
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje gjatë një interviste për Ora News se Presidenti i ri do të zgjidhet në bashkëpunim më Partinë Demokratike. Meta shmangu komentet për debatin midis Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi.
Sipas kreut të LSI-së, bashkëpunimi me PD-në do të jetë afatgjatë. Meta foli dhe për çështjen “Islami”, ku sipas tij dera e LSI-së mbetet gjithnjë e hapur për një figurë të tillë politike.
Shumë përfaqësues të së majtës mendonin se ky bashkëpunim me Partinë Demokratike do ta dëmtonte LSI-në në elektorat. E keni ndier këtë efekt, zoti Meta?
E para, të majtët që besojnë te LSI-ja, janë votues të LSI-së dhe ata që nuk besojnë, nuk janë votues të LSI-së. Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar që është një alternativë tepër prezente që nga dita e parë e themelimit të saj, është një forcë politike që ka pasur një elektorat tepër solid. Edhe masakra e zgjedhjeve të fundit që u realizua ndaj saj, që nga Kodi, që nga përjashtimi i të drejtës për të pasur komisionerët e kështu me radhë, dështoi ndaj dhe unë jam i bindur që qytetarët gjithnjë e më shumë kërkojnë zgjidhje, kurse ngarkesat emocionale për mua janë tërësisht kalimtare.
Kryeministri Berisha tha se zoti Topi e ka shkatërruar Presidencën duke e kthyer në një partiçkë. Komenti juaj?
Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtij debati. E ritheksoj se është e rëndësishme që çdo institucion të respektojë Kushtetutën dhe frymën e Kushtetutës, sepse kjo është në të mirë të vendit për funksionimin e institucioneve dhe besueshmërisë së tyre.
Jo më larg se dje zoti Meta, ju keni deklaruar se jeni jashtë lojës për Presidentin. Kanë filluar pra pak para kohe diskutimet për çështjen e emrave për Presidentin e ri. Pse mendoni se duhet të qëndroni larg kësaj loje me emra, me diskutime apo me skenarët që do të zgjidhet presidenti?
Kuptohet që është bërë e zakonshme që ne t’i nisim këto fushata përpara kohe. Ndoshta kjo tregon një varfëri lajmesh apo zhvillimesh ngaqë është dhe fundviti, aq më tepër që kemi dhe një lloj “detante”, në qoftë se mund ta themi, midis forcave kryesore politike, kështu që duhen krijuar sa më shumë lajme të tjera dhe ajo që unë kam dashur të bëj të qartë për çështjen e presidentit, ka të bëjë me vlerësimin tonë si LSI, pasi kjo është një çështje tepër e parakohshme për t’u diskutuar. Pra, kjo është një çështje që duhet diskutuar në fund të muajit qershor. Së dyti, ne nuk duam të bëhemi pjesë e si të thuash e “spekulimeve” dhe së treti e që është më e rëndësishme, ne do të jemi pjesë e zgjedhjes kur kjo çështje të vendoset për t’u diskutuar.
Nëse do të zgjidhej presidenti, sikurse tha dhe Kryeministri Berisha, pra nga maxhoranca, a mund të kishte ndonjë emër nga Lëvizja Socialiste për Integrim?
Është një çështje tepër e parakohshme për të diskutuar dhe unë mendoj se si nga maxhoranca, pa përjashtuar asnjë forcë politike, absolutisht ka shumë emra që mund ta kryejnë shumë mirë këtë detyrë, ndërkohë që kjo është një garë e hapur, sepse ka disa rregulla, ka disa procedura. Cilido që arrin të ketë mbështetjen e 20 deputetëve, në mos gaboj, ka të drejtën të paraqesë kandidaturën e tij, por ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike që për këtë çështje të kemi një angazhim për ta zgjidhur së bashku.
Mund të jetë ndër këta emra dhe Fatos Nano, duke pasur parasysh se ka pasur në media një lloj diskutimi se mund të jetë një kandidaturë që mbështetet nga LSI-ja?
Unë po e ritheksoj dhe një herë që nuk dua të bëhemi pjesë e këtij debati tepër të parakohshëm. Edhe më parë e theksova që ne kemi një detyrim për shkak të marrëveshjes që kemi, që do ta diskutojmë me Partinë Demokratike dhe me forcat e tjera të këtij koalicioni. Dhe, në momentin e fundit Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë të ditur qëndrimet e kësaj force politike.
A ju duket kjo iniciativë e Nanos paksa e parakohshme?
Kjo është një e drejtë e tij dhe, duke qenë se ai është një politikan me shumë përvojë, i di mirë arsyet se pse ka zgjedhur këtë moment për të afishuar kandidimin e tij për këtë pozicion dhe është një e drejtë e tij.
Do të vijoni t’i jepni më shumë jetëgjatësi bashkëpunimit me Partinë Demokratike?
Së pari, ka ende kohë për të përmbyllur këtë mandat 4-vjeçar. Ne nga ana jonë i kemi qëndruar dhe do t’i qëndrojmë në mënyrë tepër korrekte kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi.
Normalisht është tepër e parakohshme që të flasim për një bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste, pavarësisht qëndrimeve shpeshherë përjashtuese që kanë ardhur prej selisë rozë…
Për interesat e integrimit të vendit, ne bashkëpunojmë, kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë me çdo forcë politike. Pastaj koalicioni është çështje tjetër.
Duke e parë sot, pas disa ditësh, pak më qetë përjashtimin e z. Islami, ju duket normal një çregjistrim i tillë i një deputeti nga një Grup Parlamentar?
Përjashtimi i zotit Islami nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk është një zhvillim interesant. Është një zhvillim dramatik, jo thjesht për Partinë Socialiste, por në përgjithësi për demokracinë në vend dhe për politikën shqiptare. Them që është një zhvillim dramatik për arsye sepse nuk është thjesht një ndëshkim ndaj një individi, por është një shantazh që u bëhet të gjithë atyre që kanë një mendim alternativ. Partia Socialiste ka qenë për një periudhë të konsiderueshme partia më demokratike në vend në kuptimin e zhvillimit të fondamencës, të mendimit ndryshe, të debateve dhe kthimi kaq pas në të kaluarën me këtë vendim ndaj zotit Islami është me të vërtetë një zhvillim dramatik. Sepse, në fund të fundit është një forcë politike e rëndësishme dhe është një forcë politike që duhet të japë mesazhe emancipuese dhe jo të ndërmarrë veprime të tilla, të cilat të kujtojnë kohën e inkuizicionit. Për më tepër kur bëhet fjalë për një politikan që e njohin të gjithë, që e njeh opinioni publik, që e njohin edhe qytetarët, për një politikan me shumë kontribute për pluralizimin politik në Shqipëri, për transformimin nga Partia e Punës në Partinë Socialiste. Zoti Islami ka pasur një rol kyç në atë kohë. Për afrimin e shumë figurave të reja intelektuale në këtë forcë politike, për pozicionet e ndryshme që ka pasur në mënyrë të vazhdueshme dhe për background-in e tij, si një shkencëtar i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit. Akoma më e rëndë ishte kërkesa pastaj për ta larguar edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ku ai është raporter për Gjeorgjinë dhe, në vend që të gjithë të jemi të kënaqur që një shqiptar është zgjedhur dhe ka një pozicion të tillë tepër sensibël dhe të vlerësuar nga një institucion tepër i rëndësishëm ndërkombëtar, kërkojmë ta ndëshkojmë duke e çuar këtë mesazh negativ edhe përtej Shqipërisë.
Z. Meta, e ka një vend në Lëvizjen Socialiste për Integrim z. Islami? E keni menduar një mundësi të tillë?
Kjo nuk është një pyetje për mua. Aderimi në Lëvizjen Socialiste për Integrim bëhet më dëshirë, bëhet me vullnet. Se cila është e ardhmja e z.Islami, kjo është një çështje që i mbetet atij për të vendosur. Unë personalisht mendoj se ai e ka një të ardhme në jetën politike për arsye se ka një të kaluar solide dhe çdo politikan që e ka një të kaluar të tillë, që ka kontribute të qenësishme, ka dhe një perspektivë, aq më tepër që ai është superenergjik dhe një politikan tepër aktiv.
Pra derën e ka të hapur në LSI?
Çështja kryesore është vullneti i zotit Islami dhe, pavarësisht se cila do të jetë zgjedhja e tij për të ardhmen, mbetet gjithnjë një figurë tepër e vlerësuar nga unë personalisht.
© Panorama.al“Statusin e marrim vitin tjetër”
Kreu i LSI-së u shpreh dje se Shqipëria mund ta marrë vitin tjetër statusin e vendit kandidat. “Ju e dini shumë mirë që ka qenë politika e bojkotit ajo që e ka mbajtur peng plotësimin e këtyre detyrimeve dhe marrjen e statusit. Pas kaq kohësh u kuptua se kjo politikë s’do prodhonte më shumë vota. Për fat të mirë, kjo gjë u kuptua, pavarësisht se me vonesë. Kemi disa sinjale reflektimi. Besoj se statusi do të merret brenda vitit të ardhshëm dhe hapjes së negociatave”, u shpreh Meta gjatë intervistës.“Vizat, jemi vend model”
Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, i cili sapo ka hyrë në vitin e tij të dytë, Meta u shpreh se: “Shqipëria është vlerësuar si vend model sa i takon përmbushjes të të gjitha detyrimeve, për të mos e shpërdoruar këtë të drejtë. Të mos harrojmë deklaratat që jepeshin për fat të keq edhe nga Tirana, edhe nga selitë e forcave politike, përpara se të merrej vendimi për heqjen e vizave, se po të hiqeshin, 1 milion shqiptarë do të shkonin në Europë dhe nuk do të ktheheshin më për arsye të varfërisë dhe arsyeve sociale, politike”.











