
Milani kryeson Serinë A edhe përsa u përket rrogave. Klubi kuqezi u paguan plot 160 milionë euro lojtarëve të vet, nga ku vetëm Ibrahimoviç merr 9 milionë euro neto. Suedezi është njëkohësisht lojtari më i paguar në Itali. Revista italiane “Soccermagazine”, ka bërë një investigim duke detajuar të gjitha rrogat që marrin lojtarët e federuar në kampionatin italian (Seria A) nga kontratat që kanë firmosur në klubet ku militojnë. I pari në listë është klubi i Milanit, presidenti i të cilit, Silvio Berluskoni, do të paguajë deri në fund të sezonit 2011-2012 shifrën e 160 milionë eurove. Pas Milanit vjen Interi, klub ky që u paguan lojtarëve të vet 145 milionë euro rroga. Te zikaltrit, më i paguari është holandezi Uesli Shnajder, i cili merr 6 milionë euro në sezon. Rrogat te Interi kanë pësuar një rënie edhe për shkak të largimit të Etosë, i cili merrte 11 milionë euro. Në podiumin e nderit ngjitet edhe Juventusi. Klubi torinez ka një buxhet pagash prej 100 milionë eurosh.
Top 10 – Në dhjetëshen e parë nuk ka se si të mungojë Roma. Pas ndryshimit të presidencës (ka ikur Sensi dhe në krye ka ardhur Di Benedeto), rrogat në këtë klub janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara. Kështu, drejtuesit për këtë sezon do të paguajnë 76.5 milionë euro. Me një diferencë të madhe nga verdhekuqtë janë “kushërinjtë e urryer” të Lacios, presidenti i të cilit, Klaudio Lotito, paguan 50.2 milionë euro rroga. Më pas në radhë vijnë Napoli (41.2 milionë euro), Fiorentina (37 milionë euro), Xhenova (36 milionë euro), Palermo (26 milionë euro) dhe Bolonja (23.7 milionë euro).
“Varfanjakët” – Në diferencë të madhe nga treshja e parë janë dhjetë skuadrat e tjera të Serisë A. Parma dhe Siena kanë të njëjtin buxhet pagash (23 milionë euro), ashtu sikundër edhe Atalanta me Udinesen (Udine, 100 mijë euro më pak). Nën kufirin e 20 milionë eurove, ku qëndron Kaljari, janë Katania (18.6 milionë euro), Kievo (14.2 milionë euro) Çezena (14 milionë euro) dhe Leçe (13.8 milionë euro). Ndërsa Novara, skuadra ku luan Samir Ujkani, ka buxhetin më të vogël, me 9.8 milionë euro, pak a shumë aq sa merr i vetëm Ibrahimoviç te Milani.
Rrogat në Serinë A
Milan – 160 milionë euro
Inter – 145 milionë euro
Juventus – 100 milionë euro
Roma – 76.5 milionë euro
Lacio – 50.2 milionë euro
Napoli – 41.2 milionë euro
Fiorentina – 37 milionë euro
Xhenova – 36 milionë euro
Palermo – 26 milionë euro
Bolonja – 23.7 milionë euro
Parma – 23 milionë euro
Siena – 23 milionë euro
Atalanta – 21.8 milionë euro
Udineze – 21.7 milionë euro
Kaljari – 20 milionë euro
Katania – 18.6 milionë euro
Kievo – 14.2 milionë euro
Çezena – 14 milionë euro
Leçe – 13.8 milionë euro
Novara – 9.8 milionë euro
Përgatiti: Leonard Karaj
© Panorama.al











