
“Tevezi do shkojë vetëm te Milani”. Ka qenë ky diktati i menaxherit të argjentinasit Kia Jorabçian, i cili të premten ua ka plasur në sy dëshirën e futbollistit drejtuesve të Mançester Sitit. Kjo deklaratë e menaxherit të Karlitos ka detyruar klubin anglez të analizojë edhe një herë më mirë situatën. Nga ana tjetër, edhe Milani synon të zhbllokojë sa më shpejt tratativat për Tevezin. Sipas mediave angleze dhe atyre italiane, mësohet se drejtori i përgjithshëm i Milanit, Ariedo Braida, të mërkurën do niset drejt Anglisë për t’u takuar me drejtuesin e Mançester Sitit. Kuqezinjtë tani kërkojnë huazimin e Tevezit dhe më pas blerjen e kartonit të tij për 28 milionë euro. Duket se oferta e re e “Djallit” ka bindur drejtuesit londinezë të pranojnë huazimin e argjentinasit. Kështu që të mërkurën, kur Ariedo Braida të jetë në Londër, mund të vij së bashku me Tevezin në Milano, dhe më pas të gjithë bashkë do fluturojnë drejt Dubait për fazën përgatitore.











