Mlladiç, një proces për bashkësinë ndërkombëtare

May 29, 2011 | 11:45

OLSI BAZE

Njeriu më i kërkuar në botë pas Bin Ladenit përfundoi më 26 shkurt në prangat e policisë serbe. Më 11 korrik 1995, Srebrenica, e shpallur zonë sigurie nën mbrojtjen e ushtarëve të OKB-së, bie në duart e forcave ushtarake serbo-boshnjake të drejtuara nga Ratko Mlladiç.
Kaskat blu të OKB-së, të cilat duhet të mbronin qytetin dhe qytetarët boshnjakë, morën urdhër të mos ndërhynin dhe të mos e evakuonin popullatën e rrezikuar nga forcat serbe. Nga 11 deri më 16 korrik 1995, 8300 burra, gra e fëmijë u ekzekutuan nën urdhrat e gjeneralit Mlladiç. Më 1995-n, pas marrëveshjes së Dejtonit komuniteti ndërkombëtar në mëdyshje të madhe lëshoi një fletë-arresti për Mlladiçin dhe Karaxhiçin, me akuzën e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. I mbrojtur dhe i paguar nga qeveria “Koshtunica”, Mlladiç ka jetuar gjithnjë në Beograd i fshehur nga autoritetet serbe. Komuniteti ndërkombëtar dhe Gjykata e Hagës e dinin që ai prej vitit 1997 deri në 2001-shin jetonte në adresën 117-A Blagoja Parobica në Beograd. Më pas, në vitet 2001-2002, në kazerma të ushtrisë dhe apartamente të ushtarakëve të lartë serbë. Nga 2003-shi e deri sot ai jetonte i fshehur në rrugën “Gagarinë”, në Beograd, në lagjen “Zemun” dhe deri dje në Lazarevo, ku ai jetonte në shtëpinë e xhaxhait të vet. Si duket, askush nuk ka qenë i interesuar të arrestohej.
I mbrojtur nga autoritetet serbe dhe nën përgjim nga shërbimet sekrete perëndimore, njeriu më i kërkuar në Europë jetonte ashtu si dhe Bin Ladeni, 100 km larg kryeqytetit serb. Të gjithë e dinin ku ndodhej, thjesht po pritej momenti që qeveria serbe ta dorëzonte në shkëmbin të statusit të vendit kandidat të BE-së. Dorëzimi i Mlladiçit ndodhi vetëm disa javë para se të dorëzohet raporti i prokurorit të Hagës, Serge Brammertz, para Këshillit të Sigurisë së OKB, në të cilin vlerësohet bashkëpunimi i qeverisë serbe me këtë institucion për kapjen e kriminelëve të luftës. Qeveritë europiane dhe ajo serbe ishin në dijeni që ky raport ishte shumë negativ për Beogradin dhe i mbyllte paraprakisht derën për të hyrë në BE, sepse qeveria holandeze, për të shpëtuar reputacionin e saj, kishte kushtëzuar hapjen e negociatave me Serbinë me arrestimin e Mlladiçit.
Duket se autoritetet serbe kanë vendosur ta arrestojnë Mlladiçin në një moment kur axhenda ndërkombëtare ishte e favorshme. Arrestimi i kriminelit të luftës në një moment kur mbahet Samiti i G8-s dhe kur baronesha Ashton ndodhet në një turne diplomatik në Kosovë dhe Serbi, duket se ishte i paramenduar dhe përkon edhe me axhendën elektorale të 2012-s. Me statusin e vendit kandidat të BE-së, Tadiç i shton ndjeshëm shanset për fitore.
Gjyqi që do të nisë ndaj Mlladiçit do të jetë shumë delikat. Ai nuk do të jetë gjyqi vetëm i Mlladiçit, por edhe i komunitetit ndërkombëtar, i drejtuesve të OKB-së dhe atyre të Këshillit të Sigurisë, të cilët i sakrifikuan njerëzit e pafajshëm të Srebrenicës trupave të Mlladiçit. Ky gjyq jo vetëm merr përmasa politike, por, nga një anë i kthen drejtuesit e bashkësisë ndërkombëtare në bashkautorë të gjenocidit dhe spastrimit etnik të ndodhur në Srebrenicë.
Trupat e OKB-së ishin të pazotë dhe të paaftë të parandalonin rënien në duart e trupave serbe të enklavës myslimane të Srebrenicës1. Në pranverën e vitit 1995 ajo do të kthehej në vendin ku do të kryheshin masakrat më makabre ndaj popullatës civile. Srebrenica u shndërrua në një turp politik për europianët, një akuzë e hapur për komunitetin europian. Mijëra njerëz, gra, fëmijë e burra u ekzekutuan në mënyrën më barbare, 8300 veta para syve dhe pranisë së kaskave blu të OKB-së.
Srebrenica, opinionit ndërkombëtar i rishfaqi pamjet e një kampi përqendrimi të ndërtuar nga serbët, në të cilin kishin mbyllur popullatën boshnjake dhe të marrë peng trupat e OKB-së, duarlidhur me tel nga trupat ushtarake serbe.
Ushtarët e zënë robër nga serbët ishin kontingjent holandez, pjesë e FORPRONU, të cilët ishin në terren me misionin e qartë për të mbrojtur popullatën civile të Srebrenicës. Dëshmitarët e asaj ngjarjeje, sidomos komandanti francez i trupave të OKB-së në Srebrenicë, dëshmon se disa herë radhazi ai kishte kërkuar Shtabit të Përgjithshëm të FORPRONU mbështetje ajrore dhe tokësore, por kjo ndihmë nuk kishte ardhur kurrë. Kaskat blu ia dorëzuan, me urdhër nga lart, qytetin e Srebrenicës trupave serbe, pa llogaritur se do të ktheheshin robër lufte dhe popullata civile do të ekzekutohej.
Por, rënia e qytetit të Srebrenicës kishte qenë rezultat i një pazari2 politik i iniciuar nga presidenti i atëhershëm francez, Fransua Miteran. Fati tragjik i qytetit të vogël boshnjak ishte vendosur disa ditë më parë, gjatë bisedimeve të komandantit të Përgjithshëm të FORPRONU, francezit Bertrand Janvier dhe komandantit të forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç3, në një hotel luksoz në Vjenë, gjatë një takimi që deri vonë është mbajtur shumë sekret.
Marrëveshja e dy gjeneralëve parashikonte faktin se trupat serbe do të merrnin Srebrenicën, FORPRONU angazhohej mos të përdorte ndërhyrjen ajrore. Në këmbim të këtij angazhimi, trupat e Mlladiçit do të lironin dy pilotët4 francezë të FORPRONU, të cilët ishin kapur robër nga serbët e Bosnjës teksa avionët e tyre ishin rrëzuar gjatë një mision vëzhgimi dhe spiunazhi ajror.
I ndjeri Riçard Hollbruk, i dërguari special i amerikanëve për Bosnjën, konfirmoi para disa vitesh para kamerave të televizionit se kishte marrë urdhër të sakrifikonte territoret dhe njerëzit në Srebrenicë, Gorazhden dhe Zhepen.
Alain Juppe, kryeministër i Francës në 2005-n dhe njohës i mirë i problemit boshnjak, dëshmoi para një komisioni parlamentar francez, i cili hetoi përgjegjësinë e Francës në këtë masakër, se “ne të gjithë e dinim që serbët nuk do të bënin të burgosur”.
Në gjyqin e Mlladiçit do të dëshmojnë, pa dyshim, Karl Bild, gjenerali De La Presle, këshilltar ushtarak i Karl Bildt, Hubert Védrine, këshilltar i presidentit Miteran, Roland Dumas, ministër i Jashtëm francez, Kofi Anan, Jasushi Akashi, Boutros Boutros-Ghali, drejtues të lartë të OKB-së. Në Hagë do të thirren drejtuesit e batalionit holandez që dështuan në mbrojtjen e popullatës civile, Karremans dhe Franken, të cilët ndihmuan trupat e Mlladiçit të ndanin gratë dhe burrat. Të gjithë këta mbajnë mbi vete përgjegjësi të madhe mbi atë masakër.
Gjyqi ndaj Mlladiçit është gjyqi i mijëra viktimave, të cilat prej 16 vitesh luftojnë për të vendosur drejtësinë në vend. Procesi ndaj Mlladiçit, automatikisht rrezikon të kthehet në një proces edhe ndaj gjeneralit francez Janvier, bashkësisë ndërkombëtare, e cila është plotësisht bashkëfajtore për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit që ndodhën në Srebrenicë. Prandaj arrestimi dhe gjyqi ndaj Mlladiçit është kaq  i vonuar.

————————————–
1 Enklave myslimane në të cilën 7000 persona, kryesisht burra dhe fëmijë, u ekzekutuan nga trupat paramilitare serbe nën praninë dhe pafuqinë e kaskave blu të Kombeve të Bashkuara, që ishin kthyer në të burgosur të trupave serbe.
2 Shih librin “Akuzoj OKB” të Dizdareviç Zlatko dhe Riva Gigi, në faqen 89
3 Ratko Mlladiç ishte në atë kohë komandant i trupave serbe të Bosnjës. Aktualisht Mlladiç është një nga të vetmit kriminelë lufte të akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për gjenocid, i cili është ende në liri dhe në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që shefi politik i serbëve të Bosnjës, Karaxhiç, prej disa kohësh po përgjigjet para Gjykatës së Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
4 Dy pilotët francezë të mbajtur si të burgosur lufte nga serbët, u liruan 2 ditë pasi Srebrenica ra në duart e serbëve. (Shih artikullin e gazetës “New York Times” të datës 10 qershor 1996.

© Panorama.al

Te lidhura