Metrologjia, kapet zyrtarja e nëntë

Nov 22, 2011 | 9:19

Abuzimi me peshoret e karburanteve, furrave të bukës e marketeve, inspektorja akuzohet për pesë raste. Dhurata Merlika prangoset në Krujë pas një jave “në kërkim”

Shtetasja Dhurata Merlika, e shpallur në kërkim që prej javës së kaluar, është arrestuar dje në mbrëmje nga Policia e Shtetit me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Të enjten e javës së kaluar, Dhurata Merlika, inspektore e Drejtorisë së Metrologjisë në Tiranë, u shpall në kërkim së bashku me tetë kolegë të saj me akuzën e abuzimit në procesin e regjistrimit të peshoreve në njësitë tregtare të karburanteve, në ushqimore dhe supermarkete. Arrestimi i së pandehurës Dhurata Merlika nuk ka qenë i mundur deri dje në mbrëmje, pasi e dyshuara nuk ndodhej në banesën e saj në Krujë. Aty është kryer mbrëmjen e djeshme ndalimi i zyrtares së shpallur në kërkim, ndërkohë që gazeta “Panorama”, ditën e diel, referuar burimeve të hetimit, raportoi se e kërkuara fshihej në Shqipëri. Për skandalin e kalibrimit abuziv e fiktiv të peshoreve deri dje ishin arrestuar tetë persona, nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë deri te drejtori i Tiranës.
Akuza për 5 raste abuzimi
Dhurata Merlika akuzohet nga Prokuroria për pesë raste abuzimi me kalibrimin e peshoreve. Më datë 17.10.2011, Dhurata Merlika ka folur me Moisi Musabelliun, drejtor i Tiranës, dhe e ka njoftuar se ka marrë ankesa nga subjekte të ndryshëm se pikat të ndryshme karburanti, ndër të cilat dy në Krujë, japin sasi me pak (mangët) dhe se janë pa u kontrolluar fare. Sipas saj, aty ka shkuar një ditë dhe Kristaq Thanasi dhe nuk i ka bërë dot.  Gjithashtu, nga biseda ajo e vë në dijeni drejtorin për faktin se këto pika kanë katër vjet pa u kolauduar. Pas këtij momenti Dhurata është telefonuar nga Armand Xhika, i cili e pyet se çfarë problemi ka konstatuar. Kjo bisedë është bërë tre minuta pasi Dhurata ka mbyllur bisedën me drejtorin dhe dyshohet se ky i fundit ka komunikuar me Armandin dhe e ka vënë në dijeni për shqetësimin e Dhuratës. Armandi i thotë që ka shkuar aty dhe nuk duan të paguajnë, ndërsa Dhurata i thotë që ka shkuar me Taqon (Kristaqin). Prokuroria, gjatë hetimeve të saj, ka vërejtur edhe një sërë veprimesh të dyshimta nga kjo shtetase dhe më konkretisht, në datën 4 prill 2011, pranë subjektit bar-kafe në pronësi të shtetasit S. V., në rr. “Siri Kodra”, ku ka vendosur një etiketë kolaudimi pa numër. Po kështu, nga verifikimet e bëra rezulton se pranë subjektit bar-kafe “K…” në pronësi të shtetasit P. Gj., kjo shtetase ka kërkuar një shumë prej 1050 (një mijë e pesëdhjetë) lekësh dhe nuk ka lënë as faturë, as etiketë dhe dyshohet se nuk ka bërë kolaudim fare. Në rr. “Siri Kodra”, në datën 4 prill 2011, në supermarketin e shtetases S. X. ka vënë një etikete të vitit 2010, pa datë dhe numër, pa faturë dhe mandat-pagese, nuk ka bërë asnjë veprim për kolaudimin e saj dhe i ka kërkuar subjektit një shumë prej 2040 (dy mijë e dyzetë) lekësh.
Të arrestuarit
Roland Çelmeta, zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë
Moisi Musabelliu, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Kristaq Thanasi, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Hetem Basho, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Armand Xhika, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Armand Shuaipi, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Agron Damzi, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të  Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Sokol Lami, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Dhurata Merlika, inspektore pranë Drejtorisë së Metrologjisë Tiranë, arrestuar mbrëmë

© Panorama.al

Te lidhura