Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore! Igli Hasani: Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët! Irani të ndalë aktivitetet bërthamore

Jun 16, 2025 | 11:45

Ministri Igli Hasani mbajti sot fjalën hapëse në Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Gjatë fjalës së tij ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme u ndal të konflikti në Lindjen e Mesme.

Hasani tha se Shqipëria mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e saj nga kërcënimet, ndërsa i bëri thirrje Iranit të ndalë aktivitetin e tij bërthamore.

Shqipëria iu bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe për zgjidhje të qëndrueshme politike, theksoi ministri.

“Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e vetë nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet bërthamore dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Zhvillimi i armëve bërthamore do kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Shqipëria iu bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe për zgjidhje të qëndrueshme politike”, u shpreh ministri Hasani.

Ministri Hasani mbajti fjalën sot në kuadër të përmbylljes së Presidencës Shqiptare  të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, me moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Sot, Tirana mirëpriti  krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë nga 13 vende pjesëmarrëse në Ministerialin përmbyllës.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria është fokusuar në tre prioritete: forcimin e bashkëpunimit politik, përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe rezultate konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

© Panorama.al

Te lidhura