“Misioni i qeverisë është ndarja e Shqipërisë”- Alizoti: Qytetarë protestoni, edhe sikur të mos kem bindjet tuaja! Autokratët kanë vetëm një element, frikën!

Jun 5, 2026 | 13:00

Deputeti i partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka mbështetur hapur protestat e qytetarëve për Zvërnecin, edhe pse është një lëvizje kundër direktivës së partisë.

alizoti

Nga foltorja e Parlamentit dje ai mbështeti lëvizjen qytetare në mbrojtje të mjedisit dhe territorit shqiptar, duke i nxitur që të vazhdonin protestat edhe nëse ai personalisht nuk do kishte bindjet e tyre.

Sepse, siç nënvizoi, qëllimi i qeverisë është ndarja e Shqipërisë”.

“Ka shqiptarë që nuk e di këtë që misioni i kësaj qeverie është ndarja e Shqipërisë! Pse është ndarja e Shqipërisë? Sepse autokracia funksionon së bashku me oligarkinë. Me një grup të vogël që mban pushtetin ekonomik dhe ushtron atë politik nëpërmjet autokratit dhe autokrati ka ikur! I cili bredh nëpër botë dhe jep misionin”, tha ligjvënësi opozitar, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.

Më tej ai shpjegoi edhe atë që ndodhi me dhunën ndaj qytetarit në Zvërnec dhe sjelljen e pushtetit, duke lënë të kuptohet se pas ishin interesat ekonomike dhe të pushtetit.

“Tani ju akuzuar drejtorin e Policisë dhe atë privat. Pse nuk e preku Policia atë rojën private, sepse ata janë pushteti! Po të guxonte të prekej dikush tjetër, Policia e gllabëronte. E dyta, pse tentoi drejtori i policisë të manipulonte? Sepse e dinte që ishte pushteti.  Tani meqë kjo u bë publike dhe doli në sy të njerëzve, tani kanë dalë njerëzit në rrugë”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Alizoti mbështeti publikisht protestën dhe deklaroi se kjo është mënyra e vetme, sepse autokratët kanë frikë.

“Ndaj të nderuar njerëz, protestoni, protestoni, protestoni, edhe sikur personalisht të mos kem bindjet tuaja. Protestoni sepse autokratët kanë vetëm një element, ata kanë frikë”, përfundoi deputeti demokrat.

© Panorama.al

Te lidhura