
Deputetët minoritarë të maxhorancës dhe partia MEGA reagojnë me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që heq deklarimin në certifikata të kombësisë për shtetasit shqiptarë. Vangjel Tavo, deputet i LSI-së për qarkun e Gjirokastrës dhe Koço Barka, deputeti i PD-së për Sarandën, ashtu si dhe partia më e re e minoritetit, kanë reaguar ashpër karshi institucionit më të lartë të Drejtësisë në vend. Sipas tyre, shpallja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 1 dhjetor duke shfuqizuar termin “kombësi” në certifikatat e shtetasve shqiptarë, përbën një shkelje të hapur të të drejtave themelore të njeriut dhe në veçanti të atyre të minoritetit grek në Shqipëri. Deputetë u shprehën se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka kthyer atë nga një institucion që mbron Kushtetutën, në një shkelës brutal të saj. Reagimi i tyre bëhet edhe më i ashpër kur e etiketojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të kompromentuar, i dhënë në kushtet e një “kryqëzate haxhiqamiliste”, ndërmarrë kundër pakicave në Shqipëri. “Shqiptarë e minoritarë, shtetarë dhe qytetarë, qeverisës dhe të qeverisur, presupozojnë se në Shqipëri, kur bëhet fjalë për minoritetet, nënkuptohet minoriteti grek. Dhe kur bëhet fjalë për qëndrime ndaj minoriteteve, përfshirë në radhë të parë minoritarët grekë, nënkuptohet jo zgjerimi i lirive të tyre ekonomike, shoqërore, njerëzore, etnike dhe fetare, siç do të ishte normale të ndodhte në çdo vend demokratik të shekullit XXI, por fatkeqësisht kufizimi i tyre”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Barka e Tavo. Vendimi në fjalë, sipas këtyre të fundit, e ka kthyer Shqipërinë në kohët e vjetra, si shkelëse flagrante e të drejtave të njeriut dhe e pakicave. “Përderisa në gjuhën, kulturën, jetën dhe marrëdhëniet juridike në Shqipëri termi ‘kombësi’ përdoret në një kuptim dhe përmbajtje të ndryshme nga termi ‘shtetësi’, eliminimi i së drejtës dhe detyrimit për të njohur kombësinë përbën një shkelje flagrante të të drejtave të qytetarëve të Shqipërisë, specifikisht të të drejtave të tyre etnike e kombëtare”, thuhet në deklaratë.
Partia MEGA ka pasur tone me të ashpra, madje duke akuzuar dhe Presidentin e Republikës për heshtjen e tij. Sipas MEGA-s, neni 20 i Kushtetutës, i cili thotë se qytetarët kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndaluar apo detyruar, identitetin e tyre etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor, nuk nënkupton fshirjen e “kombësisë” nga lista e përbërësve të gjendjes civile, por shpreh deklarimin e lirë dhe dokumentimin e këtij fakti pa ndërhyrjen e shtetit apo të faktorëve të tjerë. “Bazuar te neni 35 i Kushtetutës (për mbrojtjen e të dhënave personale), sipas logjikës së shumicës së gjykatësve kushtetues, duhet të shtrijë ndikimin e tij edhe në të dhëna të tjera personale, siç është emri, mbiemri, numri i identitetit, data e lindjes, lidhjet e atësisë-amësisë, seksi, gjendja civile, vendi i lindjes e të tjera, që në mënyrë identike mbrohen nga ligji i konfidencialitetit. Sipas kësaj logjike, të gjitha librat e gjendjes civile apo dokumentet e dala nga Gjendja Civile nuk duhet të pasqyrojnë asnjë element të tillë dhe, si rrjedhojë, qytetarët do të kishin në dorë një letër të bardhë dhe asgjë më tepër”, ironizon MEGA. “Heqja e elementit ‘kombësi’ nga dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar dhe ekuivalentimi incidencial i ‘kombësisë’ me ‘shtetësinë’ në certifikata, në kartat e identitetit dhe në pasaportat biometrike, janë mesazhe negative që parashikojnë krijimin e një shteti-komb, duke mohuar faktin e ekzistencës së grupeve me origjinë dhe status të ndryshëm nga shumica.
MEGA sulmon Spahiun: Ultranacionalist i zyrtarizuar
Partia MEGA, në deklaratën e saj për shtyp, e akuzoi nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, si një “ultranacionalist i zyrtarizuar”. Për këtë kufizim ata marrin shkas nga deklarimi i Spahiut se “sot dhe mot ai që do të jetojë në Shqipëri duhet të jetojë si shqiptar”. “Duke shprehur kënaqësinë e tij për eliminimin e elementit ‘Kombësi’ nga dokumentacioni i Gjendjes Civile nga Gjykata Kushtetuese e vendit, bën fjalë për një paralajmërim dhe kërcënim publik të një gjenocidi të mundshëm ndaj minoriteteve me objektiv kryesor minoritetin etnik grek”.
“Sistemi ligjor për minoritetin, i paqëndrueshëm”
“U drejtohemi përfaqësuesve të OSBE-së dhe ODHIR-it në Shqipëri, Këshillit të Europës dhe NATO-s të evidentojnë dhe pasqyrojnë realitetin ligjor dhe praktikën në lidhje me trajtimin e minoriteteve në këtë shtet dhe të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve në kuadër të të drejtave themelore të njeriut”. Sipas MEGA-s, kjo parti konstaton se sistemi ligjor në lidhje me minoritetet dhe implementimi i drejtësisë në Shqipëri janë të paqëndrueshëm dhe nuk garantojnë siguri për këto grupime të ndjeshme”.











