MMA synon Lojërat Olimpike, bën dhuratë konjak me vlerë 82 mijë dollarë

Jul 17, 2026 | 16:58

Komiteti organizator i Lojërave Olimpike “Brisbane 2032” ka refuzuar dhurata me vlerë mbi 84 mijë dollarë të ofruara nga Federata Ndërkombëtare e Arteve Marciale Mikse (FIMMA), organizatë që synon përfshirjen e MMAsë në Lojërat Olimpike të vitit 2032.

Screenshot 2026-07-17 154759

Sipas raportimeve, FIMMA u dhuroi zyrtarëve një shishe konjak “Rémy Martin Louis XIII Rare Cask 42.1”, me vlerë 82,270 dollarë, si edhe një dekanter konjaku “Baccarat” me vlerë 2,600 dollarë. Komiteti i ktheu të dyja dhuratat, ndërsa më herët kishte dorëzuar në doganë edhe dy shishe vere me vlerë 20 mijë dollarë.

FIMMA mbrojti veprimin e saj, duke theksuar se “dhuratat për organizatorët janë një gjest mirësjelljeje dhe respekti, në përputhje me praktikën e pranuar ndërkombëtare”. Nga ana tjetër, Komiteti “Brisbane 2032” ritheksoi angazhimin për transparencë dhe integritet, duke deklaruar: “Po organizojmë një nga ngjarjet më të mëdha në botë dhe mbetemi të palëkundur në zbatimin e proceseve të drejta dhe të rregullta”.

Federata Ndërkombëtare e Arteve Marciale Mikse u themelua në Athinë në fund të vitit 2025 dhe synon ta bëjë MMA-në pjesë të programit olimpik, duke promovuar një model qeverisjeje të bazuar në transparencë dhe sigurinë e sportistëve.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura