Kreu i Partisë Komuniste Shqiptare, Hysni Milloshi, i cili kandidon për kreun e Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, i akuzon socialistët se i kanë sabotuar, madje i kanë luftuar më shumë se PD-ja.Gjatë një deklarate bërë dje për mediat, Milloshi shprehet se nuk u ka asnjë borxh socialistëve, përkundrazi, sipas tij, është PS-ja që u ka borxhe komunistëve shqiptarë. “Në përgjigje të deklaratave që zoti Majko ka bërë në adresën time, por dhe të Partisë Komuniste, dua të them se as nazistët nuk do të silleshin me PKSH siç janë sjellë zotërinjtë e Partisë Socialiste. Këta zotërinj, komunistët nuk i duan, tallen me ta, por votën e tyre e duan. U tall me komunistët edhe ish-ministri i Mbrojtjes, zoti Luan Hajdaraga, që u shiti kosovarëve armët e ushtrisë, të cilat Enver Hoxha i kishte lënë që Kosova t’i merrte falas”, u shpreh Milloshi. Sipas tij, socialistët e kanë refuzuar bashkëpunimin me Partinë Komuniste në këto zgjedhje, duke i detyruar ata të dalin vetëm në garë. “Më 18 mars 2011, në ditën e 140-vjetorit të Komunës së Parisit, me dëshirën që edhe PKSH të merrte pjesë në zgjedhjet në të gjitha zonat, për shkak të Kodit që vetë socialistët hartuan, kam pranuar t’u bëj një lëshim borgjezëve socialistë duke pranuar koalicion me ta, por janë ata që nuk pranuan, me sa duket, ngaqë u ngjallëm imazhin e Komunës, siç edhe ata më ngjallnin mua imazhin e Bastijës”, u shpreh kreu i komunistëve shqiptarë.
Akuzat
Për kreun e Partisë Komuniste Shqiptare, socialistët i kanë persekutuar komunistët, duke i cilësuar si bashkëpunëtorë me të djathtën. “Për 20 vjet me radhë, sa herë kemi marrë pjesë në zgjedhje, kemi ndeshur fenomenin anakronik, antidemokratik e antinjerëzor të socialistëve. Sot do të merrni pjesë në zgjedhje? Po ju jeni të Berishës! Edhe në këtë fushatë ky fenomen u shfaq me pamjet më naziste. Pikërisht kjo bandë, që tradhtoi pa iu skuqur faqja idealet komuniste e partizane 20 vjet më parë, na ka akuzuar gjatë këtij muaji kafene më kafene si tradhtarë”, u shpreh Milloshi. Por, sipas tij, Partia Socialiste ka mbajtur një qëndrim aspak miqësor me ta, madje i ka larguar dhe nga vendet e punës. Kjo, sipas tij, ka ndodhur në bashkinë e Gjirokastrës. “Partia Komuniste është forcë politike e pavarur, ka hyrë në zgjedhje e vetme dhe si e vetmja forcë politike me ideale dhe nuk i merr dorën Partisë Socialiste për ta bërë këtë. PKSH ka qenë e mbetet forca politike më e persekutuar e vendit, jo vetëm nga e djathta, por edhe ca më shumë nga e majta. Nga 6 mijë anëtarë të PKSH-së, në punë kanë qenë vetëm 6 veta dhe kanë mbetur aktualisht katër. E vetmja komuniste me shkollë të lartë në punë u pushua pak kohë më parë nga puna nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime”, u shpreh Milloshi. Në një përpjekje për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste, sipas Milloshit, komunistët e Vlorës i kanë kërkuar kreut të Bashkisë së këtij qyteti takim, ndërsa Gjika, sipas tij, i ka lënë jashtë derës. “Nuk i kemi borxh Partisë Socialiste, përkundrazi, ajo na ka shumë se e kemi votuar me naivitet për 20 vjet me radhë, edhe pse prej saj kemi parë vetëm të zeza. Në këto zgjedhje PS bëri ç’ishte e mundur që komunistët të mos regjistroheshin. Asgjë nuk harrojmë, as kreun e Bashkisë së Vlorës, i cili duke përdorur postin e kryebashkiakut, i la komunistët e Vlorës jashtë derës”, u shpreh Milloshi.
Përgjigjja
Për kreun e komunistëve shqiptarë, PKSH nuk do të bëhet lodër e PS-së së Edi Ramës, ndërsa shprehet se fuqia reale e saj do të shihet në zgjedhjet e ardhshme. “Zgjedhjet parlamentare nuk janë larg. Në 2013-n ajo dhe forcat e tjera politike do ta shohin se kush jemi ne. Ne s’kemi bërë e nuk bëjmë aleanca me të djathtën e PD-në, por as qemania e Edi Ramës nuk do të jemi e aleancë me PS nuk do të bëjmë. Kjo fushatë, për shkak të Kodit Zgjedhor të hartuar nga socialistët, ishte për ne simbolike e s’mund të pritej ndonjë sukses i madh. Por ne jemi krenarë se ruajmë në gjak nderin e Hamit Shijakut e të Qemal Stafës, ndërsa partia e zotit Majko ka nderin e Klarita Pitaccit”, u shpreh Milloshi.
Kreu i komunistëve shqiptarë ka akuzuar ish-kryeministrin Majko si tradhtar të interesave të vendit. “Pandeli Majko të ketë turp që përgojon Partinë Komuniste. Ai së pari duhet të japë llogari para atdheut si tradhtar i tij dhe para popullit, qoftë dhe për faktin se kur ishte kryeministër, shiti oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes për të ngritur sipas oreksit të Janullatosit një kishë ortodokse”, u shpreh Milloshi. Duke perifrazuar sloganin e fushatës zgjedhore të PS-së, Milloshi tha se “e vetmja rrugë” do të jetë ajo e drejtësisë. “PKSH mbron kauzën e vet, doktrinën e vet dhe rrugën e vet. E vetmja rrugë nuk është ajo e borgjezëve socialistë. Zoti Majko shtiret si luajalist, si engjëll, por historia nuk ia harron atij veprimin e shkrirjes së armëve të popullit shqiptar duke shkatërruar sigurinë kombëtare. Shkrimtari turk, Azis Nesin, ka një libër me titull “E vetmja rrugë”. Metafora e këtij libri është e vetmja rrugë që të çon në burg. Gjyqi i historisë, mos sot, nesër do të bëhet dhe nga ai nuk do të shpëtojë njeri”, u shpreh Milloshi, i indinjuar ndaj akuzave që janë bërë në adresë të tij.
Majko: Milloshi konsiderohet tradhtar
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, e cilësoi tradhtar të kauzës së majtë kreun e Partisë Komuniste Shqiptare, Hysni Milloshi, për hyrjen e tij në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, Milloshi po përçan votat e majta, duke ndihmuar në këtë mënyrë kandidatin demokrat Lulzim Basha. “Ky është një veprim i turpshëm, është një tradhtar, i cili po përdhos edhe ngjyrën e idealeve që partia e tij mbron. Nëse do të më kërkohet të bashkëpunoja me një ballist apo një komunist, unë do të bashkëpunoja me një komunist të ndershëm, por nuk do të bëja këtë që po bën Hysni Milloshi”, u shpreh Majko gjatë një prononcimi për mediat televizive.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











