Miniera e kromit i merr jetën të riut

Sep 12, 2011 | 12:05
Miniera ku ndodhi ngjarja në Përrenjas

Sigurimi në mënyrë të jashtëligjshme i kromit në një minierë e cila prej vitesh është jashtë funksionit, i ka marrë jetën një 29-vjeçari, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë shoku i tij.Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës në minierën e fshatit Katjel të rrethit të Përrenjasit, ku dy të rinjtë: Dashamir Logjini, 29 vjeç dhe shoku i tij, Edison Myftari, 18 vjeç, ishin nisur rreth orës 18:00 të së shtunës drejt minierës, e cila ndodhet rreth një kilometër larg fshatit Katjel të komunës Rrajcë, në rrethin e Përrenjasit. Sipas Policisë, dy të rinjtë shkuan në minierë për të nxjerrë prej andej në mënyrë të jashtëligjshme krom dhe, pasi janë futur rreth 100 metra në thellësi të galerisë, kanë rënë në një pus të hapur brenda saj. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme 29-vjeçari Logjini, ndërsa ka marrë plagë të rënda 18-vjeçari, i cili ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Ndërkaq, sipas të dhënave të marra nga të afërmit e 18-vjeçarit, i cili vazhdon të jetë i shtruar në spitalin kirurgjik, kanë qenë ata që i kanë gjetur dy të rinjtë. “Ata u nisën pasditen e së shtunës, si çdo ditë për të nxjerrë kromin në minierë. Duke parë se u vonuan shumë, disa të afërm të Dashamirit u nisën pas mesnatës në zonën ku ndodhej miniera. Aty gjetën dy trupat, njëri prej të cilëve i pajetë, ndërsa 18-vjeçari pa ndjenja”. Familjarëve të 29-vjeçarit u janë dashur më shumë se dy orë për të nxjerrë nga galeria trupin e pajetë të viktimës e më pas të djaloshit 18-vjeçar, i cili vazhdonte të ishte pa ndjenja. Sipas të afërmve të këtij të fundit, në spitalin kirurgjik 18-vjeçari kishte kërkuar ndihmë dhe kishte bërtitur më shumë se tri orë, e më pas nga dhimbjet e shkaktuara në shtyllë kurrizore e në bel kishte rënë pa ndjenja. Mësohet se banorët e fshatit Katjel të komunës Rrajcë kishin më shumë se tre muaj që si mjet jetese kishin gjetur galerinë e minierës. Dy të rinjtë, por edhe shumë banorë të

I plagosuri Edison Myftari, në spital

tjerë të fshatit, shkonin në minierë dhe mblidhnin kromin me mjete primitive dhe në mënyrë të jashtëligjshme. Më pas, kromi ngarkohej në mjete të mëdha transporti dhe shitej nga banorët te shtetas që këta të fundit nuk i bëjnë të ditur, por mësohet se ishin firma private ato që e merrnin kromin.
Fshati Katjel, i përbërë nga rreth 800 banorë, kishte që në fillim të stinës së verës që gërmonte në minierën që ndodhej pranë. “Duke parë që në Greqi ishte e pamundur të punoje këtë vit, shumë banorë (pjesa më e madhe të rinj) niseshin drejt minierës rreth 1.5 kilometra larg fshatit dhe mblidhnin krom. I tillë ishte edhe Edisoni, ai kishte shkuar disa herë, me qëllim që të mbante familjen me bukë”, kështu thotë djali i xhaxhait të të plagosurit, i cili ndodhej në spital për t’u kujdesur për Edisonin. “Gjendja ekonomike dhe papunësia i detyroi këta të rinj t’i drejtoheshin minierës për të marrë krom dhe ja pasojat”, shton ai.

Viktima, dhëndër këtë të diel

Viktima, 29-vjeçari Dashamir Logjini, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, të dielën tjetër të këtij muaji do të martohej. Atij i janë dashur më shumë para që të bëjë dasmën e tij dhe askush nuk e kishte menduar se kjo e diel do të ishte për të e fundit dhe se nuk do të gëzonte dot jetën e tij martesore. Dashamiri, vëllai i pesë motrave e vëllezërve, u përcoll dje për në banesën e fundit, ndërsa shoku i tij i shtruar në spital ende nuk e di që 29-vjeçari tashmë ka vdekur. Edisoni, ashtu si Dashamiri, kishte arritur të mblidhte dhe të shiste krom me qëllim që të mbante familjen, pasi babai i tij emigrant në Greqi nuk mundej të punonte i vetëm. Ndërsa nëna e Edisonit ende nuk di gjë për ngjarjen e ndodhur, pasi ajo është duke u kuruar në Llixha të Elbasanit, pasi prej kohësh vuan nga reumatizma. Këta dy të rinj, por edhe shumë të tjerë të fshatit Katjel, jetonin me kromin e marrë nga miniera, pasi sipas banorëve fitimet ishin të konsiderueshme.

Minierat e rrezikshme në Librazhd

Në Librazhd e Përrenjas numërohen tetë miniera, ku ajo e Përrenjasit dhe e Katjelit njiheshin si minierat më të mëdha në vend, por që i mungonin kushtet e sigurisë teknike prej rreth 20 vitesh. Sipas specialistëve në minieren e Katjelit, cilësuar si më e sigurta në raport me të tjerat, në 20 vitet e fundit nuk është bërë asnjë investim serioz dhe fatkeqësisht ajo është kthyer në burim fatkeqësish, sidomos për ata që kërkojnë në mënyrë të jashtëligjshme të marrin aty mineral kromi. Tetë minierat janë: ajo e Skroskës, e Katjelit, miniera e kromit Frarë Hotolisht-Shebenik, miniera e hekur-nikelit Pishkash, ajo e Bushtricës, miniera e kromit Govadec-Shebenik, miniera e hekur-nikelit Katjel, si dhe ajo e Debrovës.

PERRENJAS/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura