Për të gjithë ata që pyesin veten se ku ka humbur Michelle Pfeiffer, mund ta shohin në filmin “Vit i Ri në New York”. Ajo tregon për jetën e saj në krah të të shoqit, producent televiziv dhe si ai i ndryshoi jetën…
Për të gjithë adhuruesit e biondes elegante dhe me një vështrim çarmatosës, Michelle Pfeiffer është bërë brune. “Jam 53 vjeç dhe ia dhashë vetes të drejtën për të mos qenë më bionde. Ishin të tjera kohë ato kur Holliwood-i më vendoste shtrirë mbi një piano, duke kënduar e duke bërë të çmendeshin nga xhelozia Jeff Bridges dhe vëllain e tij. Në të vërtetë, po të mundesha, do isha bërë e shëmtuar 25 vjet më parë”. Pastaj plot ironi shton, “Nuk e kuptoj pse, por ndërsa unë plakem, partnerët e mi bëhen gjithnjë e më të rinj. E njëjta gjë ndodh edhe tek filmi ‘Vit i Ri në New York’, por këtu nuk bëj joshësen”. Por pavarësisht kësaj, më kanë vënë në krah aktorin Zac Efron, që është 25 vjeç. Sigurisht një përmirësim nga kohët e Chéri, Rupert Friend ishte 19 dhe unë 51. Çfarë mendoja në sheshxhirim, teksa shkëmbeja batutat? Që Zac do të ishte i fejuari ideal për vajzën time. Është kaq i këndshëm, i sjellshëm, i qeshur dhe i përkushtuar. Sa më takon mua, kam frikë se së shpejti do më bëjnë të interpretoj ndonjë pedofile… Bëj shaka sigurisht. Fatmirësisht kësaj here seksi dhe joshja nuk hyjnë fare. Dhe unë vetë nuk jam më bionde, por brune. Gështenjë. Dhe jam e trishtë brenda meje”, thotë Michelle Pfeiffer për revistën italiane “A”.
Pfeiffer, që me bashkëshortin e saj David E. Kelley dhe me dy fëmijët jeton në San Francisco, në fakt në film është e panjohshme. Përveçse brune, ajo luan rolin e një gruaje të pakënaqur, që kur takohet me një të ri (interpretuar nga Efron), i jep një shtysë të re jetës së saj. Po si? Duke i lejuar vetes të bëjë një listë të gjatë gjërash, që dikur nuk ia kishte lejuar vetes.
Deri diku ky rol ka pika takimi me vetë jetën e Pfeiffer. “Kur isha e re isha emocionalisht e paqëndrueshme dhe shumë e dhënë pas punës. Kur takova Davidin ndryshoi gjithçka. Nuk di të them se pse dhe kur ndodhi një gjë e tillë, por ndodhi kështu: Michelle e mëparshme u zhduk dhe në vend të saj ishte një tjetër, me të tjera dëshira, nevoja dhe stil jete. Ishte viti 1993. U martuam dhe një vit më pas lindi John Henry. Unë dhe David zihemi, por e rëndësishme është të besosh në martesë. Për këtë nuk më erdhi keq të pakësoj impenjimet profesionale dhe të transferohem nga Brentwood në veri të Californisë. David është producent televiziv dhe kishte nevojë për qetësi për të shkruar, menduar, ideuar…”. Kur ishte e re kishte edhe ajo të tjera ëndrra, të cilat i nxjerr herë pas here nga sirtari. Dikur i pëlqente të bëhej piktore. “Pikturoj shpesh. Banoj në një zonë ku drita është e mrekullueshme. Nuk di çfarë të bëj me tablotë e mia. Janë portrete të njerëzve që dua, peizazhe, lule. Pasi fitova titullin e Orange County ku jetoja (është e famshme si zonë serfi) dhe nisa të luaj në role të vogla, vendosa të bëhem aktore: por piktura mbeti pasioni im i parë. Fëmijët e mi janë rritur nëpër muze”. Kur e pyet nëse do të donte të ndryshonte ndonjë gjë në jetën e saj, thotë se i pëlqen gjithçka, por ndoshta do ishte bërë ca më shumë… ironike. Ende e këndshme dhe tërheqëse, ajo vazhdon të jetë e kërkuar nga regjisorët. Përpara se të xhironte “Vit i Ri në New York” ishte betuar se nuk do të luante me partnerë më të rinj. “Tani jam e kënaqur që kam ndërruar ide. Fundja gjeta dhe dhëndrin ideal”.











