Duke vijuar suksesin e viteve të fundit në organizimin e klubeve futbollistike për vajza e djem, A.C. Milan – klubi më i suksesshëm në botë – kthehet sërish në Shqipëri, për të organizuar edicionin e 2011-ës të kampit “Milan Junior”. Në bashkëpunim me sponsorin kryesor kombëtar “Taçi Oil Internacional”, i cili sivjet mbështet gjithashtu projekte gjithëpërfshirëse në zhvillimin social e sportiv në Shqipëri, A.C. Milan do të organizojë nga 11-15 korrik, kampin e katërt të “Milan Junior”, ku sërish do të zgjidhen 5 lojtarët e rinj më të talentuar për të shkuar tek Milani. Ata do të jenë pjesë e ceremonisë së madhe të mbajtur në “San Siro”, me fëmijët që marrin pjesë në kampet për të rinj të Milanit në mbarë botën. Në këtë rast, atyre do t’u jepet mundësia të shfaqin talentin e tyre.











