Mlladiç u tradhtua nga unaza, Gjykata vendosi ekstradimin

May 28, 2011 | 10:05
Ratko Mlladiç, pas arrestimit nga forcat serbe të Sigurisë

“Spiuni” i policisë e kishte njohur Mlladiçin nga unaza e tij me gur të çmuar, të cilën ai nuk e ka hequr për asnjë moment nga dora.Pas identifikimit të unazës thuhet se informatori i ka dërguar lajmin në shërbimet sekrete serbe. Lajmin e dha gazeta kroate, “Jutarnji List” e cila ishte e para që raportoi arrestimin e Mlladiçit online, madje përpara se ta konfirmonte presidenti Tadiç. Mlladiç u arrestua në orën gjashtë të mëngjesit të së enjtes, në fshatin Lazarevo, 80 kilometra larg Beogradit. Dje, gjykata vendosi për ekstradimin e tij në Hagë, me gjithë kundërshtimet e familjes dhe të avokatit me motivim shëndetin e tij të ligë.
Ratko Mlladiç është i shëndetshëm mjaftueshëm për t’u ekstraduar në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë. Vendimi i Gjykatës serbe u mor pas ekzaminimit të Mlladiçit nga një komision mjekësor. Mlladiç ishte me pizhame kur u arrestua në agim nga forcat serbe, pas 16 vitesh kërkimi. Sipas të afërmve të tij, Mlladiç ka kaluar tri parainfarkte gjatë 15 viteve të fundit dhe krahun e djathtë e ka gjysmë të paralizuar, që do të thotë se dikush e ndihmonte të vishej. Familja e Mlladiçit tha se problemet e tij të shëndetit ishin të rënda dhe se ai ishte kaq i paaftë fizikisht, sa mezi mund të flasë. Djali i tij, Darko, tha se “ai është në formë të keqe. Krahu i tij i djathtë është gjysmë i paralizuar, pjesa e djathtë e trupit është pjesërisht e ngrirë. Ne jemi pothuajse të sigurt se ai nuk mund të ekstradohet në kushte të tilla”. Por ka pasur dyshime se gjendja e tij ishte ekzagjeruar në mënyrë për të evituar ekstradimin. Maja Kovaçeviç, gjykatësja e krimeve të luftës në Serbi, tha se komisioni mjekësor vendosi se gjendja e tij nuk është e rëndë sa për të mos lejuar ekstradimin. Mlladiç pritet të ekstradohet brenda tetë ditëve të ardhshme. Zyrtarët serbë thanë se letrat e ekstradimit mund të firmosen të martën. Ultranacionalisti 69-vjeçar njihet si përgjegjës për masakrën më të madhe në luftërat e Ballkanit. Masakra e Srebrenicës, e cila ishte nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara në atë kohë, u bë turpi dhe dështimi më i madh i trupave të OKB-së, të cilët nuk arritën t’i mbronin banorët. Gjatë marrjes në pyetje Mlladiç ka deklaruar se nuk është fajtor. “Ju e kishit zgjedhur Millosheviçin. I kujt është faji?”, është shprehur ai. Ndërkohë, ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Ratko Mladiç nuk ka përdorur identitet të rremë dhe nuk ka pasur dokumente false.

Ilaçet më të fundit

Ratko Mlladiç përdorte një qese plot me ilaçet më bashkëkohore, shkruan gazeta serbe “Blic”. Ato ilaçe ai nuk ka mundur as t’i kërkojë, as t’i gjejë pa ndihmën e mjekëve. Një tregues se ai ka jetuar normalisht. Mlladiç është vizituar dje nga bashkëshortja dhe avokati, të cilët do të kërkojnë që ai të dërgohet në spital.

Fshati “Mlladiç”

Asnjë nga 3000 banorët e fshatit Lazarevo, 80 km larg Beogradit, nuk pranon ta quajë Mlladiçin kriminel. Ata thanë se ai është një hero dhe kampioni i kauzës serbe. Madje shumë prej tyre sugjeruan që fshati Lazarevo, ku Mlladiç qëndronte në shtëpinë e një kushëriri, të merrte emrin e tij për ta nderuar. Banorët ishin cinikë për motivimin e arrestimit, duke thënë se Mlladiç u ofrua si “sakrificë” për qeverinë serbe dhe hyrjen në BE.

Burg me luleshtrydhe

Gjatë marrjes në pyetje, Mlladiç ka kërkuar t’i sillen luleshtrydhe dhe televizor në dhomë. Sipas “Blic”, kërkesa është përmbushur menjëherë. Sipas mediave serbe, Serbia i ia borxh Mlladiçit 45 mijë euro për pensionin. Që nga janari i vitit 2005 ai nuk e ka marrë pensionin me mesatare 700 euro në muaj. Edhe për ata në kërkim, ligji serb nuk e pezullon pensionin.

© Panorama.al

Te lidhura