
Bllokohet qarkullimi në rrugë nga protestat e socialistëve. Deputetët e PS-së kanë paraprirë turmat nga qytete të ndryshme të vendit, duke bllokuar pikat kyçe në akset nacionale, nga Jugu në Veri.Durrësi, Fieri, Vlora, Berati, Gjirokastra e Lezha e rrethet e tjera u izoluan për mbi 2 orë, pasi protestuesit bllokuan qarkullimin e mjeteve. Sipas pjesëmarrësve, protesta po kryhej si kundërpërgjigje për vendimin e KQZ-së për të mos shpallur fitoren e kryesocialistit Edi Rama. Në të gjitha rastet, punonjësit e policisë kanë qenë të papërgatitur, pasi, sipas tyre, ndonëse ka pasur leje për protestat, ishte e paparashikuar bllokimi i rrugëve nacionale.
DURRES

Në qytetin e Durrësit u bë bllokimi i autostradës që lidh Durrësin me Tiranën. Me pankarta në duar, “Poshtë Diktatura” dhe “E duam Shqipërinë, pa Salinë”, protestuesit me në krye deputetët Blendi Klosi, Gazmir Bizhga, Klodiana Spahia, Hazir Gashi dhe kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako janë nisur në këmbë nga mauzoleumi i dëshmorëve, duke përshkuar një distancë prej 4.5 km deri tek mbikalimi i Shkozetit, në aksin e autostradës Durrës-Tiranë. Protestuesit kanë qëndruar në këtë vend deri në orën 14:00. Më herët protestues të Partisë Socialiste kanë bllokuar një tjetër aks nacional, Kavajë-Rrogozhinë, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve që prej orës 10:30 dhe djegur goma makinash.
FIER

E tensionuar ishte situata në Fier, ku dhe aty protestuesit reaguan me djegie gomash makine. Socialistët dhe militantë të PS-së kanë kaluar përgjatë bulevardit “Jakov Xoxa” e më pas e kanë përshkuar në këmbë këtë rrugë deri në vendin e quajtur Vija e Ngjalës, në dalje të qytetit të Fierit. Aty ata janë ndalur duke bllokuar rrugën nacionale dhe qarkullimin e automjeteve. Me parullat “Duam votën tonë” apo “E duam Shqipërinë pa Salinë” apo “Të mbrojmë votën e lirë”, simpatizantët socialistë të udhëhequr nga të gjithë deputetët e qarkut Fier, kanë kërkuar që KQZ të ndalë implementimin e aktit më të fundit normativ, i cili i dha dritën jeshile rinumërimit të fletëve të kontestuara. Ndërkohë, kësaj proteste nuk i kanë munguar edhe marshe dhe këngë partizane të cilat kishin në kontekst uzurpimin. Protestuesit në rrugët kryesore të qytetit kanë qenë të shoqëruar nga deputetët Gramoz Ruçi, Albert Caci, Armando Subashi etj. Në shenjë proteste ndaj qeverisë aktuale dhe KQZ, protestuesit bllokuan rrugën me goma automjetesh, ndërsa më pas u vunë zjarrin. Kjo gjendje ishte deri rreth orës 16:30, ku pas 5 orësh bllokim ata u tërhoqën, me qëllim kalimin e mjeteve.
VLORE
Për dy orë qëndroi e bllokuar dhe aksi Fier-Vlorë, ku simpatizantët e PS-së dhe deputetë e Vlorës ishin përqendruar në Urën e Mifolit. Bllokimi ka shkaktuar kaos, pasi qindra mjete ishin nisur në drejtim të Fierit apo të bregdetit. Protestuesit hodhën në kor gjatë të gjithë kohës parulla kundër Berishës dhe Ristanit. Ata kërkuan të rivendoset drejtësia, në të kundërt reagimi do të jetë edhe më i ashpër.
GJIROKASTER
Më në jug, pikërisht në Gjirokastër, protesta e socialistëve u vendos në aksin nacional Tepelenë-Mallakastër, ku u bllokua dhe aty për 2 orë qarkullimi i mjeteve. Madje as edhe rastet urgjente nuk janë lejuar, duke krijuar një kordon të pakalueshëm për këdo. Kreu i PS-së së Tepelenës për qytetin, Arben Kacorri, u bëri thirrje protestuesve të shumtë të mblidhen sërish sot për të bllokuar rrugën pa afat.
BERAT
Probleme ka pasur dhe në Berat, ku qindra militantë socialistë të organizuar nga Berati, Kuçova, Ura – Vajgurore, Poliçani dhe Skrapari zbarkuan dje tek vendi i quajtur kryqëzimi në Poshnje, duke bllokuar rrugën që lidh tri qytete, Beratin me Fierin dhe me Lushnjën. Ndërkaq, mbrëmë mësohet se janë bërë shoqërime në disa rrethe të organizatorëve të bllokimeve të paligjshme të rrugëve.
LEZHE

Rruga nacionale që lidh Veriun e vendit si dhe Kosovën me Shqipërinë e mesme, është bllokuar për tre orë nga simpatizantët e Partisë Socialiste. Të udhëhequr nga deputetet e zonës veriore si Ilir Beqja, Paulin Sterka, Sadri Abazi, Tom Doshi, Gjovalin Kadeli dhe Armando Prenga, si dhe të sapozgjedhurit vendorë të komunave të Shkodrës, Bashkisë së Laçit, Rubikut e Rrëshenit, ata protestuan për situatën në lidhje me numërimin e votave për Bashkinë e Tiranës. Rreth 500 persona u organizuan rreth orës 10:30, ndërsa një orë më pas turmës i janë bashkangjitur deputetë të Partisë Socialiste në afërsi të kryqëzimit të autostradës Milot – Morinë, tek vendi i quajtur kryqëzimi i Fushë- Milotit. Pikërisht, para tabelës orientues që bëhet ndarja për në Kukës e Shkodër, është bllokuar rruga duke shkaktuar kaos e trafik.
Procedim organizatorëve
Gjatë orëve të mbrëmjes, policitë e disa rretheve nisën procedimet për organizatorët e tubimeve të paligjshme. Kështu, Policia e Vlorës nisi procedimin për deputetin Eltar Deda, ndërsa do të ndiqen penalisht Mëno Besimi, kryetar i komunës Kotë si dhe shtetasit me precedentë penalë, Kreshnik Tepelena, Leonard Haskaj dhe Gramoz Cepaj. Policia e Gjirokastrës ka nisur procedimin për kryetarin e PS-së Tepelenë, Arben Kaçorri, dhe kreun e PS-së së këtij rrethi, Sulo Mucobega. Edhe Policia e Krujës nisi procedimin për 13 shtetas, mes tyre Gjon Bardhi, kryetar i Bashkisë Fushe-Krujë dhe Artur Bushi, kryetar i komunës Thumanë.
© Panorama.al











