Krerët e diplomacive të Italisë dhe Greqisë do të jenë sot në Shqipëri për t’u takuar me krerët e politikës. Sipas axhendës së publikuar nga zyra e mediave të Komisionit Europian në Tiranë, Franko Fratini dhe Stavros Lambrinidis do të vizitojnë Shqipërinë, për të inkurajuar aktorët politikë shqiptarë të punojnë së bashku për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Në orën 10:15, dy diplomatët e huaj do të kenë një takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, dhe pas 30 minutash do të priten nga Kryeministri Berisha. Sipas axhendës, në orën 11:30 ministrat e Italisë dhe Greqisë do të takojnë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe në orën 12:15, Presidentin Bamir Topi. Në përfundim të të gjitha takimeve, rreth orës 13:00 ata do të dalin në një konferencë për shtyp. Gjatë takimeve, temë kryesore e bisedës do të jetë tejkalimi i krizës politike në vend.











