura ndër vite, duke filluar që nga zgjedhja e Presidentit. “Kështu pra, nëse do të arrihet në përfundimin se duhet ndërhyrë në Kushtetutë, atëherë duhen parë të gjitha çështjet që duhet t’u nënshtrohen ndryshimeve përkatëse. Dhe të tilla ka. Unë po përmend vetëm ndonjë. Forumi me kohë ka ngritur problemin e zgjedhjes së Presidentit në vendin tonë. Aktualisht, sikurse treguan dhe zhvillimet e fundit, nisur nga niveli i demokracisë në vendin tonë, këto zgjedhje u kthyen në një pazar të pahijshëm politik, pavarësisht nga këshillat e ndërkombëtarëve, reagimi i inteligjencës dhe i shumicës së opinionit publik shqiptar”, deklaroi Moisiu.

© Panorama.al

Te lidhura