Komisioni i Ligjeve miraton rezolutën për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2010. Pas debateve të seancës së kaluar, relatori Viktor Gumi paraqiti draftin i cili nuk u kundërshtua as nga dy deputetët e PS-së në mbledhjen e djeshme të komisionit, Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi. Në draftin që i paraqitet Kuvendi për t’u miratuar, thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë konstaton se KQZ për vitin 2010: ka miratuar/ rishikuar aktet nënligjore, në kompetencë të KQZ-së, në përputhje me rekomandimet e dhëna në raportin përfundimtar të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë; ka nxitur një klimë të përshtatshme bashkëpunimi dhe konsensusi brenda anëtarësisë së KQZ-së, me qëllim rritjen e fizionomisë dhe vendimmarrjes teknike të saj”. Në të njëjtën kohë, Kuvendi i kërkon KQZ-së që për vitin 2011 të mundësojë realizimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit në mënyrë të lirë, të drejtë, të ndershme dhe në përputhje me standardet demokratike. Gjithashtu, KQZ-së i kërkohet të mundësojë realizimin e një klime bashkëpunuese dhe konsensusi brenda anëtarësisë së KQZ-së, si dhe në marrëdhëniet me forcat politike, me qëllimin përfundimtar që t’i shërbejë detyrës ligjore, kompetencës dhe misionit të KQZ-së për realizimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Zëvendësohen deputetët që do kandidojnë në 8 maj
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë sot vendimin për të zëvendësuar pesë deputetët e Kuvendit, që kanë lënë dje mandatin për të kandiduar në zgjedhjet lokale të 8 majit. Tre deputetë të Partisë Demokratike dhe dy të Partisë Socialiste kanë paraqitur dje në Kuvend kërkesën për të lënë mandatin dhe janë regjistruar zyrtarisht në KQZ dhe KZAZ. Në qarkun e Elbasanit do të largohet Lulzim Basha dhe në vend të tij do të vijë Aurel Bylykbashi. Në Durrës ka lënë mandatin ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri dhe në vend të tij do të hyjë Ndriçim Babasi. Në qarkun e Vlorës do të largohet Ardian Kollozi dhe në vend të tij hyn Kosta Barka. Për sa i përket PS-së, në qarkun e Lezhës largohet Gjok Jaku dhe në vend të tij hyn Ndrec Deda, ndërsa në qarkun e Fierit largohet Fatos Tushe që do të kandidojë për Bashkinë e Lushnjës dhe në vend të tij hyn Arion Muçaj.











