Minatorët në protestë pas Bajramit

Sep 1, 2011 | 10:40
Nga protestat e minatorëve të Bulqizës

Minatorët e Bulqizës kanë rinisur protestat e tyre pas festës së Bajramit. Dje ata janë grumbulluar para portës së minierës dhe kanë qëndruar aty deri në orën 15:00.Ndërkaq, këshilli sindikal dhe komisioni i protestës kanë zhvilluar një mbledhje që ka zgjatur gati dy orë. Shkak për vonesën e saj janë bërë debatet mes sindikalistëve për të rritur rezistencën ndaj firmës së huaj. Shumë nga pjesëmarrësit janë shprehur se duhet organizuar një tjetër grevë urie dhe një tjetër protestë popullore në rrugën nacionale Bulqizë-Klos. Menjëherë pas takimit është prononcuar për minatorët që prisnin me ankth vendimin e marrë dhe për mediat presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj. Ai ka rikomentuar letrën e pronares së minierës, Depichc, duke u shprehur se minatorët ishin në festë dhe se nuk ishte aspak serioze për një pronare të nderuar të një shteti të BE-së, të abuzojë me festën e madhe të Bajramit, duke afruar një drekë falas për minatorët, me qëllim që të thyhej greva e minatorëve dhe për t’i kthyer ata në punë. “Njëzëri minatorët e konsiderojnë këtë deklaratë jo vetëm kolonialiste, por edhe skllavëruese. Komisioni i grevës dhe këshilli sindikal i minatorëve kanë vendosur që greva të vazhdojë me intensitet më të lartë se ditët e tjera, deri ditën e hënë. Pas kësaj dite do të ketë zhvillime të reja”, u shpreh Nikollaj teksa duartrokitej nga minatorët e pranishëm. Ai argumentoi arsyet pse është lënë ky afat. “Së pari, – tha Nikollaj, – deri atë ditë mblidhet Parlamenti dhe me siguri do të zhvillohet seanca me diskutime të lira. Ne jemi të bindur se do të ketë shumë deputetë që do t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre për ta trajtuar me përgjegjësi problemin e minatorëve të Bulqizës. Së dyti, – vijoi kryesindikalisti, – meqenëse këto ditë qeveria shqiptare ka rifilluar punë, t’i japim dhe një mundësi Ministrisë së Punës, Ministrisë së Ekonomisë dhe veçanërisht Kryeministrit të vendit për të parë me përgjegjësi problemin e minatorëve dhe për t’i dhënë një zgjidhje institucionale. Ne kemi qenë dhe jemi vetëm për një zgjidhje ligjore, ndryshe lëvizja sindikaliste do të jetë më e fortë”, deklaroi Nikollaj. Sipas tij, firmës “Albanian Chrom” i është bllokuar licenca nga METE, por qëllimisht ajo shtyn nënshkrimin e marrëveshjes me minatorët, duke nxjerrë pretendime të ndryshme. “Kësaj firme i duhet të rihapë licencën nga e para dhe rifillimi i punës kërkon disa muaj. Kjo zvarritje e qëllimshme është e pamoralshme”, tha Nikollaj. Në tubim folën edhe drejtuesit sindikalistë, Baki Bajraktari e Dilaver Përkoxha. Pasi i bënë thirrje Kryeministrit Berisha për ndihmë, ata thanë se mbetet opsion i hapur rifillimi i një tjetër grevë urie në thellësitë e minierës, apo në mjediset e jashtme të saj. Greva e fundit e urisë zgjati 26 ditë nën thellësitë e minierës së Bulqizës, duke përfunduar 10 ditë më parë, pas ndërhyrjes së forcave speciale.

Greva e urisë

Ngujimi në thellësitë e nëntokës në minierën e Bulqizës u gjet si mënyra e vetme për të arritur realizimin e kërkesave të tyre nga ana e minatorëve. Fillimisht hynë në grevë urie mbi 20 veta e më pas një pjesë e tyre u zëvendësuan, derisa pas 26 ditësh nga nisja e saj kishin mbetur 10 minatorë. Sindikata paralajmëron nisjen e saj sërish nëse dhe të hënën nuk do të arrihet një marrëveshje për kërkesat.

Firma “ACR”

Bllokimi i punës nga protestat e minatorëve të Bulqizës solli në këtë qytet disa herë radhazi administratorin e firmës austriake, i cili nuk arriti asnjë marrëveshje me minatorët, duke kërkuar largimin e kreut të Sindikatës. Dështimi u pasua dhe në vizitën e kryer nga ana e pronares së firmës, e cila pranoi që të realizohej një marrëveshje, por vetëm pas uljes në tryezën e bisedimeve të minatorëve që nuk ndiqeshin penalisht.

2 muaj
më parë kanë nisur protestat masive të minatorëve të Bulqizës, të cilët kanë bllokuar të gjithë punën në minierë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

700 minatorë
nuk kanë punuar asnjë ditë që prej fillimit të muajit korrik, kur janë bashkuar me protestën e përgjithshme të kolegëve dhe, për rrjedhojë, as janë paguar prej firmës.

Kërkesat e minatorëve të Bulqizës

1- Rritje të pagës neto me 20 për qind
2- Heqjen e taksës së sheshtë
3- Kryerjen e investimeve në minierë dhe transparencë në realizimin e tyre
4- Thellimin e puseve në minierë
5- Largimin e subjekteve të palicencuara nga territori i ACR-së
6- Largimin e drejtorit të minierës, Medat Zogu

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura