Mirëpritet “Maya”, Arben Derhemi i nominuar në Madrid

Jun 12, 2012 | 15:09

Një histori provinciale nga Shqipëria nuk ka kaluar pa u vënë re në një festival ndërkombëtar filmi. Nga data 6 deri në 10 qershor u zhvillua në Madrid edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, ku merrnin pjesë rreth 80 filma nga vende të ndryshme të botës, si Gjermania, Finlanda, Italia, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Suedia, Anglia, Australia, Filipinet etj. Në këtë festival morën pjesë në garë edhe dy filma shqiptarë, “Maya” me regji të Pluton Vasit dhe dokumentari prej rreth 30 minutash “Pamundësia” nga Zhejniva Garo. Në këtë mori filmash, produksionet shqiptare nuk kaluan pa u vënë re, sidomos filmi artistik i Pluton Vasit, me skenar të Luljeta Lleshanakut. Madje ky film, i cili tashmë ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare, pati edhe një nominim në një nga kategoritë në garë. Bëhej fjalë për kategorinë e aktorit mbështetës më të mirë në filmat e huaj, ku kandidonte aktori Arben Derhemi. Në garë ishin 6 aktorë, prej të cilëve në natën e çmimeve u shpall fitues aktori turk Berke Uzrek për interpretimin e tij në filmin “Marmara”. Nga sa mësohet, filmi shqiptar është pritur pozitivisht e në veçanti interpretimi i Arben Derhemit, në rolin e Burhanit, një rol karakteri të cilin aktori e sjell shumë natyrshëm dhe na pëlqen ose jo Burhani si personazh, atë arrijmë ta ndiejmë shumë pranë, për shkak të familjaritetit që krijon. Në lagje, në punë, kudo kemi nga një Burhan, madje, nëse do të huazonim një nga përkufizimet e “dashura” të realsocializmit, ai është personazhi më “tipik” apo më i ndeshur në ditët e sotshme. Në natën e ndarjes së çmimeve në Madrid u dhanë trofetë për filmin më të mirë të festivalit, të cilin e fitoi filmi “Mad Rush”, regjisorin më të mirë Adam Sherman, për të vazhduar me radhë në të gjitha kategoritë përkatëse për filmin artistik anglisht folës, për atë të huaj, për dokumentarin dhe filmin e shkurtër.

Filmi
“Maya” tregon historinë e një emigranti të kthyer në Shqipëri për të varrosur të atin e, pse jo, dhe për të rimarrë trashëgiminë e tij. Jashtë planeve vendos të qëndrojë dhe të hap një biznes, një sallon bukurie, përmes të cilit jo vetëm zbukuron gratë e qytezës, por dhe trazon gjithë jetët e saj. Për Samiun e ardhur nga Amerika nuk do të jetë e thjeshtë të përballet me mentalitetin provincial, sidomos pas lidhjes së fshehtë me Maya-n, një grua të bukur, por të martuar, nënë e dy fëmijëve. Në film interpretojnë Rovena Lule, Genti Kame, Alert Çeloaliaj, Myzafer Zifla, Xhevahir Zeneli, Arben Derhemi, Marjana Kondi etj.

© Panorama.al

Te lidhura