Meta-Prifti, pretenca më 6 janar 2012

Dec 17, 2011 | 11:49
Pamje nga videoja Meta-Prifti

Prokuroria e Përgjithshme do të japë më 6 janar 2012 pretencën për Ilir Metën, ish-zv. kryeministrin e akuzuar për “korrupsion” në procesin e hapur pas publikimit të videos së përgjuar nga Dritan Prifti.

Gjykata e Lartë përfundoi dje shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-zv.kryeministrit dhe caktoi datën 6 janar të vitit tjetër si datë ku prokuroria do të paraqesë konkluzionet përfundimtare. Në seancën e djeshme, Kolegji Penal administroi provat shkresore të paraqitura nga përfaqësuesit e prokurorisë dhe nga avokatët mbrojtës të Metës në proces. Gjykata pranoi të gjitha kërkesat e avokatëve, ndërkohë që refuzoi vetëm tre prej provave të kërkuara nga organi i akuzës. Në vendimin e saj, trupa gjykuese rrëzoi kërkesën e prokurorisë për dëgjimin dhe shikimin në sallën e gjyqit të videos “Meta-Priti”. Në vijim, Kolegji Penal nuk pranoi kërkesën e prokurorisë për të bërë pjesë të provave të një DVD-je të sekuestruar më 29 janar 2011 në Top-Channel të emisionit “Top Story”, ku Dritan Prifti intervistohet në lidhje me videopërgjimin. Vendimi i ndërmjetëm u shpall i paarsyetuar. Kërkesa e përfaqësuesit të akuzës në proces, prokurorit Bujar Sheshi, se a mund të dinte pse u rrëzua kërkesa e tij, hasi në përgjigje negative nga kryesuesi i seancës. “Do ta merrni vesh kur të jetë momenti i duhur”, iu përgjigj gjyqtari Ardian Dvorani.

DEBATI PËR PROVAT

Një nga kërkesat për prova që shkaktoi më tepër debat mes palëve ishte ajo e dëgjimit në sallë të videopërgjimit “Meta-Prifti” dhe transkriptimi i saj. “Jemi kundër kërkesës. Kjo kërkesë është ezauruar në aktin e ekspertimit, si dëgjimi i videos dhe si transkriptimi i saj”, u shpreh avokati Gëzim Veleshnja. Mbrojtësi tjetër i të pandehurit Meta, avokati Petrit Serjani, pretendoi se prokuroria po tentonte zvarritjen e procesit. “Kërkesa e prokurorisë është jologjike. Duan të zvarrisin procesin, ta çojnë edhe njëherë në ditën e parë”, tha avokati. Po ashtu, përplasje mes palëve krijoi edhe kërkesa e prokurorisë për administrimin si provë të DVD-së së emisionit “Top Story”, ku intervistohej Dritan Prifti në lidhje me videon. “Një bisedë mes Dritan Priftit dhe gazetarit Sokol Balla kurrsesi nuk mund të shërbejë si provë. Ne e kishim Priftin si dëshmitar këtu në proces. Ç’duhet biseda e tij në emision?”, pretenduan avokatët.

MBROJTJA

Veç provave të paraqitura në fillim të gjykimit, avokatët mbrojtës të ishzv. kryeministrit Meta paraqitën dje disa prova të reja për provimin e pafajësisë së klientit të tyre. Mbrojtësit paraqitën një kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme të vitit 2002 për heqjen e imunitetit të deputetit Prifti. Në vijim, mbrojtësit paraqitën edhe një kërkesë të Dritan Priftit, po të vitit 2002, ku ai kërkonte të linte mandatin e deputetit për arsye shëndetësore. Sipas avokatëve, në përmbajtjen e kërkesës Prifti pretendonte asokohe se një ndërhyrje kirurgjikale i kishte shkaktuar dëmtime në dëgjim. Në vazhdën e provave të reja, avokatët paraqitën para Kolegjit Penal aktmarrëveshjen e datës 10 shkurt 2010 mes ARMO-s, Albpetrolit dhe Tea Constuction. Sipas avokatëve, këto do të provonin se Dritan Prifti i kishte dhënë ankandin e shitjes së naftës bruto njërit prej ortakëve në biznes të bashkëshortes dhe të dajës së tij.

Hetimi përfshiu edhe Dritan Priftin, Braho: Akuza ndaj Metës, montazh

Pas seancës së djeshme, Spartak Braho, një nga avokatët e kreut të LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi vendimin e gjykatës për mënyrën e administrimit e provave shkresore të palëve. Sipas Brahos, “prokuroria dështoi në procesin e saj të montuar”. Procesi hetimor ndaj ishzv. kryeministrit Ilir Meta filloi në janar të vitit 2011, pak ditë pas transmetimit të videos së Dritan Priftit në emisionin “Fiks Fare”. Prokuroria fillimisht hapi dosjen penale mbi bazën e shkrimeve në media dhe publikimeve në emisionin “Fiks Fare”, por më pas në prokurori u thirr edhe vetë Dritan Prifti, i cili pasi dha shpjegimet e tij, dorëzoi si prova edhe kompjuterin, USB-në, orën-kamera dhe një sërë provash të tjera. Pas veprimeve hetimore që vazhduan në Prokurorinë e Tiranës për 2-3 muaj, dosja u dërgua në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi u pa e nevojshme të kryheshin veprime hetimore ndaj personave me imunitet. Me të marrë dosjen, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi letërporosi në SHBA pa kaluar, sipas procedurës, në Ministrinë e Drejtësisë, duke kërkuar ekspertim për vërtetësinë e regjistrimeve që ishin gjetur në pajisjet e dorëzuara nga Dritan Prifti (USB, kompjuteri dhe orakamer). Pas përgjigjes së specialistit amerikan, i cili konfirmoi vërtetësinë e videos, prokuroria, në shkurt 2011, kërkoi heqjen e imunitetit të Metës e Priftit, duke qenë se në pajisjet e ish-ministrit u gjet një video e dytë ku Prifti merrte 70 mijë euro nga ish-zëvendësi i tij. Prokuroria e Përgjithshme sekuestroi dokumentet dhe mori në pyetje personat me dijeni për ngjarjen dhe më pas e dorëzoi dosjen në gjykatë, ku me përjashtim të Dritan Priftit, dëshmitarët e tjerë kanë thënë se nuk ka pasur shkelje në procedurat e ndjekura dhe 700 mijë eurot e përmendura në video kanë qenë shpenzime të një kompanie private. Gjykata rrëzoi ekspertizën e amerikanit dhe caktoi 3 specialistë shqiptarë për verifikimin e videos.

ARMAND BAJRAMI

 

 

© Panorama.al

Te lidhura