Minatorët, sot bllokohet rruga nacionale

Sep 27, 2011 | 12:18
Një nga minatorët e Bulqizës në grevën e urisë

BULQIZE – Minatorët e Bulqizës do të dalin sot në protesta masive në qendër të qytetit si dhe do të bllokojnë rrugën nacionale që lidh Tiranën me Peshkopinë. Këshilli sindikal i ka dërguar dje një kërkesë Komisariatit të Policisë Bulqizë për dy zhvillimet e sotme, ndonëse deri në mbrëmje nuk ishte kthyer asnjë përgjigje. Nga ana e minatorëve pohohet se në krye të protestës masive pritet të jenë drejtuesit e këshillit sindikal të minatorëve, familjarët e tyre, bashkë me fëmijët. Minatorët e Bulqizës kërkojnë kryerjen e investimeve në minierë, rritjen me 20% të pagës, largimin nga territori i ACR-së së firmave të tjera të palicencuara e që shfrytëzojnë minierën në mënyrë abuzive, si dhe shkarkimin e drejtorit të minierës së Bulqizës, Medat Zogu. Deri dje firma e huaj nuk ka pranuar largimin e drejtorit të minierës dhe pagesën për ditët e grevës. Pritet që sot të mbërrijë në Shqipëri pronarja e firmës austriake dhe nesër ajo të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e grevës për të arritur nj zgjidhje. Nga ana e tyre, 10 minatorët në grevë urie hedhin poshtë fjalët që ushqehen në ambientet e ngujimit. Ata kërkojnë nga policia që të ketë shërbim 24 orë për të faktuar këtë aludim.                           h.p

© Panorama.al

Te lidhura