
Gjenerali Ratko Mlladiç, i cili para së martës pritet të transferohet në Gjykatën e Hagës, ka deklaruar se nuk ka të bëjë me masakrën e Srebrenicës dhe se ajo është kryer pas shpinës së tij.Djali i tij, i cili e takoi dje, përcolli për mediat mesazhin e të atit. Darko Mlladiç këmbënguli se babai i tij ka shpëtuar mijëra gram, fëmijë dhe luftëtarë dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për masakrën më të madhe në Ballkan, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë. “Çfarëdo që ka ndodhur në Srebrenicë, nuk ka gisht babai im. Ai ka shpëtuar aq shumë gra, fëmijë dhe ushtarë. Urdhri për të ishte të evakuonte fillimisht gratë dhe fëmijët, më pas luftëtarët. Çfarëdo ka ndodhur, është bërë pas shpinës së tij”, tha Darko Mlladiç. Mlladiç deri të enjten është njeriu më i kërkuar për krime lufte në Europë, u arrestua të enjten dhe pritet që të bëjë një apel emocional kundër ekstradimit të tij në Hagë, mbi baza shëndetësore. Ai ka kërkuar gjithashtu të lejohet të vizitojë varrin e vajzës së tij, Ana, e cila u vetëvra në vitin 1994. Avokati i tij tha se gjendja psikologjike e Mlladiçit është e rëndë. “Ai tha se nëse nuk lejohet që të shkojë të varri i së bijës, atëherë ai do që arkivoli i saj t’i sillet në qeli”, tha avokati Milos Saljiç. Familja e tij do të kërkojë një ekzaminimin tjetër mjekësor për të ndaluar ekstradimin e tij në Hagë. Sipas bashkëshortes së tij, Bosiljka Mlladiç, ish-gjenerali ka kaluar tre infarkte dhe nuk e ndien fare pjesën e djathtë të trupit të tij. “Në një deklaratë për një gazetë serbe, ajo tha, “ai po merr mjekime, por unë nuk mendoj se marrja e ilaçeve mjafton për gjendjen e tij. Ai më tha se në vitin 2008 ka kaluar infarktin e tretë. Më ka kërkuar falje mua dhe tim biri për telashet që po kalojmë prej tij, më ka kërkuar falje disa herë”, tha ajo. Ndërkohë, masat e sigurisë dje në Beograd ishin në maksimum, pas një protestë të paralajmëruar të nacionalistëve, të cilët marshuan kundër dorëzimit të Mlladiçit në Hagë, pasi “ai është hero i kauzës për Serbinë e madhe”. Rreth 7 mijë protestues me banderola kanë nderuar gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, duke kërkuar jashtë Parlamentit lirimin e tij. Për këtë protestë janë angazhuar më shumë se 3000 policë rreth institucioneve qeveritare dhe ambasadave të huaja. Disa prej protestuesve kanë bërë përshëndetjen naziste.
Në Manastir
Ka pasur raportime se Mlladiç, për një farë periudhe është fshehur edhe në një manastir femëror në Serbi. Sipas raportimeve nga e përditshmja “Blic”, ish-gjenerali ka qëndruar disa javë në manastirin femëror të Santa Melanias në Zrenjanin, në Veri të Serbisë. Në këtë manastir Mlladiç është strehuar gjatë fillimit të tetorit të vitit 2006, pasi ështe goditur nga një infarkt. Kushtet e tij shëndetësore kanë qenë kaq të rënda, sa në manastir i kishin përgatitur edhe vendin për ta varrosur.











