Për ndonjë çift tjetër përjetimi i lidhjes në realitet ishte më intensiv, ndërsa për ata të dy ndodhi e kundërta. Ndaj, për një fund të dhimshëm kanë folur gjatë dhe e kanë vendosur. Nuk do të jenë më bashkë. Mirjeta dhe Marieli, dy konkurrentët e “Big Brother 4”, e kanë mbyllur përfundimisht lidhjen e tyre tremujore, krijuar në sy të kamerave në ekranin e ‘Top Channel”. Të dy 23-vjeçarë të ardhur nga një jetë jashtë vendit, ajo në Angli dhe ai në Itali, kuptuan se me sa duket, nuk po përjetonin ndjenjë aq të fortë, sa të sakrifikonin të ardhmet e tyre. Mirjeta për momentin do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri, ku do të merret me show, ndërsa Marieli i është rikthyer në Vinçenca të Italisë karrierës në “wrestling show”. Mirjeta tregon në lidhje me arsyet pse i dhanë fund historisë së tyre dhe jetën e re si Dj në klubet e natës, ku prezantohet thjesht me emrin “English girl”.
Mirjeta, pas “Big Brother” po vazhdon të jetosh në Shqipëri. Ke vendosur ta lësh Londrën, çfarë planesh ke bërë për veten?
Po, unë për momentin kam vendosur të qëndroj në Shqipëri për disa muaj si fillim, por në fakt as vetë nuk kam përcaktuar ende një kohë konkrete qëndrimi këtu. Për sa u përket planeve të mia, aktualisht jam pjesë e show grupit “THE PROTOTYPES”, ku bëjnë pjesë Ergysi dhe Orget Sadiku (saksofonist). Dëshiroj gjithashtu të sjell në Shqipëri një linjë veshjesh të stilit anglez.
Siç e the dhe vetë, je angazhuar me Ergysin e BB4 në show-t e fundjavave, ku prezantohesh si “English girl”. Si do ta përshkruaje këtë eksperiencë ndryshe dhe çfarë bën konkretisht në këto show?
Me “The prototypes” roli im është Dj & Performancë. Po e shijoj si një eksperiencë të re dhe mjaft të bukur, pasi unë e dua shumë jetën artistike. Për më tepër që këtë herë është diçka komplet e veçantë dhe interesante, ku unë gjej veten dhe ndihem mirë.
Ke dalë nga “reality show” me famën që të jep ky spektakël, ke marrë ndonjë ofertë interesante nga ndonjë fans?
Jo, nuk kam marr ndonjë ofertë, vetëm komplimente të mira.
Ndërkohë që je vënë në qendër të vëmendjes së faqeve rozë për ngërçin e krijuar në lidhjen me Marielin. Dimë që para pak ditësh u takuat në Vlorë, çfarë vendosët për lidhjen tuaj?
Është e vërtetë që u takuam në Vlorë në promovimin e një klubi atje. Me Marielin kemi biseduar gjatë për historinë tonë, e cila tashmë është bërë shumë e njohur, siç e thatë dhe ju. Realisht, gjërat nuk janë si në “Big brother”. Kuptohet, tani kemi jetë të ndryshme dhe nisur nga kjo, kemi rënë dakord që për momentin të marrim kohë për çështjet tona profesionale, duke respektuar njëri-tjetrin me shumë thjeshtësi dhe buonsens. Raporti ynë nuk mund të jetë si në “Big brother” ashtu dhe në jetën reale, kështu që i kemi uruar njëri-tjetrit gjithë të mirat.
Pra, u ndatë përfundisht, s’bëhet fjalë për ndonjë rikthim?
Po, mund të them se ruajmë konsideratë për njëri-tjetrin, por lidhja jonë nuk vazhdon.
E tashmë, në një reflektim me veten, mendon se vërtet ka ndikuar nëna e Marielit për prishjen e lidhjes suaj apo problemi qëndron tek largësia mes jush?
Në fakt, nuk dua të jap shumë hollësi, pasi është një histori që më përket vetëm mua e Marielit. Kemi folur me njëri-tjetrin për këtë, por s’duam të bëjmë publike çdo detaj të bisedës sonë.
Kujtojmë që brenda shtëpisë së BB 4, ti ia shprehe Klodit lëkundjen tënde për t’u tërhequr në kohë prej tij, për faktin se ishit larg dhe një lidhje në largësi nuk do të mund të funksiononte. Je penduar që nuk u tërhoqe që atëherë?
Nuk jam një person që jetoj me pendesa. Jam sjellë siç e kam ndier.
Ti vetë, çfarë plani kishe bërë me Marielin, e shihje si njeriun që mund të krijoje familje?
S’di çfarë të them, pasi nuk i kam menduar këto gjëra asnjëherë. Por, jam e sigurt që Marieli do të ishte një bashkëshort i mirë, nëse do vendosnim të lidhnim jetën bashkë.
Meqë me Marielin e mbyllët me kaq, mund të flasim për interesin e djemve të tjerë ndaj teje. Ke marrë ndonjë propozim interesant për ndonjë lidhje të re?
Për momentin, absolutisht jo. Nuk është në natyrën time të krijoj lidhje të re, pas një historie të tillë. Tashmë jam fokusuar tek e ardhmja ime dhe konkretisht tek puna.
Si po të duken djemtë këtu, krahasuar me djemtë që ke njohur në Londër? Është më e vështirë të krijosh lidhje këtu apo atje?
Lidhjet lindin njësoj kudo. Por mendoj që njerëzit bëjnë diferencën.
Me cilin nga banorët e tjerë po ruan miqësi, me cilët prej tyre nuk takohesh kurrë?
Takohem me të gjithë pa asnjë lloj problemi, miqësi më të afërt mbaj me ata që kam pasur miqësi edhe brenda shtëpisë.
Mirjeta : Unë si “English girl”, si sillem në Shqipëri
Kur të afrohet një njeri i panjohur në klub?
E përshëndes.
Kur të vjen një sms komplimentuese në celular?
Qesh.
Nëse një mashkull të kërkon të jeni bashkë për «One night stand» ?
Ue, ça pyetjeje!
Vishesh ekstavagante sa herë që duhet të shkosh…
Sa herë që duhet të shkoj në një festë, të përshtatshme për këtë veshje.
Sillesh agresive vetëm në rastet kur…
Kur më bezdisin shumë.
Je e ëmbël me personat që…
Me personat që janë të sjellshëm dhe të edukuar.
Dëshiron të krijosh një lidhje stabël vetëm kur…
Kur të vijë natyrshëm dhe sinqerisht.
Ëndërron të punosh në…
Endërroj të punoj në Policinë e Emigracionit.
Nuk e ndërron Tiranën me Londrën për…?
Nuk e ndërroj për asgjë.
KLOTILDA HARKA
© Panorama.al











