Mijëra qytetarë i kërkojnë dorëheqjen, Rama sulmon protestuesit: Shërbëtore të paguar, mercenarë të ardhur nga Prishtina dhe Tetova

Jul 2, 2026 | 8:56

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, duke deklaruar se qeveria po përpiqet të kuptojë mesazhin e qytetarëve, por nga ana tjetër i sulmon ata duke i quajtur “shërbëtorë të paguar” dhe “mercenarë” të ardhur nga jashtë Shqipërisë.

rama protestat

Gjatë një takimi me pensionistët, kryeministri shtoi se secili është i lirë të zgjedhë se si ta kalojë kohën, qoftë duke protestuar, punuar apo duke qëndruar në një lokal.

“Në këtë bulevard janë vrarë njerëz me pushkët e shtetit. Sot është gjë shumë e madhe që është bërë bulevardi i Tiranës si karnavalet e Rio De Janeros që i ndjek gjithë bota. Shkojnë njerëzit dalin, propozojnë, ndahen e martohen në bulevard. Kjo tregon që ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë edhe në këtë formë liria dhe demokracia. Ca dalin atje, ca shohin futboll, ca lozin basketboll, ca pijnë kafe. Po çohu nga kafja thoshin skuadronet e Musolinit përpara se të vendosej atje ajo që erdhi prapa. Po ‘çohu nga kafja’ ishin ato këmishat e murrme të atij tjetrit në Mynih. Çohu nga kafja  s’ka, kush do të rrijë në kafe do rrijë në kafe, kush do të shkoj në punë të shkojë në punë, kush do të protestojë të protestojë”, tha Rama.

Duke folur për protestat, Rama tha se ato duhen lexuar jo vetëm për atë që shprehet publikisht, por edhe për mesazhet që, sipas tij, nuk artikulohen.

“Patjetër që ne po përhiqemi ta lexojmë si duhet mesazhin. Protesta nuk është ajo që thuhet, protesta është edhe ajo që nuk thuhet edhe për mirë edhe për keq. Protesta është ajo që nuk thuhet kur dalin shërbëtorë të paguar, mercenarë të ardhur nga Prishtina dhe Tetova që bëjnë si diasporë, por është edhe ajo që nuk thuhet nga shumëkush që nuk thuhet aty, që nuk ka dalë për rrëmuja aty, por ka dalë se do më mirë këtu, më shumë aty, më bukur atje”, deklaroi Rama.

© Panorama.al

Te lidhura