Miopia e pragmatizmit ekstrem në politikë

Jan 29, 2012 | 10:29

GRID RROJI

Njëri nga aspektet më të rëndësishëm në mbarë-vajtjen e një sistemi politik është roli i ideologjive në përcaktimin e kahut politik të palëve në sistem. Politologjia e përcakton rolin e ideologjisë si ndërlidhësi midis elitave qeverisëse dhe qytetarit. Një tjetër përkufizim e trajton ideologjinë si ndërlidhësi midis mendimit dhe sjelljes politike. Në këtë këndvështrim, ideologjia nuk përcakton vetëm programet e partive politike dhe përgjithësisht kahun e veprimit politik të tyre, por edhe i lejon qytetarit të ketë informacionin e duhur për të zgjedhur midis tyre.    Përmbledhtazi, përqafimi i një ideologjie të caktuar kushtëzon veprimin politik të elitave dhe raportin e tyre me qytetarin, duke e bërë sistemin funksional dhe të parashikueshëm. Sikundër përplasja e ideologjive brenda sistemit ballafaqon konceptin strategjik të palëve për zhvillimin e vendit. Të marra së bashku, këto i japin sistemit besueshmërinë dhe legjitimitetin e nevojshëm për të përparuar interesat kombëtare dhe për të siguruar jetëgjatësinë e vet.
Mirëpo, në politikën shqiptare, gjatë këtyre viteve të tranzicionit, dallimet ideologjike kanë zënë vend dytësor e pasqyrohen më tepër në formë retorike, sesa dallime të qarta e të qëndrueshme në vijën politike të secilës forcë. Si pasojë, forcat politike shqiptare praktikojnë pragmatizmin ekstrem, i cili u lejon që të mbrojnë pozicione politike të kundërta në kohë të ndryshme, pa i ndenjur besnik ndonjë vije të qartë ideologjike. Gjatë viteve, deputetë, ish-ministra, deri edhe  kryeministra apo presidentë kanë shkëmbyer pozicione ideologjike të kundërta për marrëdhënie të favorshme biznesi, një vend në Parlament apo deri edhe para të thata. Në këtë këndvështrim, zhvillimet e fundit nuk duket se përfaqësojnë ndonjë ndryshim në mendësinë e palëve përfaqësuese të elitave shqiptare. “Martesa” e Sali Berishës me Ilir Metën dhe flirtet me Nanon, zigzagu joshës (më do, s’më do) i Edi Ramës me Metën, Gjinushin, Bamir Topin apo këdo tjetër që mund t’i garantojë ardhjen në pushtet pa i rrezikuar karrigen e dëshiruar të Kryeministrit, si dhe kollotumbat banale të partiçkave të vogla pa mbështetje të mirëfilltë për t’u garantuar klientëve një copë publike për t’u vjedhur, janë dëshmia më e qartë e degradimit të diskutimit politik në një pazar oriental favoresh, ofiqesh e xhambazllëku.
Më tej, mungesa e koherencës politike ka dëmtuar rëndë thelbin e demokracisë, zgjedhjen midis dy apo më shumë alternativave të ndryshme të politikëbërjes. Duke qenë se të gjitha palët praktikojnë pragmatizmin ekstrem dhe kanë për qëllim vetëm pasurimin e tyre, politikat që ato zbatojnë janë të njëjta. Një shembull i dukshëm janë privatizimet e ndërmarrjeve publike, të cilat kanë vazhduar ndër vite me gjithë ndërrimin e qeverive, të cilat nuk tregojnë ndonjë ndjeshmëri ideologjike të ndryshme. Ndërsa shumica aktuale i justifikon si “luftë kundër korrupsionit”, privatizimet i kanë shërbyer në realitet përforcimit të monopoleve dhe të modelit të biznesit të varur e të mbështetur nga politika, si dhe mbushjes së përkohshme të arkës së shtetit. Ndërkohë, pakica socialiste kundërshton privatizimet e tanishme sepse po i bëjnë kundërshtarët, por gjatë qeverisjes së saj i ka përdorur edhe ajo për të njëjtat qëllime. I humbur në gjithë këtë lojë interesash të ngushta është debati ideologjik mbi dobinë e privatizimeve dhe sistemin ekonomik të vendit.
Ky pragmatizëm pa fre ka shkaktuar po ashtu një paradoks politik, duke i bërë palët të padallueshme me njëra-tjetrën, si dhe duke shkaktuar perceptimin masiv se në realitet drejtuesit politikë avancojnë vetëm interesat e tyre private. Kësisoj, një nga pasojat më të ndjeshme për qytetarin ka qenë mungesa e parashikueshmërisë së veprimit politik të palëve. Në mungesë të koherencës ideologjike, askush nuk mund ta dijë se si do të veprojë një forcë politike në një kontekst të caktuar. Për shembull, megjithëse deklarohet parti progresiste, PS-ja del kundër rritjes së rrogave e pensioneve, një politikë mirëfilli e majtë e propozuar paradoksalisht nga PD-ja e djathtë. Ndërsa “për hir të integrimit”, PD-ja, e cila e ka nominalisht antikomunizmin raison d’être, nuk ngurron të bëjë aleancë me pjesën më enveriste të së majtës e me gjithfarë partiçkash me elektorat të dyshimtë.
Sikundër, politika hiperpragmatiste nuk është e interesuar të përqafojë asnjë vizion të qartë strategjik kombëtar për shkak se palët preferojnë të jenë të lira të shkojnë ngado që i çon puhiza e interesave vetjake e klanore. Partitë mjaftohen me formulime bajate mbi integrimin europian, të cilat tradhtojnë në mospadije të thellë, moskokëçarje e neglizhencë për interesat afatgjata të kombit.
Pragmatizmi ekstrem ka prodhuar gjithashtu një zbrazëti morale të elitave drejtuese. Duke qenë se elitat përdorin standarde të ndryshme për veten dhe për qytetarët, veprimi politik i tyre nuk reflekton më standardin moral të shoqërisë që përfaqësojnë. Përtej retorikës antikorrupsion të përçuar nga media e përkorë, politika e sotme na servir si të pranueshëm standardin famëkeq “hajdut është ai që kapet”, megjithëse perceptimi publik për korrupsionin është në majat më të larta. Historikisht, me gjithë premtimet elektorale, askush nga të akuzuarit e cilësdo opozitë nuk është dënuar për vjedhjet gjatë detyrës. Ndryshimi i pushtetit sjell ardhjen në krye të “të pakapurve të rinj”, të cilët përdorin metoda më bashkëkohore grabitjeje të pasurisë shtetërore. Madje, edhe ai që kapet nxirret i pafajshëm me procedura të dyshimta ligjore apo me vendime unanime gjykate. Justifikimi më i shpeshtë që dëgjohet nga politika është se “pala tjetër është po kaq e korruptuar”. Mirëpo, mungesa e besueshmërisë së akuzuesve nuk i shfajëson të akuzuarit e sotëm, por tregon se me gjithë ndryshimet në sipërfaqe, në thelb asgjë nuk ndryshon në sistemin politik shqiptar.
Kësisoj, politika vepron paradoksalisht në boshllëk ideologjik, moral e shoqëror. Rrjedhimisht, qytetari e ka të pamundur të gjejë koherencën e duhur te partitë politike dhe mbetet realisht i papërfaqësuar. Kjo lloj politikëbërjeje nuk mundet dhe as synon të ketë si qëllim kryesor interesat e shqiptarëve si bashkësi etnike.
Në gjykimin tim, ky hendek midis interesave gjenuine të qytetarëve dhe interesave private që promovojnë elitat politike të tanishme e bën sistemin në thelb të paqëndrueshëm. Siç thoshte Margaret Theçër: “Kushtetutat duhet të shkruhen në zemrat e njerëzve, jo veç në letër”. Për ta sintetizuar, drejtuesit politikë shqiptarë, të dalë nga sistemi i vjetër, motivohen nga pushteti e fitimi personal, e jo nga parimet ideologjike e vlerat e përbashkëta që bashkojnë shqiptarët. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin a ka qenë i dobishëm për shqiptarët një sistem i cili i anashkalon vlerat ideologjike në favor të marrëveshjeve praktike midis pushtetarëve dhe opozitarëve? Kujt dhe si i shërben ky lloj organizimi i politikës? Ndryshe nga ç’mëtohet në ambientet ku diskutohet politika sot, këto çështje nuk përbëjnë vetëm material teorik për një analizë të situatës së shoqërisë shqiptare, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e politikës me qytetarin dhe me shtetin, interesin kombëtar dhe, si rrjedhojë, në mirëqenien e qytetarëve.
Një sistem i ndërtuar mbi elita, të cilat nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç pushtetit për grupin që përfaqësojnë, mund t’i shërbejë vetëm klasës politike dhe është i destinuar të vetëshkatërrohet. Sistemi i ndërtuar kësisoj detyrimisht krijon një hendek midis qëllimeve të elitave dhe atyre të qytetarëve. Qytetari nuk ka asnjë mjet për të realizuar brenda sistemit objektivat e tij ekonomikë, politikë e shoqërorë. Mungesa e një bashkësie vlerash të përbashkëta shkakton tjetërsimin e qytetarëve, jo vetëm nga përfaqësuesit e tyre politikë, por nga shteti që ata mbajnë në këmbë për interesat e tyre, me pasojë fundore dështimin e këtij të fundit.
Si përfundim, një sistem politik tërësisht pragmatik si ky i sotmi nuk mund të arrijë të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët e ndiejnë se rruga që po përshkojnë nuk është ajo e duhura dhe imoraliteti i politikës aktuale nuk i përfaqëson. Për shumëkënd, mbushja e hapësirës ideologjike do të thotë rikalibrimin e sistemit nga interesa të ngushta klanore të politikës aktuale drejt ripërtëritjes së vlerave të përbashkëta të shqiptarëve. Kur ky ndërgjegjësim të ndodhë, do të ketë pasoja shndërruese jo vetëm për sistemin politik, por edhe për të ardhmen e kombit shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura