Nuk ka lënë gjë pa provuar në karrierën e saj. Këngëtare, prezantuese-moderatore emisioni, tani edhe humoriste në disa skena, të cilat realizohen me disa aktorë nga Kosova. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur Mihrie Braha, e cila këto ditë është duke xhiruar një program humoristik, së bashku me disa aktorë të njohur kosovarë të cilët më herët kanë qenë të angazhuar edhe nëpër spektakle të ndryshme atje. Kjo do të jetë një sprovë e re për Mihrien, e cila më parë ka qenë edhe moderatore e një emisioni shumë të shikuar në Kosovë, kurse tani është duke e ndihmuar bashkëshortin e saj Naimin në realizimin e emisionit “Odeon” në Radio Televizionin e Kosovës, emision argëtues që do të transmetohet një herë në javë, në të cilin përzgjidhen talentet e reja. “Ideja ime është një projekt që do të lançohet diku nga qershori, me shumë këngëtarë të estradës. Deri më tani kemi xhiruar vetëm me Mihrien, por ardhjen e kanë konfirmuar edhe Genta Ismajli, Sabri Fejzullahu etj. Mihria ka pasur një personazh të një njeriu të zakonshëm, që është bërë shumë nervoze dhe e ka tensionuar situatën, sepse burri i vet gjithmonë kur ka me dalë në takime me të, e ka gënjyer dhe gjithmonë vonohet në takime, edhe e zhgënjen para të tjerëve, e meqenëse ne e kemi parë se ajo është duke pritur Naimin edhe ai s’po vjen, ne shohim të hyjë në bisedë me të, për shkak se ajo është një VIP dhe të shfrytëzojmë situatën kur ajo është nervoze me Naimin dhe ta bëjmë për vete”, tregon për gjithë skenarin e xhirimit njëri nga organizatorët e projektit. “Ndërsa me Gentën kemi menduar këngën “Shkune tune”, të bëjmë një skenar që ka për të dalë shumë-shumë intersant. Asaj i ka pëlqyer ideja dhe e ka pranuar ftesën, shpresojmë të dalë mirë”, thekson më tej aktori Sadri Imeri.











