Miratohet buxheti, 6 orët e debatit të Bashës me këshilltarët e PS-së

Dec 29, 2011 | 10:54

Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak

Kalon me 29 vota pro dhe 25 kundër buxheti i parë i kreut të ri të Bashkisë. Miratohen edhe 7 vendime.

Kryebashkiaku Basha, 6 orë në mbledhje, përgjigjet për projektet.

Pas dy vitesh bllokimi, Tirana ka tashmë buxhetin e saj të investimeve për vitin 2012. Ai kaloi dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me 29 vota pro dhe 25 kundër. Për gjashtë orë me radhë u diskutuan detajet e projekteve ku do të shpenzohen 70 milionë dollarët e planifikuar për kryeqytetin. Mbledhja nisi disi e tensionuar, pasi anëtarët e majtë e quajtën të pamjaftueshme kohën e lënë në dispozicion për të shqyrtuar draftin. Sipas tyre, ai u është dorëzuar vetëm tri ditë përpara mbledhjes. ”Është mungesë serioziteti që ne e kemi marrë projektbuxhetin vetëm ditën e premte. Kjo do të thotë se këshilltarët janë anashkaluar. Pavarësisht kësaj, ne jemi të hapur të na lihet më shumë kohë dhe të mblidhemi ditët në vijim”, tha Dalipi. Pas diskutimeve, rendi i ditës, ku veç buxhetit ishin përfshirë dhe shtatë vendime të tjera, u miratua me votat e maxhorancës. Kryebashkiaku Basha prezantoi edhe njëherë investimet në mënyrë të detajuar sipas projekteve. Pak minuta pasi ai nisi fjalën, nuk mungoi një incident, i cili e ndërpreu mbledhjen për disa minuta. Njëra nga anëtaret e majta të Këshillit u rrëzua, çka krijoi ilaritet në sallë. Për fat të mirë nuk ishte asgjë serioze dhe Basha e mbajti fjalën e tij normalisht duke premtuar edhe përmirësim të kushteve për këshilltarët. “Është një reflektim i prioriteteve të qytetit të Tiranës, natyrisht nën lidershipin e Bashkisë së Tiranës dhe premtimeve që unë personalisht si kryetar i Bashkisë kam dhënë, dhe në këtë kuadër, ky buxhet jo vetëm që mban një pjesë të premtimeve, por vë në rrugën e sigurt të realizimit të gjithë axhendën tonë për një Tiranë moderne dhe europiane. Tri janë shtyllat kryesore të buxhetit: zhvillimi ekonomik dhe punësimi, përmirësimi i cilësisë së jetës në qytet, në çdo cep të tij dhe infrastruktura e qytetit të Tiranës”, tha Basha.
Pyetjet dhe diskutimet
Pjesa e dytë e mbledhjes, ku përfshiheshin pyetjet nga këshilltarët, gjithashtu u shoqërua me debate. Këshilltarët e majtë kundërshtuan propozimin për t’i bërë pyetjet me shkrim ose të regjistruara. Ata insistuan në komunikim të drejtpërdrejtë me kryebashkiakun. Ishte pikërisht ai që i sheshoi debatet. ”Praktika e pyetjeve të regjistruara aplikohet në Europë, por nëse ju nuk jeni dakord, unë jam tërësisht në dispozicionin tuaj për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja”, tha Basha.
Pyetjet ishin gjithëpërfshirëse, që nga mënyra si do të realizohet rritja e të ardhurave të Bashkisë së Tiranës deri te ndarja e fondeve për arsimin. ”Të ardhurat nga biznesi do të rriten duke luftuar informalitetin. Vetëm dy muaj pasi morëm Bashkinë, ne arritëm të identifikojmë rreth 400 biznese të paregjistruara. Ndërsa sa u përket lehtësirave fiskale për kompanitë që punësojnë më shumë se 50 veta, ajo çka ne synojmë të arrijmë është që jo vetëm t’i japim frymëmarrje biznesit, por të rritim edhe punësimin”, u përgjigj Basha. Pyetjes për ndarjen e fondeve për arsimin ai iu përgjigj se për të gjitha njësitë vendore përgjithësisht ato janë të barabarta dhe të dhënat e prezantuara nga anëtarët e majtë në Këshill janë të pabaza. Bashkëbisedimi ishte i qetë dhe pasi Basha iu përgjigj të gjitha pyetjeve, nisi pjesa e tretë e mbledhjes, ajo e diskutimeve. Pas miratimit të buxhetit u diskutuan edhe shtatë pikat e tjera të rendit të ditës të cilat u miratuan gjithashtu.

Debati me opoziten
Alfred Dalipi:
Këshilltarët janë anashkaluar. Në kundërshtim me ligjin, projektbuxheti ka ardhur në duart e këshilltarëve vetëm tri ditë përpara mbledhjes. Ne jemi të hapur për ta mbajtur mbledhjen ditët në vijim, por sot jemi kundër këtij buxheti, pasi nuk na është lënë koha e mjaftueshme ta shqyrtojmë.
Njazi Kosovrasti: Më thoni ku janë anashkaluar këshilltarët, pasi ne i kemi diskutuar detajet e buxhetit në komisione? Ligji parashikon që drafti të jetë.
Alfred Dalipi: Pyetje me shkrim nuk do të ketë, nuk pranojmë diktim. Le të diskutojmë projektbuxhetin dhe nuk e kuptoj pse pyetjet duhet të jenë me shkrim?
Ferdinand Poni: Kjo mënyrë e të drejtuarit të pyetjeve vjen për të shmangur polemikat pa fund.
Zoti Dalipi, kur thua “zyrtari i lartë i Bashkisë”, nëse është protokollizëm i partisë, e ke gabim.
Lulzim Basha: Pyetjet me shkrim janë një praktikë europiane. Por, nëse ju nuk e pranoni, urdhëroni. Jam në dispozicionin tuaj, le te diskutojmë drejtpërdrejt. Jam i hapur për të gjitha pyetjet që ju keni.
Mehmet Hasanlami: Në buxhet thuhet se Policia Bashkiake do të ruajë rendin dhe sigurinë në plazhe. Nuk e di, mund të jem gabim dhe unë, po ku i ka plazhet Tirana?
Lulzim Basha: Nuk më rezulton, megjithatë edhe nëse është kështu besoj se Tirana, pas rehabilitimit të Lanës dhe Liqenit Artificial, mund të ketë edhe ambiente të reja për plazh. Mos u shqetësoni për këtë.
Eridian Salianji: Pse nuk parashikohet asnjë terren i ri sportiv për vitin 2012, në një kohë që kryeqyteti ka shumë nevojë për to?
Lulzim Basha: Ky është një keqkuptim tragjik. Dua t’ju them se në buxhet ka fonde të përcaktuara edhe për terrenet sportive, por janë qytetarët ata që do propozojnë se ku ka nevojë të investohet fillimisht.

70 milione usd
është buxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2012. Në të parashikohet trefishimi i investimeve publike. Dje u diskutuan të gjitha detajet e projekteve.

60 milione usd
janë parashikuar të jenë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në buxhetin e bashkisë së Tiranës. Basha premtoi se ato do rriten duke luftuar informalitetin.

5 programe
janë prioritare në buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Bëhet fjalë për mjedisin dhe rikualifikimet urbane, infrastrukturën rrugore, arsimin dhe transportin publik.

Shtatë vendimet e tjera të miratuara
Veç buxhetit, pjesë e rendit të ditës në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak ishin edhe: Disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.3 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, në nivelin e pagave të punonjësve të institucioneve të varësisë, emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës. Po kështu, një tjetër vendim ishte ai i Këshillit Bashkiak “Për miratimin e Komisionit të Strehimit”. Dhënia e bursave për nxënësit dhe termat kryesorë të kontratës koncesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin “Italia” ishin dy vendime të tjera mjaft të rëndësishme. Po kështu kaloi dhe vendimi “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura