
Nga emocionet e bukura, tek ato të trishtat. Të fituarit e një jetë të re dhe, sakaq, humbja e një apo dy të tillave brenda pak minutash. E fortë për t’u përballur me kultura e mentalitete të ndryshme, po aq edhe e ndërgjegjshme për të punuar me pacientet, që ende kanë tabu në kokat e tyre për vizitat tek mjeku gjinekolog. Mimoza Keta, mjekja obstetër-gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni”, ofron modelin e saj të punës dhe suksesit me gratë.
Të qarat e foshnjave të sapolindura janë melodia më e ëmbël për veshin e saj. Janë pjesa e pandarë e mëngjeseve herët në punë dhe turneve të vona ndaj të gdhire. Nëse nuk do të ishte për emocionin dhe impaktin e papërsëritshëm që i dha pritja e parë e një foshnje në maternitet, me siguri që Mimoza Keta do e kish dorëzuar diplomën në Fakultetin e Mjekësisë, ngase pikësynimi i saj në auditorët e fakultetit kishte qenë kardiologjia dhe okulistika. “Duke qenë një nga studentet më të mira të Fakultetit të Mjekësisë, me përfundimin e fakultetit më emëruan si mjeke obstetër-gjinekologe në maternitet. Isha gati të dorëzoja diplomën por, kur u përballa me lindjen e parë dhe pritjen e parë të një bebeje, për një moment harrova se ekzistonte profesion tjetër përqark. Kuptova se nuk kishte gjë më të bukur se të prisje jetën në duart e tua”, pohon ajo. Rrugëtimi nuk do të ishte aspak i lehtë. Nga puna e parë si mami, kujton dridhjet e duarve dhe djersët në ballë. Ishin emocione të pashmangshme, por prania e kolegëve me përvojë, e njërit prej tyre doktor Bashkim Cenoimeri, e bën të fitojë besimin në vetvete dhe dëshirën se ajo vërtet mund t’ia dilte mbanë në këtë profesion sa të bukur, aq edhe të mbushur me përgjegjësi. “Bebja e parë që kam pritur quhet Evis. Ajo sot është 27 vjeçe dhe vetëm para pak ditësh, erdhi tek unë për të lindur foshnjën e saj. Për mua nuk kishte emocion më të bukur dhe vlerësim për punën time, që ajo vajzë u drejtua në duart e mia, tashmë si nënë në pritje të krijesës së saj”, vijon Keta. Përpos çasteve mbresëlënëse dhe historive të bukura, praktika mjekësore dëshmon edhe për plot ngjarje të dhimbshme. Doktoreshë Mimoza e ka tepër të vështirë të shkëpusë nga mendja, historinë e një vajzë 17-vjeçare nga qyteti i Durrësit. Quhej Klaudja. “Në rojën time të parë 24-orëshe në spital, më vendosin në seksionin e abortarisë. Ishte periudha e paraviteve ‘90 dhe ende nuk ishte ligjëruar aborti apo ndërprerjet e vullnetshme të shtatzënisë. Gjatë mesnatës paraqitet një vajzë 17-vjeçare, familjarët e së cilës i kishin provokuar një abort me rrënjët e mëllagës. Vajza erdhi në gjendje klinike. U mblodh konsulta dhe profesor Koço Gliozheni konstaton se vajza ishte në gjendje kritike dhe çastet e fundit të jetës. Nuk i harroj dot fjalët e fundit të saj se “rrënjët e mëllagës ishin dorë me një”. Ajo abortoi dhe, pak minuta më pas, vdiq. Qava shumë pas asaj ndodhie të trishtë. Disa orë më vonë vjen babai i vajzës për të kërkuar të bijën dhe momentet më të tmerrshme ishin ato kur unë shqiptova fjalët se “vajza e tij kish ndërruar jetë”. Kurrë nuk kam për ta harruar këtë histori, që më ka lënduar në zemër. Vetëm disa muaj më pas u mblodh një ekip mjekësh dhe, me shkresën që dërguam në Parlament, u bë i mundur aprovimi i ligjit të aborteve”. Në bashkërendimin e problematikave në profesionin e saj, Mimoza nuk mund të fshehw faktin se në zona të caktuara rurale ka ende femra që e kanë tabu vizitën tek mjeku gjinekolog. Nuk njohin rregullat minimale të higjienës intime apo konceptin e kontraceptivit. Ndaj, nevojitet punë përmes qendrave ambulatore dhe strukturave të organizatave jo qeveritare në ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e kësaj kategorie femrash. Të tjera vajza dhe gra trokasin në zyrën e saj të punës që të kërkojnë ndihmë dhe këshillim për problematika të ndryshme që i shqetësojnë. Shtatzënia me gjithë vështirësitë që mbart, infeksionet e sëmundjet seksualisht të transmetueshme, menopauza tek gratë dhe shumë këshilla të tjera të vlefshme, të cilat mjekja obstetër- gjinekologe i shpalos për suplementin “Unë Gruaja”.
Aborti i një vajze 16 vjeçare
“Një vajzë e re drejtohet tek unë dy ditë pasi kishte kryer abortin e parë. Më tregoi historinë e saj… Ishte ndodhur në një pub dhe kishte ndier atraksion seksual kundrejt një djali simpatik. Aq shumë e kishte tërhequr ai, sa vajza i kish dhuruar virgjërinë. Vajza erdhi tek unë për t’u këshilluar, sepse ndihej keq dhe kërkonte mendimin tim për veprimin që kish kryer. Unë i thashë që si nënë do kisha preferuar që virgjërinë ta humbte kur të dëshironte, por me një djalë që ta donte e për të cilin nuk kishte vetëm tërheqje seksuale. Më pas, në mënyrë spontane ngrihem nga vendi, mbush duart me prezervativ dhe ia dhuroj 16- vjeçares. I them të ruhet në marrëdhëniet e tjera, duke treguar njëherësh kujdes për veten dhe partnerin nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Është më shumë se prekëse.
Këshilla
Kultura e higjienës intime
Higjiena para periudhës së menstruacioneve, kur vajza mësohet nga nëna se si të lahet disa herë në ditë, sidomos para dhe pas urinimit është tepër e rëndësishme. Larja e përditshme e trupit nuk duhet të shmanget. Higjiena intime duhet të jetë e detajuar, edhe gjatë kohëzgjatjes së menstruacioneve, por duke hequr dorë nga kimikatet apo produktet intime. Thjesht përdorimi i ujit të rrjedhshëm ose sapunit neutral.
Vizita e parë tek gjinekologu
Këshillohet që vizita e parë gjinekologjike të kryhet menjëherë pas raportit të parë seksual. Ekzaminimi i parë që bëhet është pap testi, i cili konsiston në marrjen e disa qelizave nga qafa e mitrës, duke u bërë ekzaminimi për prani të mundshme të qelizave të huaja kancerogjene, apo predispozitë për t’u formuar të tilla. Pap testi i parë kryhet gjashtë muaj pas marrëdhënieve seksuale, i dyti pas një viti, e nëse këto të dyja rezultojnë negative, pap testi i radhës kryhet pas dy vjetësh.
Infeksionet seksualisht të transmetueshme, shkaktarët
Këto infeksione shkaktohen nga mikroorganizmat, që futen në organizëm. Të tilla mund të jenë viruset apo hepatitet, baktere si gonorreja apo sifilizi, si dhe parazitët pubikë. Prania e tyre dëmton shëndetin riprodhues femëror dhe atë mashkullor. Më të predispozuarat për t’u prekur nga kësi infeksionesh janë vajzat nën moshën 25 vjeçe, që raportin e parë seksual të pambrojtur e kanë pasur rreth moshës 17-vjeçare. Mënyra e vetme për t’u mbrojtur është përdorimi i prezervativëve, higjienë rigoroze intime dhe shmangia e përdorimit të tualeteve të përbashkëta, sidomos atyre publike.
Joga, lehtëson procesin e lindjes
Joga është risi e kohëve të fundit. Madje, nëpër palestra apo qendra estetike tashmë zhvillohen seanca të tilla ndihmuese, që e bëjnë më të lehtë lindjen e bebes, ndërsa nënat i përgatisin duke i lehtësuar dhimbjet deri në momentin final.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











