Italia e Çezare Prandelit është mundur në fushën e vet mbrëmë në miqësoren ndaj Uruguajit. Ka vendosur një gol i Fernandez shënuar që në minutën e 3-të të takimit. Duhet thënë se edhe pse ishte një miqësore, arbitrit të ndeshjes iu desh të nxirrte shtatë kartonë të verdhë dhe një të kuq për Uruguajin. Ndërsa në takimin tjetër, atë mes Gjermanisë dhe Holandës, djemtë e Joakim Lëv u kanë dhënë një leksion futbolli “tulipanëve” duke i mundur bindshëm si me lojë dhe me rezultat, 3-0. Në fillim ishte Tomas Myler ai që kaloi në avantazh skuadrën gjermane në minutën e 15-të. Më pas, në të 26-ën ishte i rikthyeri, Miroslav Klose që dyfishoi, ndërsa Ozil shënoi golin e tretë në pjesën e dytë.
Anglia fiton ndaj Suedisë, barazon Franca
Ka mjaftuar një gol i Garet Berri në minutën e 22-të të takimit që Anglia e Fabio Kapelos të dalë e fituar edhe nga miqësorja tjetër, ndaj Suedisë. Para katër ditësh ishullorët mundën minimalisht Spanjën. Sakaq duhet thënë se në ndeshjen e mbrëmjes trajneri italian i anglezëve hodhi në fushë shumë lojtarë të rinj, të cilët nuk i kishte provuar më përpara. Pak a shumë të njëjtën gjë bëri edhe Lorent Blank me Francën e tij, por pa arritur të marrë rezultat ndaj Belgjikës. Takimi përfundoi në barazim pa gola, por me një lojë me shumë raste nga të dyja skuadrat.











