
BULQIZE – Dje ishte dita e 60-të e protestave të minatorëve të Bulqizës. Shumë prej tyre kanë tubuar para portës kryesore të ACR-së dhe kanë pritur në heshtje reagimin e këshillit sindikal dhe komisionit të protestës. Pas përfundimit të mbledhjes të të zgjedhurve sindikalistë, minatorët kanë mësuar se duhej pritur deri në darkë, derisa Kuvendi të shprehet për gjendjen e minatorëve të Bulqizës. “Nëse Parlamenti nuk shprehet në lidhje me protestën tonë, atëherë ne do të rimblidhemi në një takim tjetër dhe do të vendosim për lëvizjet e mëtejshme sindikaliste. Ndoshta do të nisim një grevë tjetër më të fuqishme”, thanë drejtues të konfederatës së sindikatave. Kol Nikollaj, kreu i Sindikatës, me një deklaratë për shtyp pohoi se “sindikata, si përfaqësuesja e vetme ligjore e minatorëve, ka përdorur të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj që greva, ashtu siç nisi, në mënyrë ligjore të përfundojë sa më shpejt vetëm në mënyrë ligjore. Por ndryshe ndodh me ACR-në”. Për minatorët, Parlamenti duhet të japë zgjidhje. Në deklaratën e djeshme u drejtoheshin disa pyetje deputetëve, për të gjykuar mbi shkaqet që sollën deri në protestat masive të minatorëve. Çështje si ajo e kontraktimit apo nënkontraktimit me shtetin shqiptar për minierën e Bulqizës; kalimit nga Darfo tek ACR; investimit të 20.6 milionë dollarëve të premtuar, si dhe shkaqet që çuan në humbjen e jetës apo aftësinë për punë të dhjetëra minatorëve, janë lënë të hapura nga ana e minatorëve për përfaqësuesit e popullit në Parlament. Gjatë seancës së djeshme, Gramoz Ruçi, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, deklaroi se do të ketë ditën e sotme një seancë parlamentare për çështjen e minatorëve. h.p











