Minierat, PS i drejtohet me 23 kërkesa Naços

Dec 19, 2011 | 16:49
Grupi i deputeteve nenshkrues

TIRANE- Nisur nga numri i madh i viktimave në miniera, Partia Socialiste i është drejtuar sot me një listë prej 23 kërkesash Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjtikës për më shumë informacion.

Kërkesa e PS-së është mbështetur në nenin 48 të Kushtetutës, si dhe në nënin 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, në të cilin parashikohet se “Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me permbushjen e detyrës së tij, të ministrave ose drejtuesve të institucioneve të tjera qëndrore, si dhe të çdo institucioni tjetër në administratën shtetërore e të qeverisjes vendore. Drejtuesit ose stafet e tyre jane te detyruar ti përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës”.

Në kërkesën e PS-së drejtuar METE, theksohet se vetëm gjatë këtij muaji kanë humbur jetën mbi 5 minatorë, ku pavarësisht shkaqeve të deklaruara ose të fshehura, fakt mbetet se fëmijë e familje vazhdojnë mbeten jetim mes katër rrugëve pse kanë humbur prindin, vëllain a të afërmin në errësirën e tuneleve.

Shfrytëzimi i pa kriter i pasurive kombëtare, sipas PS, rrezikon seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të tyre.

Partia Socialiste në kërkesën e saj hedh dyshime lidhur me faktin se grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot.

Kërkesat e PS-së drejtuar ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço.

1.      Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?

2.      Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?

3.      Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?

4.      Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme?

5.      Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?

6.      Sa eshte prodhimi i mineralit te kromit në Minierën e Bulqizës?

7.      Nga prodhimi i pergjitheshem i mineralit te kromit sa eshte shkrire ne uzinat e ferrokromit dhe sa eshte ekportuar direkt si mineral?

8.      Sa eshte vellimi i eksportit te mineralit te kromit apo ferrokromit ne ton dhe ne vlere?

9.      Bazuar në Marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga Koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?

10.  A ka filluar te hapet Zona Veriore e minieres se Kromit Bulqize? Sa eshte avancuar drejt thellesise dhe kur perfundon hapja e saj?

11.  METE, dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?

12.  Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi sipas të cilit kjo marrëveshje edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?

13.  Sa është fitimi i deklaruar i Koncesionarit kryesor në Bulqizë?

14.  Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?

15.  Sa është numri total i subjekteve të liçensuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?

16.  Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë liçensë?

17.  Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tegu i mineraleve që eksportohet?

18.  Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?

19.  Sot që flasim a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilëzohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?

20.  Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?

21.  Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?

22.  Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?

23.  Miniera e Kromit Bulqize a eshte shpallur si miniere me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjesve ne kete miniere duke punuar me paisje qe nuk plotesojne kushtet e antideflagrances?

© Panorama.al

Te lidhura