Miliarderi rus sfidon Putinin për presidencialet

Dec 13, 2011 | 13:47

Mikhail Prokhorov, një nga njerëzit më të pasur në Rusi dhe pronari i skuadrës së basketbollit të Nju Xhersit, NBA, tha dje se ai do të garojë kundër Vladimir Putinit në zgjedhjet presidenciale të Marsit. Prokhorov, pasuria e të cilit është vlerësuar nga “Forbes” në 18 miliardë dollarë, konsiderohet një sfidë serioze për Putinin, autoriteti i të cilit është dobësuar nga zgjedhjet e 4 dhjetorit dhe protestat masive që e akuzojnë për manipulim votash. “Shoqëria po zgjohet”, tha Prokhorov në konferencën për shtyp të mbajtur në Moskë për të deklaruar kandidaturën e tij. “Ato autoritete që nuk do arrijnë të vendosin një dialog me shoqërinë, duhet të ikin”, tha ai. Të dielën, duke iu referuar kërkesave të protestuesve, Presidenti aktual rus, Dimitri Medevedev, tha se ai kishte urdhëruar hetimin e rezultatit të zgjedhjeve, por nuk do të lejonte përsëritjen e tyre. Zëdhënësi i Kryeministrit Vladimir Putin, Dimitri Peskov, parashikoi se rezultati i hetimit do të ishte një masë shumë e vogël manipulimi që nuk do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve. Prokhorov, 46 vjeç, tha se ai shpresonte që të fitonte besimin e klasës së mesme ruse, e cila ishte baza e demonstratave anti-Putin. Por ai tha se binte dakord vetëm me disa nga sloganet e përdorura në protesta dhe nuk tha nëse do të marrë vetë pjesë në to. Përveç tij dhe Putinit, në garën presidenciale merr pjesë edhe shefi i komunistëve, Genadi Zjuganov, i cili është renditur i dyti në zgjedhjet e kaluara presidenciale.

© Panorama.al

Te lidhura