Minatorët: Të hënën bllokojmë zyrat e ACR

Sep 24, 2011 | 12:59
Një nga minatorët grevistë

BULQIZE – Dhjetë minatorët e Bulqizës vijojnë të qëndrojnë në grevë urie në një objekt pranë kompanisë “ACR”, ndërsa pranë saj janë grumbulluar minatorë të tjerë që mbështetin kolegët e tyre. Gjendja e grevistëve paraqitej e rënduar në ditën e pestë, ndërsa mbrëmjen e së premtes njëri prej minatorëve është ndier keq, madje ai ka humbur ndjenjat. Drejtuesit e grevës thanë se kujdesi shëndetësor ka qenë i pakët, madje pohohet se asnjë mjek nuk është caktuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik për grevistët e urisë. Minatorët bënë të ditur se nuk do t’i ndalin protestat dhe grevën e urisë deri në realizimin e kërkesave të tyre ekonomike. Për presidentin e Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, minatorët nuk bien dakord me zgjidhjet që jep ACR-ja dhe se greva e urisë e bllokimi i rrugës nacionale nga minatorët dhe banorët e Bulqizës janë rrugët për nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë austriake. “Ne jemi të vendosur për të mos vijuar punën në minierë. Po ashtu, nga e hëna nuk do të lejojmë as administratën të frekuentojë zyrat, ku prej tre muajsh vetëm luhet në kompjuterë dhe sajohen blerje të shtrenjta për të mbushur xhepat e administratës”, nënvizoi Koleci. Ai theksoi se ditët e fundit nuk ka pasur takime apo biseda me përfaqësuesit e ACR-së, por është i sigurt se një ditë ata do t’i thërrasin arsyes dhe do të zgjidhin kërkesat e minatorëve. “Vazhdojmë të ndiejmë habi se si drejtori i ndërmarrjes, Medat Zogu, mendon se do të qëndrojë forcërisht në punë. Harron ai se ka humbur çdo lidhje dhe respekt me 700 minatorët”, tha Koleci. Sot është menduar organizimi i një proteste masive, me pjesëmarrjen e familjarëve të minatorëve dhe nxënësve të shkollave. Do të tentohet bllokimi i rrugës nacionale dhe pengimi i policisë për të hyrë në mjediset e ACR-së.                                h.p

Ataku
Një prej minatorëve mbështetës të kolegëve të grevës së urisë pësoi dje një atak, ndërsa qëndronte pranë vendit ku janë ngujuar 10 punëtorë. Mësohet se rreth orës 15:30, Remzi Markaj, 45 vjeç, ka pësuar një goditje në zemër. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Peshkopisë. Minatorët e Bulqizës po mbushin 3 muaj nga nisja e protestave masive të tyre, duke kërkuar realizimin e kërkesave.

© Panorama.al

Te lidhura