Meta-Prifti, akuza s‘përfshin videon

Jan 5, 2012 | 12:58

Dritan Prifti dhe Ilir Meta

Pretenca, Prokuroria: Regjistrimi u rrëzua në gjyq, e kotë ta themi.

Prokuroria e Përgjithshme është duke përgatitur pretencën që do të paraqesë në Gjykatën e Lartë më 6 janar, në procesin ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, i hetuar për korrupsion. Grupi hetimor i çështjes mësohet se po vazhdon përgatitjen e dokumentit me konkluzionet e hetimit dhe të gjykimit, ndërkohë që akuza ka hequr përfundimisht dorë nga provat kryesore me të cilat filloi procesi. Është fjala për videon e përgjuar dhe të regjistruar nga Dritan Prifti, e cila u konsiderua “jo origjinale” nga një grup specialistësh shqiptarë që kryen ekzaminimin e saj, si dhe për usb-në, në të cilën ishte hedhur materiali filmik pas regjistrimit të bisedës në zyrat e Ministrisë së Ekonomisë. “Nuk mund të thuhet ende çfarë qëndrimi do të mbahet në seancën e 6 janarit 2012, por ajo që është e sigurt është se do të zbatohen urdhërimet e Gjykatës së Lartë për pavlefshmërinë dhe mospërfshirjen e provave që janë hedhur poshtë gjatë shqyrtimit gjyqësor”, kanë thënë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, për sa kohë gjykata e ka marrë si provë raportin e specialistëve se videoja është jo origjinale, çdo tentativë për ta përdorur regjistrimin si provë është e kotë. “Pretenca po hartohet nga grupi i hetimit duke u bazuar në provat që kanë mbetur në fuqi pasi gjykata ka rrëzuar disa prej tyre. Mund të themi se prova kryesore është dëshmia e ish-ministrit Dritan Prifti”, kanë thënë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, thënieve të Priftit i bashkohet edhe sasia e dokumenteve të marra në Ministrinë e Ekonomisë, në “ARMO” dhe në “Albpetrol”, në lidhje me koncesionet dhe ankandet që janë përmendur në dëshminë dhe në denoncimin e Dritan Priftit.
Procesi
Në hetimet paraprake të dosjes, Prokuroria e Përgjithshme kishte kryer në SHBA një ekspertizë të videopërgjimit të Dritan Priftit. Kjo ekspertizë u rrëzua nga Gjykata e Lartë, pasi ishte kryer me anë të një letër-porosie të cilën prokuroria nuk e kishte kaluar përmes Ministrisë së Drejtësisë, siç e parashikon ligji. Në mungesë të një akti procedural mbi regjistrimin e kryer nga Dritan Prifti, Gjykata e Lartë caktoi një grup ekspertësh shqiptarë për kryerjen e verifikimeve mbi vërtetësinë e videos. Trupi gjykues hartoi disa pyetje për specialistët, përfshi edhe pyetjet e hartuara nga prokuroria dhe avokatët, dhe ekspertiza e videos u realizua mbi këtë bazë. Në konkluzionet e tyre mbi videon, tre specialistët shqiptarë theksuan se videoja e gjetur në kompjuterin e Dritan Priftit nuk ishte origjinale dhe kishte mundësi të mëdha ndërhyrjeje. Ata thanë se usb-ja ku ishte hedhur materiali nuk u ekzaminua, pasi vetë prokuroria kërkoi që ajo të mos hapej, duke qenë se përmbante një video të dytë të Dritan Priftit me ish-zv. ministrin Leonard Beqiraj, e cila përbënte sekret shtetëror pasi dosja penale për të ishte ende në hetim.

Ina Rama
Fjala e fundit për pretencën e prokurorisë në gjyqin ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta do të thuhet nga Ina Rama, e cila, sipas ligjit, do të kontrollojë pretencën e përgatitur nga grupi i hetimit dhe po ashtu ka të drejtë ta ndryshojë dhe ta korrigjojë atë në përmbajtje.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura